MONOGRAFIA “SHKOLLA SHQIPE NË REPUBLIKËN E BAVARISË – NDËRGJEGJE E ATDHEUT” – NJË DOKUMENT VLERËSIMI, SE MËRGATA SHQIPTARE ËSHTË AMBASADORE E KOMBIT

Nga Isuf Bytyçi

Monografia e autorit, mësuesit, publicistit, veprimtarit, poetit, shkrimtarit dhe humanistit Mustafë Krasniqi, “Shkolla shqipe në Republikën e Bavarisë – ndërgjegje e atdheut”, është një vepër që nxjerr në pah punën dhe vlerat e tij, të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, të cilët janë të përkushtuar ndaj misionit të ruajtjes së gjuhës amtare dhe hapjes së shkollave shqipe në Bavari të Gjermanisë. Vetëm në këtë mënyrë mund ta ruajmë gjuhën shqipe te fëmijët tanë në mërgatë.

Që nga parathënia e deri në kapitullin e fundit, autori përfshin historinë dhe përpjekjet e mërgatës shqiptare në raport me ruajtjen e gjuhës në diasporë, duke dokumentuar me përkushtimin mbrojtjen e vlerave kombëtare përtej kufijve të atdheut, dhe mbrojtjen e brezave të ardhshëm nga harrimi i gjuhës amtare. Nga ana tjetër, ai paraqet realisht sfidat, pengesat dhe bashkëpunimin me bashkatdhetarët, arsimtarët, prindërit, shoqatat dhe bizneset, për t1 arritur qëllimin e kultivimit të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare e, mbi të gjitha, të identitetit kombëtar kudo që jetojmë.

Duke shfletuar faqet e kësaj monografie, që pjesë e saj jam edhe unë, kur pashë se sa me kujdes e përkushtim janë paraqitur faktet, përshkrimi, dokumentet dhe intervistat. Autori është përpjekur të mos e lërë jashtë askënd që ka dhënë sadopak kontribut për shkollën shqipe në Bavari.

Që në fillim, ai paraqet sfidat me të cilat është përballur LAPSH-i në Bavari dhe që e kanë shoqëruar atë gjatë viteve 2017 e tutje, duke përshkruar edhe aktivitetet që i paraprinë themelimit të kësaj shoqate. Ajo që vlen të theksohet është se, përveç vullnetit, autori kishte edhe guximin dhe, mbi të gjitha, parimin e punës. Shumë nisma të tilla janë ndërmarrë edhe më parë dhe janë shuar ende pa filluar mirë. Edhe unë në fillim isha skeptik dhe i qeshë shprehur autorit: “Me keqardhje të them se është problem dhe vështirë se do të kesh sukses në këtë përpjekje! Nisma të tilla ka pasur edhe më herët, por kanë dështuar.” Ky qëndrim imi nuk ishte i rastësishëm, por ishte përvoja ime e hidhur, ku sapo mblidheshim dhjetë persona për një nismë të tillë, gjashtë dilnin kundër dhe ishin plëngprishës të saj! Kjo marrëzi na shoqëron ende. Ai, me një buzëqeshje dashamirëse, më tha: “Unë nuk marr përsipër nisma që dështojnë. Jam i vendosur që ato nisma që ndërmarr si mision, kurrë nuk i lë të dështojnë. Le të ecim pa frikë, me vullnet të mirë, për ta realizuar misionin tonë”. Dhe kështu ndodhi.

Me gjithë organizimin që bëmë, patëm dhe ende kemi njerëz destruktivë, që tërë kohën bëjnë intriga, vetëm e vetëm që ta dëmtojnë suksesin e zhvillimit të mësimit plotësues në Bavari.

Ai kishte të drejtë. Ishte njeri i veprës, i angazhimit, i ilegales, pjesëtar i UÇK-së, humanist dhe pjesëmarrës në pajtimin e gjaqeve, organizator i demonstratave dhe manifestimeve, drejtues shoqatash dhe orësh letrare. Në krijimtarinë e tij gjithmonë flet për atdheun, lirinë, heroin, dashurinë dhe, mbi të gjitha, për mërgatën shqiptare. Përmes vargjeve të tij, dëgjohet një thirrje: “Ruajeni gjuhën, t’i kthehemi atdheut!” Një thirrje kjo, që shpesh përshkruan dhimbjen e mërgimtarit.

Pavarësisht pengesave, arritëm ta realizojmë qëllimin, duke përfshirë edhe institucionet e të dyja shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës. Më 23 prill 2017, falë këmbënguljes dhe guximit të Mustafë Krasniqit, së bashku me ish-konsullin e shtetit të Kosovës, shkëlqesinë e tij, dr. Hamdi Reçicën, Fran Tanushin (tanimë i ndjerë), unë (Isuf Bytyçi), Donika Zonjën, Agron Ibrahimin dhe bashkëpunëtorë tjerë (anëtarë të këshillit nismëtar), u mbajt Kuvendi i Parë i LAPSH-it. Sot, shoqata e shkollës shqipe vepron me sukses dhe numri i nxënësve e i shkollave shqipe në Bavari po rritet dita-ditës.

Autori shpalos vlerat kombëtare dhe sqaron rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare. Me maturi i ka përfshirë edhe institucionet përkatëse të të dyja vendeve, veçanërisht konsullatat, si pjesë të këtij angazhimi të rëndësishëm.

Që në parathënie e deri në fund të monografisë, ai përshkruan historikun e Bavarisë, flet për degën e albanologjisë në universitetin “Ludwig Maximilian” të Munihut, për hapjen e klasave të para, themelimin e LAPSH-it në Bavari, mbajtjen e takimeve, seminareve, manifestimeve dhe konkursit të diturisë, si dhe ekskursioneve me nxënës dhe takimet me shoqatat e mësuesve në diasporë. Në këtë monografi përfshihen edhe intervista të rëndësishme me personalitete në shërbim të LAPSH-it. Vlen të përmendet se, me vendim të ministres së Arsimit të Republikës së Shqipërisë, znj. Ogerta Manastirliu, autori është zgjedhur kryetar i KKAD-së dhe më vonë është nderuar me mirënjohje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Kjo monografi, që flet për shkollën shqipe në Bavari, në mënyrë kronologjike dokumenton lindjen dhe rritjen e saj, kontributin e kryesisë, mësuesve, atdhetarëve dhe të disa shoqatave e bizneseve, konkretisht fondacionit “Besa”, i cili ishte një nga sponsorët kryesorë, përkrah “Morgen V.E”. Autori paraqet sfidat dhe në mënyrë profesionale shkruan për programet, iniciativat, metodologjinë dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së gjuhës dhe të identitetit kombëtar shqiptar në diasporë.

Përmes kësaj monografie u jep vlerë të gjithë atyre që kanë kontribuar vullnetarisht për shkollën shqipe dhe e lë si një dokument vlerësimi, se mërgata shqiptare, kudo që është, është ambasadore e kombit.

Në fund të këtij shkrimi, falënderoj autorin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, si dhe të gjithë miqtë tanë bashkëveprimtarë, që kanë qenë dhe mbeten të përkushtuar për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, kudo në diasporë.