Shkruan: Isuf Bytyçi

Poezia «Etika shqiptare» e Safet Sadikut është një frymëzim me vargje reflektuese që lartëson vlerat tradicionale të moralit shqiptar. Ajo trajton temën e etikës kombëtare, duke theksuar virtyte si besa, fjala e dhënë, mikpritja, nderi dhe qëndrueshmëria morale, të cilat autori i paraqet si pjesë të qenësishme të identitetit shqiptar. Stili i poezisë është i thjeshtë dhe i fuqishëm, me një ton epik dhe emocional që përforcon mesazhin. Vargjet janë të ngjeshura dhe simbolike, si: “Fjala e dhënë, te ne nuk tretet. As era nuk e shpie, as shiu nuk e lan”, ku fjalës i jepet një peshë e shenjtë. Simbolika që përdor autori: “Guri në prag të shtëpisë”, “zemra si mal”, “shpirti si flakë”, përforcon idenë e një etike të palëkundur dhe madhështore. Në fund, poeti ngre pyetjen sfiduese: “Kështu rron ende shqiptari?”, duke ftuar lexuesin të reflektojë mbi qëndrueshmërinë e këtyre vlerave në kohët moderne. Mund të them se poezia e Safet Sadikut shërben si një manifest etik dhe kulturor, që synon ruajtjen e kujtesës morale në një shoqëri në trazicion. Këto vargje poetike i ngjajnë një himni për nderin dhe fjalën e dhënë, dhe njëkohësisht janë thirrje për rikthim te rrënjët morale të kombit.
Zoti im quhet Atdhe!
Që kur linda
U shpreha qartë
Edhe kur qajta
Si foshnjor
Me ulurima zëri
Kam thënë:
«Jam vetëm
Atdhetar i betuar!
nuk dua të jem
fetar i turbulluar!»
Zoti im
Quhet atdhe!
Tejkalon
Çdo religjion
Çdo ideologji
Pse këndojnë
Për hasmëri!
Në çdo familje
Në çdo shtëpi?
Besimi në atdhe
Është besimi në zot!
Si e vetmja fole!
Është e qartë për ne!
Pa atdhe nuk kemi fe!
Zoti im
Quhet atdhe!
Është e vetmja
Dritë e lulëzuar
Pa atdhe
Mund ta puthësh
Secilën fe!
Jeta të shkon
Nën rrufe!…
Me rrëke…
Zoti im
Quhet atdhe!
Jam me fat
Në këtë fole
Zoti im
quhet atdhe
U tregua
shumë bujar
Që nga lindja
n’ditën e parë
Betimit tim
I vajti mbarë!
Luftë e shpallur!
Lajmi ka ardhur
I konfirmuar!
Se zoti im
quhet Atdhe!