Shkruan: Bislim Elshani

Një tinejxher shqiptar nga një fshat i Suharekës përdhosi flamurin tonë kombëtar duke e shkelur, duke e grisur brutalisht dhe së fundi duke kaluar mbi të me rrotë makine.
Natyrisht, po të kishte qenë ky një akt i ndonjë djaloshi serb nga Mitrovica e Veriut, jehona do të qe ku e ku më e fuqishme, ndoshta edhe reagimi i organeve tona hetimore, sipas shembujve që na kanë dhënë viteve të fundit, ndoshta do të qe më i rreptë, dhe nuk do të quhej saora një rast i mbyllur vetëm pas një konstatimi të thjeshtë se ishte rezultat i një veprimi të krisur në gjendje të pavetëdijshme për shkak konsumi narkotikësh. Hetuesit madje nuk e kishin parë të arsyeshme që të ndëshkojnë vozitësin qoftë edhe për vozitje në gjendje të “dehur”, ose pa patentë shoferi, duke marrë parasysh moshën e djaloshit.
Nëse është e vërtetë fjala se “ç’ka barku e nxjerr bardhaku” atëherë përdhosja e flamurit kombëtar mund të interpretohet në disa mënyra:
1. Rezultat i edukatës (së pamjaftueshme) me frymë nacionale dhe dështim i plotë i arsimit fillor dhe sidomos i mësuesit të tyre të historisë,
2. Edukatë në frymën e kosovocentrizmit të N. Spahiut, sipas të cilit nuk na duhet gjë flamuri ynë kombëtar, dhe
3. Kryengritje e pavetëdijshme me natyrë frojdiste kundër autoritetit patriarkal prindor dhe gjithë vlerave të lidhura me të, qoftë ky dhe flamuri kombëtar.
Një argument tjetër, që gjithashtu duhet marrë parasysh, është prirja kriminale për të tërhequr vëmendjen, për t’u bërë personazh medial përmes ndonjë veprimi skandaloz, në kontrast e në kundërshtim të plotë me rrymën dhe me vlerat e përgjithshme.
Në të katër rastet shoqëria kosovare po vazhdon të dështojë, sepse të gjitha rastet provojnë se kemi hyrë në një tunel paqartësish thelbësore mbi të ardhmen tonë si shoqëri e si komb. Çfarë do të bëhet në të ardhmen me gjeneratën e sotme të tinejxherëve kosovarë? Punë e madhe nëse ata s’do të bëhen serbë, por ndoshta gjermanë, italianë apo amerikanë, nën ndikimin e vazhdueshëm të aplikacioneve e lojërave kompjuterike e digjitale! Ky trend mund të jetë fatal për të ardhmen tonë, prandaj aktin e përdhosjes çmendurake, qoftë edhe të pavetëdijshme, të flamurit e quaj akoma më të rrezikshme se sa ndonjë sulm të vetëdijshëm e me prapavijë politike kundër tij. Sepse në rastin e fundit mund të përgatis edhe ndonjë masë mbrojtëse, ndërsa ndaj një akti të pavetëdijshëm duhet të thërras në ndihmë psikanalizën.
Nuk e di se si do të sillesha unë vetë si prindi i mundshëm i një fëmije të tillë. Sigurisht që puna e parë që do të bëja do të ishte një shuplakë vetëvetes. Ndoshta edhe reagimi i shpejtuar i hetuesve për t’i vënë kapak sa më shpejt rastit mund të shpjegohet me empatinë që mund të kenë ndjerë ndaj një prindi të dëshpëruar. Mirëpo si shoqëri, një veprim i tillë duhet të na preokupojë seriozisht, për t’iu përgjigjur pyetjes: Ku po vemi?