Seminar dyditor i mësuesve të diasporës: Përkushtim për gjuhën shqipe dhe brezat e ardhshëm

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Seminari dyditor i datave 6–7 dhjetor 2025n (shikuar nga këndvështrimi im), i organizuar nga Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), mblodhi mësuese dhe mësues nga mërgata shqiptare, pedagogë, studiues të gjuhës shqipe, autorë tekstesh shkollore, si dhe përfaqësues institucionalë nga Shqipëria dhe Kosova.

Gjatë seminarit u zhvilluan diskutime të vlefshme mbi rolin e mësuesit në nxitjen e interesit të fëmijëve për gjuhën shqipe, mbi metodat bashkëkohore didaktike të përshtatura për kushtet specifike të mësimit në diasporë, si dhe mbi përdorimin kreativ të teknologjisë, projekteve praktike dhe lojërave gjuhësore. U theksua veçanërisht rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet mësuesve, prindërve dhe institucioneve shqiptare.

Një mirënjohje e veçantë iu shpreh kolegëve të KKAD-së për punën dhe angazhimin e palodhur në përgatitjen e këtij seminari, i cili bashkoi mbi 100 mësuese e mësues (për çdo ditë seminari) nga pothuajse të gjitha vendet ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, veçanërisht nga Zvicra, Italia, Greqia, Gjermania, Anglia, dhe Austria. Ky koordinim dhe përkushtim janë dëshmi e vullnetit të përbashkët për ta mbajtur gjallë gjuhën e zemrës.

Ruajtja e trashëgimisë sonë gjuhësore dhe kulturore në diasporë mbetet një mision i përbashkët. Vetëm përmes bashkëpunimit, respektit dhe angazhimit të vazhdueshëm mund të arrihen rezultatet e synuara.

Prezantimet e ditës së parë

Në ditën e parë, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin prezantime nga kolegë dhe specialistë të fushës nga vende të ndryshme të botës ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Ndër temat e trajtuara ishin:

  • Mustafë Krasniqi – Rrugëtimi i gjuhës shqipe në diasporë dhe misioni i saj për brezat e ardhshëm
  • Ermira Ymeraj – Sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë dhe nevoja për metoda të reja didaktike
  • Miradije Berisha – Qëndrueshmëria e klasave përmes orëve të gjuhës shqipe dhe ndërmjetësimi kulturor në bashkëpunim me shkollat vendëse në Austri
  • Anila Kadija – Mësimdhënia në muze
  • Mira Shehu – Përvoja, praktikat më të mira dhe sfidat e shkollës shqipe në Halifaks, Kanada
  • Evisa Paloka – Njësitë e leximit në tekstet e diasporës dhe formati digjital i librit si mjet motivues në mësimdhënie
  • Leonora Rajta Vata – Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë:

nga entuziazmi i fillimit te qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimit.

Prezantimet e ditës së dytë

Edhe dita e dytë u karakterizua nga prezantime të shumta dhe diskutime frytdhënëse, ku u trajtuan çështje që lidhen me organizimin e mësimit, motivimin e nxënësve dhe ruajtjen e identitetit gjuhësor. Ndër to:

  • Vaxhid Sejdiu – Organizimi i pikës shkollore dhe roli i mësuesit
  • Entela Tabaku – Dallimet gramatikore mes gjuhëve si pikënisje didaktike në nxënien e shqipes
  • Arta Emiri – Ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm bashkëpunimi mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve
  • Albana Hasku – Risi në mësimdhënie: “Udhëtarë të vegjël në diasporë”
  • Negjmije Reçica – Mësuesi në diasporë: lidhja midis identitetit, integrimit dhe vizionit arsimor
  • Marsela Mana & Rovena Sinani – Motivimi si sfidë kryesore në klasat kolektive në kushtet e dygjuhësisë
  • Aurela Konduri – Ruajtja e interesit të fëmijëve dhe projekti si qasje didaktike
  • Eriketa Qorlazja, Djana Koçiaj & Arta Emiri – Modele të qëndrueshme bashkëpunimi mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve
  • Sadiona Abazaj – Trashëgimia gjuhësore shqipe në diasporë dhe roli i brezit të ri
  • Anita Duriçi – Klasa si hapësirë motivimi dhe rritjeje
  • Ariola Ferizi – Metoda didaktike efikase dhe përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie
  • Anila Berberi – Mësimdhënia e gjuhës së identitetit si frymëzim për të ardhmen
  • Pranvera Laçi – Forcimi i klasave ekzistuese dhe ruajtja e interesit të nxënësve
  • Dritero Gjukaj – Midis gjuhës së prejardhjes dhe gjuhës së shkollimit
  • Doli Sidorela – Përvoja në Pragë për mësimin e gjuhës shqipe
  • Anita Toçi – Pyetjet efektive dhe mendimi kritik në orën e mësimit
  • Liliana Picari – Mësimi i shqipes në Irlandë – shqipja praktike

Edhe pse i zhvilluar në formën online, seminari dëshmoi fuqishëm bashkëpunimin dhe bashkimin e mësuesve të diasporës rreth një qëllimi të përbashkët: përhapjen e dijes dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. U theksuan qartë sfidat, problematikat, por edhe sakrificat e shumta të mësuesve që punojnë larg atdheut.

Një mirënjohje e veçantë dhe e lartë u takon mësueseve dhe mësuesve, anëtarë të Këshillit Koordinues të Arsimtarëve të Diasporës, të cilët gjatë pesë viteve të fundit, me përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm, kanë dëshmuar se shumë gjëra mund të bëhen edhe ndryshe. Përmes punës së tyre vullnetare, vizionit bashkëkohor dhe bashkëpunimit të sinqertë, ata kanë provuar se ndryshimet janë të mundshme dhe se risi të qëndrueshme mund të sillen edhe në kushte sfiduese, gjithmonë në shërbim të gjuhës shqipe dhe brezave të rinj në diasporë.

Thirrja përmbyllëse e seminarit, e përcjellë nga mësueset e përkushtuara Anita Duriçi dhe Aurela Konduri, të cilat ishin edhe në rolin e prezantueseve, theksoi qartë nevojën që KKAD të ketë një kalendar vjetor veprimtarish. Ky kalendar do të shërbente për orientimin e mësuesve gjatë gjithë vitit dhe për forcimin e aktiviteteve të përbashkëta, duke i bashkuar ata si një forcë drejtuese në organizimin e mësimit plotësues në mërgatën shqiptare.

Nëse janë arritur plotësisht qëllimet mbetet vështirë të thuhet. Megjithatë, një gjë është e sigurt: në shumë shtete ku funksionon mësimi plotësues në gjuhën shqipe, organizimi po përmirësohet ndjeshëm. Ka mësues dhe shkolla që jo vetëm i kanë arritur objektivat e tyre, por janë shndërruar në shembuj të shkëlqyer të shërbimit ndaj gjuhës shqipe, shkollës shqipe dhe fëmijëve shqiptarë – ardhmërisë së kombit tonë në diasporë.

Unë jam njëri nga mësuesit që i gëzohem suksesit të secilit që punon dhe vepron në kushte vullnetare duke sakrifikuar kohën, duke vënë në shërbim gjithë përkushtimin dhe profesionalizmin në shërbim të punës së përditshme për një organizim sa më të mirë të mësimit plotësues në Mërgatë.