KKAD Përfundoi Seminarin dyditorë në bashkëpunim me mësuesit e diasporës

Sektori i Informimit të KKAD-së
Isuf Bytyçi

Seminari me temë Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë – nga entuziazmi i fillimit: qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimit arriti qëllimin e tij dhe gjeti përkrahjen e shumë mësuesve të diasporës shqiptare. Duke i falënderuar përfaqësuesit diplomatikë të të dya vendeve tona shqiptare, të cilët u bënë pjesë frymëzuese e këtij aktiviteti.
Seminari u hap me nxënësit e shkollave shqipe nga shumë shtete, të cilët u shfaqën me zërin e ëmbël dhe ritmin përmes recitalit “E duam gjuhën mëmë, atdheun e gjyshërve tanë”. Vlerë të veçantë seminarit i dhanë moderatoret, znj. Aurela Konduri dhe znj. Anita Duriçi. Ndërsa, fjala e kryetarit të KKAD-së ishte jo vetëm profesionale, por mbarti mesazhe të qarta të punës pesëvjeçare të këtij këshilli, duke theksuar: “Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë, që nga themelimi më 4 korrik 2020 e tutje, ka arritur të organizojë manifestime të rëndësishme, të shënojë data historike, të mbajë takime me mësimdhënës dhe, mbi të gjitha, ta realizojë Kuvendin e Mësuesve në Munih të Gjermanisë dhe të jetë bashkorganizues. Kontakte me institucione, shoqata, biznese në interes të shkollës shqipe dhe i angazhuar rreth librave unifikues, që kanë dalur tri nivelet për nxënësit e diasporës ku dhe kemi anëtarë pjesëmarrës si recensentë, duke përmendur edhe aktivitetin dyditorë “Shqipja në diasporë”, i organizuar nga QBD dhe KKAD. Arritja e fundit, në shërbim të gjuhës shqipe, është edhe krijimi i gazetës online e KKAD-së për promovimin e punës që bëhet në diasporë.” Më tej shtoi: “Ky seminar i organizuar nga KKAD, si qëllim ka nxitjen e bashkëpunimit sa më koordinues me institucionet e dy shteteve tona, Shqipëri e Kosovë e në veçanti me përfaqësuesit diplomatikë, që përmes këtij bashkëpunimi të krijojmë hallka zinxhirore në vetëdijësimin e prindërve, për t’i dërguar fëmijët në mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Po ashtu si qëllim tjetër është shkëmbimi i përvojave profesionale për ngritjen e fëmijëve, që vullnetshëm të shkojnë në shkollën shqipe.
Seminarin e përshëndetën përfaqësuesit konsullor nga Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nga Vjena, përfaqësuesit konsullor nga Gjermania etj. Përfaqësuesit institucionalë të ministrive të arsimit dhe MPJ të dy shteteve tona ishin të ftuar, por nuk ishin të pranishme. Ndërsa QBD-ja, përpos që ishte e pranishme dhe e dha një mesazh të fuqishëm për punën e saj dhe të KKAD-së. Në fund, u theksua rëndësia e ruajtjes së etikës së mësuesit, pasi kjo është shembull për mësuesit e Diasporës shqiptare.
Në këtë seminar, me punimet e tyre u paraqitën 26 ligjërues. Në ditën e parë më 6 dhjetor 2025, referuan: Mustafë Krasniqi (kryetar i KKAD-së), Ermira Ymeraj, Miradije Berisha (nënkryetare e KKAD-së), Rita Petro dhe Evisa Paloka, Anila Kadija (anëtare e KKAD-së), Mira shehu (sekretare e KKAD-së) dhe Leonora Rajta Vata. Ndërsa në ditën e dytë ligjëruan: dr. Vaxhid Sejdiu (ish Krayetar i KKAD-së), Entela Tabaku, Arta Emiri (anëtare e KKAD-së), Albaba Hasku, Negjmije Reçica, Marsela Mana dhe Rovena Sinani, Erika Qrlazaj, Aurela Konduri (nënkryetare e KKAD-së), Sadiona Abazi, Ariola Ferizi, Anila Berberi, Pranvera Laçi, Dajana Koçiaj, Dritero Gjukaj, Doli Sidorela, Anita Toçi, Liliana Picari dhe Anita Duriçi (zëdhënëse e KKAD-së).

Seminari e shpalli të mbyllur kryetari i KKAD-së z. Mustafë Krasniqi, i cili falënderoi përfaqësuesit diplomatikë dhe mësimdhënësit pjesëmarrës, veçanërisht ligjëruesit që kontribuan me punimet dhe ligjëratat e tyre, duke ndarë përvojat praktike adhe metodologjike.
Ndër të tjera, Krasniqi tha: Ky seminar dyditorë shpresoj se nuk do të jetë vetëm një fillim i përfunduar me ditën e sotme, por besoj se do të mbetet një rrugëtim i vazhdueshëm në të ardhmën, që ta mbajmë gjallë frymën e bashkëpunimit. KKAD do t’u shpërndajë certifikata të gjithë mësimdhënësve pjesëmarrës dhe mirënjohje për ligjëruesit.
Në përmbyllje, Krasniqi u bëri thirrje të gjithë bashkëkombësve që të bashkohen në këtë rrugëtim të shenjtë për ruajtjen e gjuhës kombëtare te fëmijët e Mërgatës shqiptare, dhe duke u bëri thirrje shoqatave, bizneseve, prindërve, përfaqësive konsullore dhe dy qeverive tona të dy vendeve tona të bashkuar për këtë qëllim.