Shkruan: Mustafë Krasniqi

Revolta e mbyllur, muret e përgjakura
Po, Tafo, e ndjeva që u largova pak nga biseda. Por, po vazhdoj aty ku e lash. Brenda në burg, përveç gardianëve, na provokonin edhe të burgosurit serbë, me mbështetje nga drejtuesit e burgut.
Ne e kuptuam që po përgatitej një masakër kundër nesh. Shumë nga ne punonim në punëtorinë e burgut, ku prodhonim mjete të ftohta: thika, sëpata, hanxharë. I fshihnim, për çdo rast.
E pritura ndodhi, më 14 janar 1974. Atë kohë isha në oborrin e burgut. Një shok vinte më vrap në drejtim timin, i mbushur frymë; më tha se disa shqiptarë ishin marrë peng nga të burgosurit serbë. Ne që ishim jashtë, rreth pesëmbëdhjetë shokë (Shefqeti, Zeneli, Asllani, Xhaviti, Bejtushi, Nuhiu, Hyseni, Tafili, Ahmeti…), pa humbur kohë u mobilizuam.
Thyem derën e depos, ku i kishin lënë mjetet për vetëmbrojtje: thika, shufra, kosa, eksploziv etj. Disa prej këtyre mjeteve i kishte siguruar Mark Rapaj. Edhe boshnjakët na u bashkuan në përgatitje.
Sapo morëm mjetet mbrojtëse, vendosëm t’u shkonim në ndihmë shokëve. Arritëm të hapnim një vrimë në mur dhe përmes saj kaluam në zonën tjetër. Aty i zëmë në befasi banda kriminale serbe. Disa prej tyre i liruam më vonë, të rrahur dhe të dërmuar; të tjerët i morëm peng, bashkë me komandantin dhe zëvendësin e burgut.
Luftë e vërtetë, Tafo. Askush nuk mendonte për veten. Të gjithë mendonim vetëm si të shpëtonim. E dinim se të gjallë nuk do të dilnim. Edhe ata që kishin frikë, morën guxim. U bëmë një. U krijua një grup që mori përgjegjësinë, vendimet e këtij grupi u përkrahshim nga të gjithë. Kujdesi më i madh ishte të mos i mbytshim serbët e zënë, me duar të lidhura, sepse nuk ishte në natyrën e shqiptarit. Serbët qanin, sidomos disa gardianë si fëmijë qanin.
Ne, u thoshim me krenari:
Pse po qani? Si ju edhe ne do të vdesim.
Njëri nga gardianët na tha:
Po ne nuk e kemi as krenarinë, as vullnetin tuaj. Ne jemi të ligj. Fundja, unë punoj për para. Ju lutem, më lini të flas me gruan dhe fëmijët!
Ata të përkulur na u drejtuan me lot në sy:
Ju lutem, mos më vritni! Kemi gra dhe fëmijë…
Unë ia ktheva:
Po, o serbi i zi, edhe ne kemi gra dhe fëmijë. A mos vallë neve s’na dhimben?
Pas një lutjeje të gjatë, të mbytur në lot, i lejuam të fliste me familjarët e tyre. Qanin me ngashërim, sa zëri i tyre i muret e burgut i çante. Në këtë betejë për jetë a vdekje morën pjesë edhe boshnjakë nga Sanxhaku, të cilët na u bashkuan, qëndronin me ne dhe i përkraheshin kërkesat tona.
Konfrontimi zgjati afro pesëdhjetë orë. Ishte përballje edhe me policinë, helikopterë ushtarakë që fluturonin mbi burgun e Nishit. Gjatë këtyre orëve, burgu ishte nën kontrollin e të burgosurve shqiptarë, që ishte shndërruar në një tmerr të përgjakur.
Kishim marrë rob shumë gardianë dhe të burgosur serbë, madje edhe drejtorin e burgut. Kjo na ndihmonte shumë, sepse po të mos i kishim në dorën tonë, situata do të ishte bërë shumë më e vështirë, ku edhe do të na qëllonin me breshëri plumbash.

Gjatë kësaj përleshjeje, dëgjova shokët duke pyetur:
Çka të bëjmë me robërit? T’i vrasim të gjithë?
Pasi dëgjova këto fjalë, reagova menjëherë:
Askush nuk do të ekzekutohet. T’i dërgojmë në katin e sipërm dhe aty të vendosim naftë, gaz dhe mjete shpërthyese, bashkë me një televizor. Në rast se do të sulmohemi, do t’i hedhim në erë të gjithë, dhe vetveten.
Ne ishim të gatshëm të vdisnim.
Policia, përmes altoparlantëve, na thërriste për bisedime. Synonin të na mashtronin që të dorëzonim robërit; komandantin, gardianët dhe kriminelët serbë. Por ne ishim të vendosur: së pari duhej të plotësoheshin kërkesat tona dhe madje t’i lironim, sepse nuk iu kishim besë.
Duke i parë përpjekjet e tyre ne u thamë:
Nëse qëlloni mbi ne, do t’i vëmë zjarrin burgut dhe do të digjeni bashkë me ne, qindra vetë, duke përfshirë policë e oficerë serbë.
Komandanti, që ishte peng te ne, dha urdhër përmes altoparlantit që askush të mos e sulmon burgun: shqiptarët janë të vendosur. Nëse sulmohet burgu, bashkë me burgun do të digjet gjithçka!