Më 22 Janar, një ngjarje historike u zhvillua për herë të parë në platformën Google Meet, duke bashkuar dy botë të ndara gjeografikisht, por të lidhura shpirtërisht: klasën arbëreshe të shkollës së Ungrës në Kalabri nën drejtimin e mësueseve Nikoleta Buono dhe Maria Tolisano dhe fëmijët shqiptarë të “ShkollësShqipe” në Zvicër nën drejtimin e prof. Vaxhid Sejdiut. Ky moment i veçantë ishte një urë lidhëse mes trashëgimisë kulturore të arbëreshëve dhe fëmijëve shqiptarë që jetojnë larg vendlindjes së tyre.
Në konferencë, fëmijët shqiptarë, të lindur dhe rritur në Zvicër me origjinë nga Kosova dhe nga trojet shqiptare në Maqedoni të Veriut folën në gjuhën shqipe dhe u prezantuan arbërisht, ndërsa fëmijët arbëreshë përshëndetën dhe folën në gjuhën arbërisht, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme. Të pranishëm ishin nxënësit shqiptarë si Tana, Lina, Era, Rina, Genti, Arjanita, Nora, Enesi, Melisa, Shera dhe Aroni, si dhe fëmijët arbëreshë Alice, Francesco, Virginia, Tresy, Lorenza, Brigida dhe të tjerë.
Një takim emocionues dhe i pasur kulturor
Programi përfshinte recitime dhe këngë që mishëronin trashëgiminë kulturore shqiptare dhe arbëreshe. Fëmijët shqiptarë u prezantuan me vjersha dhe këngë. Dallohej Gent Morina me vjershën për Skënderbeun dhe Melisa Selimi me këngën “Moj e Bukura Arbëri.” Ndërkohë, fëmijët arbëreshë shfaqën trashëgiminë e tyre me këngë tradicionale si “Faluvet” dhe “Lule – Lule,” si dhe një ekzekutim të mrekullueshëm në fizarmonikë.
Pjesëmarrësit e Veçantë
Në këtë konferencë të organizuar nga Prof. Vaxhid Sejdiu dhe Ornela Radovicka, drejtuese e Qendrës për Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe, të cilët meritojnë falënderime të veçanta për realizimin e saj, morën pjesë personalitete dhe figura të njohura nga bota arbëreshe dhe ajo shqiptare. Midis tyre ishin mësueset Nicoletta Buono dhe Maria Tolisano, presidenti i Bibliotekës Ndërkombëtare Tommaso Bellusci, dhe Benedeto Guaragna, një njohës i shquar i gjuhës arbërisht.
Nga pala shqiptare morën pjesë gazetari i mirën johur shqiptar Rexhep Rifati, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Mërgatë, Musa Jupolli, së bashku me bashkëveprimtarët Mentor Thaqin dhe Bashkim Halilajn. Gjithashtu, u bashkuan dhe inxhinieri Tommaso Ferrari, një aktivist i palodhur për ruajtjen e trashëgimisë arbëreshe.
Gjaku i Arbërit në Evropë
Ky takim na kujtoi që gjaku i Arbërit vazhdon të rrahë fuqishëm në mbarë Evropën. Pavarësisht kufijve dhe distancave, traditat dhe gjuha na bashkojnë si një familje e madhe. Emocionet e kësaj konference na japin shpresë se lidhjet kulturore dhe gjuhësore mes shqiptarëve dhe arbëreshëve do të vazhdojnë të lulëzojnë.
Mirëmëngjesi, Arbëri!
Mirëmëngjesi, Arbëreshë!
Mirëmëngjesi, mërgatë shqiptare!
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë nismëtarët dhe pjesëmarrësit që na dhuruan këtë ngjarje të paharrueshme. Suksese të mëtejshme fëmijëve të një gjaku, që mbajnë gjallë trashëgiminë e përbashkët shqiptare.
“Shkolla shqipe” – Zvicër
Sektori për Informim