Nga prof. dr. Agim Vinca
(Fjalë e mbajtur në manifestimin “Kurora e Lirisë” më 14 mars 2026, në Bernë)

Të dashur bashkatdhetarë,
I dashur Lul, Lulzim Adem Jashari,
Të nderuar ministra, deputetë, ambasadorë e të tjerë,
Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj!
(Fjala që do të paraqes është një version i shkurtuar i fjalës së shkruar para zhvillimeve të fundit në skenën politike të Kosovës)
Njëzet e tetë vjet më parë, në fshatin Prekaz i Poshtëm të Drenicës, ndodhi një bëmë madhështore: një familje luftoi me një shtet dhe një ushtri. Në historinë e njerëzimit rrallë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për lirinë e vendit. Sakrifica e Familjes Jashari është pothuajse rast unik në botë.
Edhe dy herë të tjera më parë qe rrethuar kulla e Jasharëve. Pas rrethimit të dytë (janar ‘98), pushteti serb, nëpërmjet emisarëve të tij, u kishte ofruar Ademit dhe Hamzës garanci për t’u larguar nga Kosova, por ata, natyrisht, nuk kishin pranuar, sepse nuk ishin të sojit të atyre që braktisnin rrugën në të cilën ishin nisur, e aq më pak tokën që i kishte lindur dhe i kishte rritur.
Nuk e kishin veshur uniformën e UÇK-së që ta zhvishnin dhe nuk i kishin ngjeshur armët që t’i dorëzonin. Njerëz të fjalës e besës, Jasharajt, i madh e i vogël, ishin të vendosur të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut.
Lufta ishte e pabarabartë, por kjo e bënte edhe më madhështore. Në ato tri ditë qëndrese u ngjesh drama tragjike e Kosovës, që i tregoi botës se këtu jetonte një popull që ishte i gatshëm të sakrifikohej për lirinë e vet.
Homeri, te “Iliada” e tij, thotë se për të kënduar lavdinë e atyre që luftuan në Trojë nuk mjaftojnë „dhjetë gjuhë e dhjetë gojë“.
Shëmbëllyeshëm Homerit, ne do të mund të thoshim se për të kënduar atë që ndodhi në Prekaz, nuk mjaftojnë jo dhjetë, por as njëqind gojë e njëqind gjuhë…
Dhe drama e 5, 6 e 7 marsit nuk ndodhte në kohën e Homerit, kur luftohej me shpatë e shqyt, as në mesjetë, por në fund të shekullit XX.
Dalja e UÇK-së në skenë paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës dhe në historinë shqiptare në përgjithësi. Do thënë, ndërkaq, se UÇK-ja nuk lindi gand. Ajo ishte vazhduese e traditës luftarake të popullit shqiptar në shekuj dhe e shpirtit të tij liridashës.
Ç’rol luajti UÇK-ja në kohën kur u shfaq, në gjysmën e dytë të viteve ’90?
Para së gjithash ajo e mbyti frikën dhe e theu mitin mbi pathyeshmërinë e armikut; e riktheu krenarinë e nëpërkëmbur dhe e ndërkombëtarizoi në kuptimin e plotë të fjalës çështjen e Kosovës, duke e bërë atë objekt të qendrave botërore të vendosjes.
Pa UÇK-në NATO-ja nuk do të vinte kurrë në Kosovë dhe pa NATO-n nuk do të çlirohej Kosova më 12 qershor 1999. Kjo është aksiomë.[1]
Dhe ja edhe një aksiomë: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e pastër si loti. Asnjë gjykatë speciale a jospeciale nuk mund t’ia bëjë gjyqin asaj! Ajo ishte luftë e drejtë, mbrojtëse e me karaker çlirimtar kundër një agresori barbar, që synonte të bënte pastrimin etnik të Kosovës dhe gjenocid mbi popullin shqiptar.
Të nderuar të pranishëm,
E djeshmja pa të sotmen nuk ka kuptim, ndërsa të dyja bashkë duhet t’i falen të ardhmes.
Më 17 shkurt Republika e Kosovës i mbushi 18 vjet, që do të thotë se hyri në moshën e pjekurisë. Republika e Kosovës hyri në “moshën e pjekurisë”, por klasa politike e Kosovës nuk po tregon pjekurinë e duhur. Megjithëse kishte kohë dhe mundësi për gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit, kjo nuk ndodhi. Nuk u shfrytëzua shansi për kompletimin e institucioneve shtetërore, në mënyrë që Kosova ta vazhdonte rrugëtimin e saj drejt sovranitetit të plotë dhe prosperitetit të shumëpritur.
Dhe e gjithë kjo po ndodh në një situatë dramatike. Kanë ndodhur edhe në vende të tjera kriza të këtilla institucionale, por Kosova nuk e ka luksin e të shkuarit në tri palë zgjedhje brenda një viti.
Pa dashur ta politizoj fjalën time, aq më shumë në një tubim si ky, nuk mund të mos them se partitë politike të Kosovës, pozitë dhe opozitë, dështuan të gjenin një kandidat koncensual për president, ndërsa presidentja aktuale, pretendente edhe për një mandat, u ngut ta shpallte dekretin për shpërndarjen e parlamentit.
Do të ishte ideale sikur në vend se në zgjedhje parlamentare të shkohej në zgjedhje presidenciale, por kjo është ligjërisht e pamundur.
Të gjitha këto, besoj, duhet të jenë moment reflektimi për faktorin politik shqiptar në Prishtinë (dhe jo vetëm). Ata që ranë, nderohen duke punuar për popullin e jo duke luftuar për pushtet!
Në vend se t’ju sjellim lajme të mira nga vendlindja, ne detyrohemi të flasim për bllokimin e shtetit… Zgjedhjet e jashtëzakonshme po na bëhen të zakonshme, kurse qeveritë në detyrë natyrë e dytë! Nuk tha më kot gjeniu Andre Zhid: “Më vështirë se të çlirohesh është të dish të jesh i lirë”.[2]
Të dashur bashkatdhetarë,
Vëllezër e motra!
Jetojmë në kohën e globalizmit, kur lëvizja e popullsisë është bërë trend botëror, por në “Shqipëritë” tona ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha. Unë e di se cilësia e jetës në vendet ku jetoni ju është shumë më e lartë se në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni, por si një idealist i pandreqshëm, ndoshta edhe iluzionist, gjithmonë kam qenë kundër mendësisë: “Ubi bene, ibi patria”. (Ku është mirë, aty është atdheu). Mitrush Kuteli, autori i Poemit kosovar (1944), në testamentin e tij thoshte: “Atdheu është atdhe edhe atëherë kur të vret!”.
Zvicra, tek jetoni e punoni, ofron mundësi të shumta dhe ju tashmë në këtë vend nuk jeni refugjatë të thjeshtë, por njerëz me kontribute në politikë, biznes, arsim e shkencë. Ju e keni dëshmuar përkushtimin tuaj ndaj atdheut, dje dhe sot, ashtu siç i dëshmoni për çdo ditë lidhjet me vendlindjen dhe vlerat e saj… Por, nuk është lehtë të jesh mërgimtar dhe të mbetesh shqiptar, në një kohë kur identiteti kombëtar rrezikohet në çdo hap, brenda dhe jashtë.
Do të mund të flisnim gjatë për këtë temë dhe çështje të tjera të ngjashme, por, për të mos e prishur atmosferën, më lejoni ta mbylli fjalën time me një poezi kushtuar Prekazit; e kam shkruar me rastin e vizitës sime të parë, pas luftës, aty ku flasin të vdekurit dhe heshtin të gjallët.[3]
HOMAZH PËR PREKAZIN
Prekazi s’ka godina të mëdha
as pirgje e kambana madhështore.
Prekazi ka kullën e vjetër të goditur nga predhat
dhe kullën e re tek përkunden djepat.
Pa harruar, sigurisht, as varret.
Ah, varret!
Prekazi s’është Trojë, as Çanakala a Termopile.
Prekazi është një fshat i thjeshtë, që lind e vdes shqip
dhe luftën e bën luftë – pa hile!
Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës! Lavdi dëshmorëve të kombit!
Ju falemnderit!
Bernë, 14 mars 2026
Kosova do të çlirohej një ditë patjetër nga pushtuesi shekullor, sepse asnjë ushtim nuk ka zgjatur pafundësisht, por me një luftë shumë më të gjatë dhe me sakrifica edhe më të mëdha.
Savoir se libérer n‘est rien; l‘ardu, c‘est savoir être libre.
- Parafrazim i vargjeve të mikut tim poet, Ilijaz Bobaj.