NJË DRITARE PËR TË GJITHË ATA QË DUAN DRITË

Redaksia

Redaksia e Gazetës Online “kkad.al” , janar 2025, mbajti takimin e radhës. Në këtë takim përveç anëtarëve të KKAD-së : Mustafë Krasniqi (Gjermani), Miradije Berisha (Austri), Aurela Konduri (Greqi), Mira Shehu (Kanada), Teuta Tabaku (Turqi), Dritan Mashi (Itali), Anila Kadija (Angli), Isuf Bytyçi (Gjermani), Anita Duriçi (Zvicër) dhe Arta Emiri (Suedi), morën pjesë edhe anëtarët e grupit “Gjuhë dhe Edukim” pranë KKD – së : Vaxhid Sejdiu (Zvicër) dhe Drita Gjongecaj (Amerikë).

Takimi u moderua nga Kryetari i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, Mustafë Krasniqi, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit për përkushtimin e tyre vullnetar  në misionin e mësimit shqip në diasporë.

Qëllim i këtij takimi ishte gazeta online, me anë të cilës synohet të ruhet vlera e gjuhës së vendit të origjinës, të kontribuohet në përcjelljen e saj te fëmijët në diasporë, në përpjekje për ta sjellë atë sa më afër lexuesit të madh e të vogël.

Si një dritare informuese, kjo gazetë qëllimin e saj do ta përmbushë përmes informacioneve, publikimeve të shkrimeve, videove e intervistave me mësues e nxënës në diasporë edhe jo vetëm.

A ka më mirë se të jesh në shërbim të komunitetit, të ruajtjes së gjuhës amtare dhe të ruajtjes së kulturës kombëtare shqiptare?

Lini një Përgjigje