Qendra e Botimeve për Diasporën

Në Rosenheim të Gjermanisë u zhvillua dje promovimi i monografisë së autorit Mustafë Krasniqi me titull “Shkolla Shqipe në Republikën e Bavarisë – ndërgjegje e atdheut”, organizuar nga Shoqata BKSA “Shqiponja”. Aktiviteti mblodhi bashkë përfaqësues institucionesh, diplomatë, mësues, aktivistë të diasporës shqiptare, ish-nxënës dhe dashamirë të librit, në një takim kushtuar rolit të shkollës shqipe në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Veprimtaria u çel me fjalën përshëndetëse të znj. Blerta Goci Morina, në emër të Shoqatës “Shqiponja”. Të pranishmit u përshëndetën gjithashtu nga znj. Gentjana Mburimi, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih, z. Hamdi Recica, ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni, z. Dashnor Ibra, ish-konsull i Shqipërisë në Mynih, zëvendës kryetarja e KKAD Miradije Berisha, Vaxhit Sejdiu, Isuf Bytyçi, Isuf Ismaili, Valbona Roqi dhe Milazim Ukaj, si dhe nëpërmjet video mesazheve përshëndetën dhe anëtarë të tjerë të KKAD

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe sfidat që shoqërojnë çdo përpjekje për ndërtimin e projekteve të përbashkëta në diasporë. Duke iu referuar historisë së gjuhës shqipe dhe sakrificave të bëra ndër vite për mbrojtjen e saj, ajo solli në vëmendje edhe thënien e Petro Nini Luarasit: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi për gjuhën shqipe”.

Në përmbledhje të mesazhit të saj, znj. Hysa theksoi se rrugëtimi i një njeriu të përkushtuar ndaj atdheut matet me veprat që lë pas dhe jo me fjalët. Ajo nënvizoi se çdo projekt i rëndësishëm duhet vlerësuar për bashkimin dhe përparimin që sjell, e jo për përplasjet dhe kundërshtitë që shpesh na shtyjnë të prishim më shumë sesa të ndërtojmë. Në këtë frymë, ajo vlerësoi kontributin e autorit Mustafë Krasniqi, i cili si drejtues i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë ka dëshmuar urtësi, përkushtim dhe aftësi bashkëpunimi, duke ditur të shpërfillë përplasjet dhe të mbetet i fokusuar te puna për gjuhën shqipe dhe komunitetin shqiptar në diasporë.
Aktivitetin e përshëndetën gjithashtu mësues, miq të autorit dhe nxënës, të cilët recituan poezi të Mustafë Krasniqit, duke i dhënë veprimtarisë një frymë të veçantë emocionale dhe artistike. Më pas, në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, të pranishmit bashkëbiseduan me autorin mbi historinë e shkollës shqipe në Bavari, sfidat e ruajtjes së gjuhës në diasporë dhe rëndësinë e vazhdimit të këtij misioni për brezat e rinj. Aktiviteti përcolli mesazhin e përkushtimit ndaj gjuhës shqipe dhe nevojës që ajo të mbetet gjithmonë një vlerë që bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë