Tufë Poezish nga Mali Mrasorit

Në letërsinë shqiptare, përveç zhanreve tjera, poezia zë një vend të rëndësishëm. Përmes saj, bota e brendshme, ndjenjat më të thella dhe bota e brendshme dhe frymëzimi hyjnor shprehen në vargje që shpalosin mendime, krijojnë energji dhe e futin lexuesi në botën e artit, falë fuqisë së vargut.
Me këtë forcë artistike, poeti dhe artist i lirë Mali Mrasori, që jeton dhe krijon në Gjermani, na sjell një tufë poezi të veçanta. Prej më shumë se tri dekadash, ai shpreh botën e tij përmes fjalës dhe ngjyrës, duke ndërtuar ura mes kujtesës dhe ndjenjës. Poezia e tij lëviz mes mallit të mërgimit, dashurisë, atdheut dhe reflektimit shpirtëror, ndërsa arti i tij pamor mbart heshtjen dhe dritën e përvojës së gjatë krijuese.
Psalm i Mërgimit
(Lutje funerale)
O Zot i udhëve të padukshme,
prano fjalët e mia të fundit
si flutura shtegtare,
mos i mbaj në qiell,
lëri të zbresin në zemrat e njerëzve.
Nëse ndonjëri prej tyre
prek një shpirt të huaj,
mos kërkoni shpërblim.
Dheu nuk shitet,
as nëna nuk paguan për birin.
Kthejani trupin nënës sime,
siç kthehet uji te burimi,
siç kthehet mërgimtari te emri i vet.
Ajo do ta kryejë ritin
me duar që dridhen nga lutja,
jo me ar që rëndon,
por me lot që bekon.
Ajo më pret gjatë,
në pragun ku koha ndalet,
ku fjala bëhet psalm
dhe heshtja, varr i shenjtë.
E kur shpirti im të mbetet pa trup,
mos e lidhni me gurë e kryqe,
lëreni të endet
në çdo zemër që më kujton.
Sepse mërgimi nuk mbaron me vdekjen,
ai vetëm ndërron emër.
Edhe emnat meten kujtim
Ajo mbrâmë ngatrroi ilaçet,
piu kupën e pikëllimit
natën e lumnisë.
Katër stinë u mblodhën n’kyt nât,
e veç pak diell kishte mbetë.
Veshëm mantilin e hollë t’rinisë
e fluturoshim dora-dorës,
nji re turpi e pakujdesie
na rrinte përmi.
Lulet e rinisë i krehshim me kujdes,
i banim buqetë,
i lidhëm fort me nji fije kujtimi
që mos m’i merrte era e moteve t’liga.
Lulet e rinisë i kosit koha e harrimi.
Ajo kishte lëshu shtat
e mlu krenarin kishte,
sa as autori
mos ta njihte vargun e vet.
Goja u ba helm,
syt e randë sa deti,
e dikur, mas mesnate,
blushim aromë çokollate
për me âmbëlsu moshën.
T’joshun prej shoqnimit,
ândrrat e âmbla t’dimnit
po i përmbushin detyrat tona
me thinjat e kresë,
tue rrit çmimin e l’kurs tonë.
Kujtoshim çdo gja,
por patëm harru emnat.
Edhe emnat meten kujtim.
Ju lutem mos vdisni!
Sa mirë është për mua,
kur zemra ime
është begatia e thjeshtë,
e padëmshme,
e qenies njerëzore.
Jam ai
që vë një lakër në tryezë.
Dhe kujtoj ditët e mira:
mëngjesin e bukur kur e mbolla,
mbrëmjet e ëmbla kur e ujita,
dhe më kujtohet koha
kur ajo rritej,
në rritje ishin edhe miqtë.
Të gjithëve na bashkoi lakra,
e ardhur sërish në tryezë.
Toka nuk mashtrohet:
ajo që mbillet mirë
nuk shkon firi.
Ajo që ndërtohet me plan
nuk shkatërrohet.
Ajo që ruhet me besnikëri
nuk humbet kurrë.
Ai që ua lë kujtimet e tij fëmijëve
nuk vdes kurrë.
Ju lutem,
mos vdisni krejt…
Mbretëresha e burrave!
Ju përkulni burrin,
n´terror nga dashnia,
gjunjët e një gruaje,
i keputë padrejtësia.
Çelikun ç’vesh mendja,
kur zemrat na zbuten;
sytë kah zemra kthehen,
kur hijet s’na tuten.
Ujënat prej humnerës
po njiten kah qielli;
shkëlqimin e tyne
nuk e zbeh as dielli.
Bâni si n’andërrë,
plakun ma t’ri;
andrrën e bâni jetë,
jetën dashuni.
Përkulje
Kurrë nuk heshtin tingujt e lavdisë,
as rënkimet,
kur malet tona
janë logu i vajtimit.
Unë kisha lidhë aleancë me ty,
me fjalë që s’u shkruen kurrë.
Krenari pa masë,
numra pa masë,
asnjë emën s’e lashë bosh.
Ti re,
që mali të mos përkulet ma.
Ti re,
që guri të mos flasë me gjak.
Sot përkulem për ty,
jo me armë,
por me heshtje.
Përkulem edhe për zogun në majë të lisit,
që s’ka faj në histori,
e pse ta ngasim,
edhe ai ka të drejtë me qenë i lumtur.
Ai, sot këndon i lirë,
falë trimave ma t´mirë.
Prandaj malet le të qajnë,
por zogjtë le të fluturojnë.
Kjo asht fitorja jote.
Fluturo me krahë të huj
Valë të randa, gjumë i thellë,
para shpresave që ke mbjellë;
thellë nën hijen e mendimeve
preka plagën e kujtimeve.
Në mëngjes kur lind dielli,
sytë pa kap detin prej qielli;
perëndim me dhimbje t’gjata,
dhimbja rritet n’zemra t’ngrata.
Zogjtë shtegtar, n’vit, një muj,
fluturojnë me krahë të huj;
luajnë mbi valë t’detit t’gjanë,
pa harrue brigjet ku janë.
Aromë lulesh n’brigje ndjen,
n’sy e n’zemër krenar jem
ti për vend që dashni mbjellë,
e shpërndan mbi det të thellë.
Përmbi det e hedh nji shpresë,
n’vatrën tande do ta gjesh;
mrekullitë që vijnë prej malit,
n’burim t’kronit lulet dalin.
Njëmijë vjet andrrat mbeten,
nga trishtimi s’e njeh veten;
n’çdo kufi të Arbërisë,
nji Shqipni me arbër t’ri.
T’gjithë arbnorët t´njëjt mbeten,
n’dhe të huaj e tretën veten;
përjetësisht krenar ju gjeta,
n’valë e n’det ju shkon jeta.