TAKIM MË RASTIN E PROMOVIMIT TË LIBRIT TË MUSTAFË KRASNIQIT

Nga Isuf Bytyçi, Munih

Më 09 Maj 2026, prej orës 16:00 u bë promovimi i librit të z. Mustafë Krasniqi, Monografia “SHKOLLA SHQIPE NË REPUBLIKËN E BAVARISË – NDËRGJEGJE E ATDHEUT”, në Rosenheim të Gjermanisë, të cilin e organizoi Shoqata “SHQIPONJA”
Një dokument vlerësimi se mërgata shqiptare është ambasadore e kombit

Mysafirë kishte nga të katër anët: Shqipëri, Austri, Slloveni, Zvicër dhe, natyrisht se nga shteti gjerman ishin shumica; nga Konsullata e Shqipërisë, nga KKAD, nga LAPSH-i i Bavarisë e tj. Nga konsullata e Republikës së Kosovës në Munih, nuk ishte askush! Kurse dëshirë të madhe kishte, që të marrë pjesë edhe redaktorja gjuhësore e këtij libri nga Tirana znj. Sevi Agolli, por, për shkak se ishte  më parë e ftuar në SHBA, nuk arriti të vijë, por nuk e la pa e përshëndetur takimin për librin dhe z. Mustafë Krasniqi.

Në fjalën përshëndetëse morën pjesë; shkëlqesia e saj znj Gentiana Mburimi nga konsullata e Shqipërisë, znj. Kokona, ish-konsulli dr. dr. Dashnor Ibraj, ish-konsulli i Republikës së Kosovës e tani ambasador në Slloveni dr. Hamdi Reçica, përfaqësuesja e KKAD-së znj. Miradije Berisha nga Austria, kryetari i LAPSH-it për Bavari z. Milazim Ukaj etj.

Kurse, paneli që folën për autorin dhe librin ishte i përbërë: nga QBD znj. Mimoza Hysa, nga KKD; prof. Dr. Vaxhid Sejdiu dhe nga KKAD prof. Isuf Bytyçi, kurse prof. Isuf Ismaili nga LAPSH-i i Zvicrës.

Këngëtari i njohur shqiptar nga Munihu pranoi falënderim të veçantë, për këngët e bukura që i këndoi. Por, derisa ne ishim falënderues për organizatorët e takimit, z. Mustafë Krasniqi i falënderoi të gjithë organizatorët edhe pjesmarrësit e takimit.

Pra, ishte kënaqësi të jemi pjesë e një takim kaq të rëndësishëm me gjithë këta diplomatë, intelektualë e veprimtarë të çështjes kombëtare.

Pra, ky është teksti të cilin e kam përgatitur dhe lexuar në këtë takim, si koleg, bashkëpunëtor e bashkëredaktor gjuhësor, në këtë libër kaq të rëndësishëm:

Përshëndetje të pranishëm,  
përfaqësues konsullor të shtetit amë të Shqipërisë, përfaqësues të shoqatës “Shqiponja”, përfaqësues të klubit letrar “Martin Camaj”, përfaqësues të LAPSH-it Bavari, prindër e mësues të respektuar, i nderuar autor i librit, z. Mustafë Krasniqi!

Është kënaqësi që sonte jam i pranishëm në promovimin e një libri kaq të rëndësishëm, por edhe privilegj, aty ku autori është pjesë e një historie dhe shkruan me ndjenja, qoftë si publicist, aktivist apo autor i librit. Kur pash në sallë njerëz të kulturës, arsimit, diplomacisë, politikës e të fushave të ndryshme jetësore, që kanë ardhur për ta nderuar profesorin dhe veprën e tij, u impresionova me organizimin e shoqatës “SHQIPONJA”.

Është një moment i veçantë, kur flasim për një organizim të tillë, siç është rasti i librit të autorit, Mustafë Krasniqi. Puna e tij me përvojë të gjatë si publicist e veprimtar i çështjes kombëtare, i cili me një modesti, qoftë si publicist apo krijues librash, e ka përfitua lexuesin.

Botimi i këtij libri i dalur në muajin e kaluar, paraqet historinë dhe rolin e mësimit plotësues në diasporë e, kryesisht në Bavari të Gjermanisë.
Ky, nuk është thjesht një libër, por është një vepër, e cila paraqet veprimtarinë e autorit në raport me ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe të identitetit kombëtar te gjeneratat e fëmijëve shqiptarë në diasporë. Prandaj, e vlerësojmë kontributin e tij si themelues i LAPSH-it në Bavari. Pa harruar aktivitetin e tij si bashkëthemelues i KKAD-së me dr. Vaxhid Sejdiun e, tani edhe kryetar, që është.

Monografia e Mustafë Krasniqi, “Shkolla shqipe në Republikën e Bavarisë – ndërgjegje e atdheut”, është një vepër që nxjerr në pah veprën dhe vlerat e tij, të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, që kanë mision ruajtjen e gjuhës amtare dhe hapjen e klasave me mësim plotësues të gjuhës shqipe në Bavari, që ky është mesazhi i autorit.

Që nga parathënia e deri në kapitullin e fundit, autori përfshin historinë dhe përpjekjet e mërgatës shqiptare, në raport me ruajtjen e gjuhës, duke dokumentuar me përkushtim mbrojtjen e vlerave kombëtare përtej kufijve të atdheut dhe mbrojtjen e brezave të ardhshëm, nga harrimi i gjuhës. Ai paraqet realisht pengesat, dhe bashkëpunimin me bashkatdhetarë, arsimtarë, prindër, shoqata dhe biznese, për ta arritur qëllimin e kultivimit të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Duke shfletuar faqet e këtij libri, që pjesë e tij jam edhe unë, pashë se sa me kujdes e përkushtim janë paraqitur faktet, përshkrimi, dokumentet dhe intervistat! Autori është përpjekur të mos e lërë jashtë askë, që ka dhënë sadopak kontribut, në shërbim të mësimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe të fëmijëve shqiptarë në Bavari.

Që në fillim, ai paraqet sfidat me të cilat është përballur LAPSH-i në Bavari dhe, që e kanë shoqëruar gjatë viteve 2017 e deri më sot, duke përshkruar edhe aktivitete tjera, që i paraprijnë themelimit të LAPSH-it. Ajo që vlen të përmendet është se, përveç vullnetit, autori kishte edhe guximin! Shumë nisma të tilla janë ndërmarrë edhe më parë, por janë shuar ende pa filluar mirë. Edhe unë në fillim isha skeptik dhe i pata thënë autorit:

“Me keqardhje të them se është problem dhe vështirë se do të kesh sukses! Nisma të tilla ka pasur edhe më parë në Bavari, por kanë dështuar.”

Dhe Mustafa, me modesti ma ktheu: “Unë nuk marr përsipër nisma që dështojnë! Jam i vendosur që ato nisma, të cilat i marr si mision, kurrë nuk dështojnë, pamarrëparasysh pengesat që dalin. Le të ecim përpara, me vullnet të mirë, për ta realizuar misionin tonë”.
Dhe kështu ndodhi! Ia arriti qëllimit, Mustafa, bashkë me ne.

Ai kishte të drejtë. Ishte njeri i veprës, i angazhimit, i ilegales, ish-pjestar i UÇK-së, humanist dhe pjesmarrës në pajtimin e gjaqeve, organizator i demonstratave dhe manifestimeve, drejtues shoqatash dhe orësh letrare! Në krijimtarinë e tij gjithmonë flet për atdheun, lirinë, heroin, dashurinë dhe, mbi të gjitha, për mërgatën shqiptare.

Autori Mustafë Krasniqi, në këtë libër shpalos vlerat kombëtare dhe sqaron rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare në diasporë. Me maturi i ka përfshirë edhe institucionet përkatëse të të dyja vendeve, veçanërisht konsullatat e dy shteteve tona në Munih; Shqipëri e Kosovë, si pjesë të këtij angazhimi të rëndësishëm.

Që në parathënie e deri në fund të monografisë, përshkruan historikun e Bavarisë, flet për degën e albanologjisë në universitetin “Ludwig Maxmilian” të Munihut, për hapjen e klasave të para për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, për themelimin e LAPSH-it në Bavari, mbajtjen e takimeve, seminareve, manifestimeve dhe konkursit të diturisë, si dhe ekskursioneve me nxënës e takimet me shoqatat e mësuesve në diasporë.

Ky promovim i librit Shkolla shqipe në Republikën e Bavarisë – Ndërgjegje e atdheut”, që kemi nderin ta kemi në dorë për lexim, është një vlerë e shtuar e histografisë shqiptare, që përmes vlerave kombëtare na paraqet tërë historinë e periudhës së zhvillimit të veprimtarisë, në shërbim të atdheut.

Vlen të përmendet se me vendim të ministres së Arsimit të Republikës së Shqipërisë, znj. Ogerta Manastirliu, autori është zgjedhur kryetar i KKAD-së dhe më vonë është nderuar me mirënjohje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Kjo monografi, që flet për shkollën shqipe në Bavari, në mënyrë kronologjike dokumenton lindjen dhe rritjen e saj, kontributin e kryesisë, të prindërve, mësuesve, atdhetarëve dhe të disa shoqatave e bizneseve. Autori paraqet sfidat dhe në mënyrë profesionale shkruan për programet, iniciativat, metodologjinë dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së gjuhës e të identitetit kombëtar shqiptar në diasporë.

Përmes kësaj monografie, autori Mustafë Krasniqi u jep vlerë të gjithë atyre që kanë kontribuar vullnetarisht për këtë mision dhe e lë si një dokument vlerësimi, se mërgata shqiptare, kudo që është, është ambasadore e kombit.

Në fund të kësaj fjale, falënderoj autorin e librit dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, si dhe të gjithë miqtë tanë bashkëveprimtarë, që kanë qenë dhe mbeten të përkushtuar për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë e, falënderim të veçantë kam për shoqatën „SHQIPONJA“; që organizoi takimin për promovimin e librit.

I uroj suksese të mëtejme z. Mustafë Krasniqi, në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij kombëtare e arsimore e, mbi të gjitha ta kalojë edhe këtë sfidë, të shërohet përfundimisht dhe ta vazhdojë veprimtarinë e tij. Kurse juve, faleminderit për vëmendje.