Shkruan: Mustafë Krasniqi

Revolta që përmbysi hekurat
Policia mendoi se do të na frikësonte dhe se do të dorëzoheshim. Por u gabuan. Me të parë vendosmërinë tonë, u tërhoqën, por jo pa na qëlluar.
Pas përpjekjeve të përsëritura, ata ndërhynë me cisterna uji, gaz lotsjellës, armë zjarri dhe plumba gome, ishte një përleshje e vërtetë.
Për t’u mbrojtur nga gazi, shpërthyem gypat e ujit që ia zbehnin efektin. Kundër plumbave përdornim muret si mburoja.
Kur baca nisi të rrëfente, u ndal pak, i rënduar nga pesha e kujtimeve. Ndize një duhan, e ngacmova, duke i thënë se unë vetë nuk mbaja dhe dhe nuk kam as për ty….
Ai me një buzëqeshje ma ktheu:
Besa, ka kohë që s’e kam ndezur cigaren o Tafë. Por koha po ikën, Nëse largohem, kush do ta rrëfejë këtë histori?
Ia ke për borxh vetes dhe brezave që vijnë pas, i thashë. Nëse ti nuk e thua këtë histori, kjo pjesë e historisë do të harrohet.
Dhe siç thotë Noli:
“…ku e lamë e ku na mbeti
Vaj vatani e mjerë mileti…”
Toka jonë ka pasur heronj të mëdhenj, dhe vargjet e Nolit mbeten po aq të freskëta edhe sot, Tafo.
Edhe në momentet më të vështira, shqiptari nuk trembej. Na u bashkuan të gjithë: madje edhe një edukator që kishte gruan malazeze, të cilin komandanti e kishte dërguar pë të na bindte për dorëzim, u afrua dhe na tha:
“Më rrëmbeni edhe mua! Dua të vdes me ju.”
Ai u kthye me ne.
Brenda mureve, qëllimi ynë ishte të mos lejonim asnjë të burgosur të dilte jashtë pa u plotësuar kërkesat tona. Për 50 orë, burgu u kthye në një fortesë: ne mbanim komandën, edhe pse ato muret ishin dëshmitarë të dhunës dhe torturat që kishim përjetuar më parë. Policia dhe ushtria jugosllave grumbullonin forca, deri sa një plumb policie vrau Bejtushin.
Edhe pse kishim thënë që askush të mos largohej, Bejtushi i zemëruar me gardianët dhe policën u hodh mbi ta, me një sopat në dorë. U plagos dhe vdiq rrugës për në spital. Policia gënjente, duke thënë se ai ishte ende gjallë në sallë, por ai ndërroi jetë në spitalin e Nishit.
Që në fëmijëri, Bejtushi kishte ushqyer urrejtje ndaj policisë serbe. Ai, në Mitrovicë kishte rrahur disa gardianë dhe u dënua me pesë vjet burg. Vdekja e tij dha mesazhin më të fortë: trimërinë shqiptare, besën dhe fuqinë e popullit që nuk thyhet.
Në momentet e fundit, ai na thërriste:
“Mbahuni! Mos u dorëzoni! Armiku është më i ligë se ne që duam lirinë!”
Fjalët e tij na rigjallëruan për hakmarrje. Kur policia pa se rebelimi po bëhet gjithnjë e më i egër, u tërhoq, duke na lënë në heshtje të çuditshme.
Më pas, kërkuan që të formonim një grup për bisedime. U caktua një grup prej nesh; isha unë, Xhaviti e disa shok tjerë. Shkuam në zyrën e drejtorit të burgut dhe kërkuam që kushëriri i Bejtushit të lejohej t’i bënte një vizitë në spital brenda 15 minutash, përndryshe do të ekzekutoheshin të gjithë të kapurit me komandantin e tyre.
Pas shumë përpjekjesh, luftë të përgjakshme, nga Kosova erdhën disa udhëheqës: Xhevdet Hamza, Azem Azemi dhe Ramadan Vraniqi për të qetësuar situatën. Njëri prej tyre na tha:
A po e shihni, djema, na prishët “Vëllaznim-Bashkimi?”
Muhamet Xhema ia ktheu:
Çfarë “vëllazërimi bashkimi” me serbët?
Baca ndërhyri sërish, i prekur:
Më fal që po kthehem te dhimbja, por kjo histori duhet rrëfyer, për hir të së vërtetës dhe për brezat që vijnë pas.
O Ilmi Muzaqi (baca), drama e burgut ka mbaruar, na erdhi liria, he burrë! – ia ktheva me shaka.
Ai buzëqeshi lehtë, me një ofshamë që i doli nga thellësia e shpirtit, dhe tha:
Ajo tragjedi e vitit 1977, në burgun e Pozharevcit, ishte një dramë e vërtetë- një përballje mes shqiptarëve dhe policisë serbe. Kjo histori është pjesë e kujtesës sonë kombëtare.
Pastaj shtoi me një zë që i dridhej nga emocioni:
Këtë liri që na e sollën djemtë e UÇK-së, sot disa politikanë po e përbuzin si të mos kishte vlerë. Turp u qoftë!
Nuk shkelet mbi amanetin dhe gjakun e tyre për pushtet.
Unë dhe baca (Ilmiu)morëm rrugën për në banesë ku jetonim, duke u përshendetur, për t’u takurar prapë. të nesrmën.
(Fundi i novelës: BURGU NË DUAR TË BURGOSURVE)