Shoqata “Ardhmëria” hap tri shkolla të reja shqipe në Mbretërinë e Bashkuar

Nga Anila Kadija

Shoqata “Ardhmëria” në Londër ka nisur vitin 2025 me një arritje të rëndësishme për komunitetin shqiptar, duke hapur tri shkolla të reja shqipe në zonat Richmond dhe Uxbridge në Londër, si dhe në Oxford. Ky hap përfaqëson një angazhim të palodhur për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe për brezat e ardhshëm.

Richmond, Londër
Koordinatore: Ervina Beluli
Uxbridge, Londër
Koordinatore: Aurora Lloshi
Oxford, Mbretëria e Bashkuar
Koordinatore: Hygerta Shira

Gjatë ceremonive të inaugurimit, drejtori i shkollave shqipe të “Ardhmërisë”, z. Lutfi Vata, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për përkushtimin e stafit dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar. “Mësimi i gjuhës shqipe dhe ruajtja e kulturës sonë janë pasuri që duhet t’i përcjellim ndër breza,” tha ai.

Një falënderim i veçantë u adresua për mësueset që po punojnë vullnetarisht, si dhe për prindërit shqiptarë, të cilët me donacione dhe përkrahje po kontribuojnë në zhvillimin e këtyre shkollave.

Shoqata “Ardhmëria” njoftoi gjithashtu se shumë shkolla të tjera shqipe janë në plan për t’u hapur në të ardhmen. Komuniteti shqiptar në Londër mund të vizitojë faqen zyrtare të shoqatës për informacione mbi aktivitetet dhe adresat e shkollave.

Arsimim me cilësi të lartë
I gjithë stafi i shkollave shqipe “Ardhmëria” është i kualifikuar, me diplomime nga universitetet e Shqipërisë dhe Anglisë. Mësimi i gjuhës shqipe, si gjuhë amtare, jo vetëm që forcon lidhjet me rrënjët tona kulturore, por edhe kontribuon në formimin e identitetit të fëmijëve shqiptarë në diasporë.