
Nga Adnan FAZLIU
Mungesa e vetëdijes kulturore dhe politike nuk është rastësi – është zgjedhje kolektive me pasoja fatale. Në çdo shoqëri ka gabime që mund të tolerohen dhe ka të tjera që duhet të na alarmojnë. Në Kosovë një nga ato gabime që është kthyer në normë është ngatërrimi i shkronjës “Q” me “Ç”.
Shikoni komentet në rrjetet sociale, pankartat në protesta, deklaratat e përfaqësuesve – gabime të njëpasnjëshme që nuk janë më vetëm drejtshkrimore, por shenja të një analfabetizmi të thellë kulturor. Por ky nuk është një opinion për gjuhën shqipe. Është një reflektim mbi mungesën tonë kolektive të vetëdijes. Sepse një popull që për dekada të tëra nuk arrin të mësojë të dallojë “Q” nga “Ç”, si mund të pritet prej tij të dallojë të drejtën nga e padrejta, vlerën nga mashtrimi, burrërinë nga turpi, heronjtë nga pseudopatriotët? Ne kemi ndërtuar një shoqëri që përfiton lirinë si dhuratë, pa e kuptuar koston e saj. Pjesa më e madhe e këtij populli as që ka luftuar, as që ka paguar çmim, por e merr lirinë si të ishte një rrogë shteti – automatike, mujore, e garantuar.
Liria iu dha falas nga 1% e bijve më të mirë që guxuan të sakrifikojnë gjithçka. Sot, shumë nga përfituesit janë kthyer në përçmuesit e saj. Dhe kështu kemi ardhur në një pikë tragjike: një pjesë e madhe e popullsisë voton dhe përkrah ata që fyejnë luftën, që përçmojnë UÇK-në, që e barazojnë gjakun e dëshmorëve me ambiciet e veta personale. Ata që shkruajnë histori të rreme mbi varret e atyre që nuk mund të flasin më. Dhe më e dhimbshmja: e gjitha kjo ndodh me votën e atyre që dikur e quanin veten “patriotë”. Kjo nuk është vetëm krizë politike. Është krizë morale, shoqërore, identitare. Sepse një popull që nuk e mbron kujtesën, që nuk i mëson fëmijët as të shkruajnë drejt, as të lexojnë historinë drejt, është popull që rrezikon të kthehet në fillim të klasës së parë, në çdo kuptim. Fatkeqësisht, nuk është më fjala për një rishikim arsimor.
Është fjala për rikthim në vetëdije, në rrënjë, në të vërtetën. Sepse nëse nuk dimë të dallojmë “Ç”-në nga “Q”-ja, si do të dimë të dallojmë një burrështetas nga një manipulues? Një hero nga një frikacak? Një ideal nga një mashtrim? Ky mileti i quajtur “kosovar”, pra – po e potencoj me vetëdije – dallon nga shqiptari. Sepse shqiptari i vërtetë i njeh shkronjat, nuk i koklavit vlerat, i njeh heronjtë dhe e ka shtetin mbi individin. Ai është vetë individi, vetë dorëshkruesi dhe vetëbërësi i historisë. Në këtë kaos të paudhësive, mungesa e dallimit është rruga më e shkurtër drejt humbjes së gjithçkaje që njëherë e kemi fituar me gjak.