Austri: Me nxënësit shqiptarë, “Vjeshta flet shqip” në Schiffschule të Vjenës, me plot ngjyra, shije e dashuri dhe me aktivitete pedagogjike, edukative e kulturore

Nga Miradije Berisha

Fëmijët e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në „ Schiffschule“ të Vjenës, më 17 dhjetor 2025, zhvilluan një aktivitet pedagogjik, edukativ-kulturor, me moto “Vjeshta flet”.
Në këtë aktivitet të veçantë morën pjesë, përveç nxënësve, edhe prindërit e tyre, të cilët u përfshinë aktivisht në biseda, punëtori dhe lojëra me tematikë vjeshtore.
Aktiviteti filloi me një rreth mirëseardhjeje, ku fëmijët të cilët ndanë mendimet dhe ndjesitë e tyre për stinën e vjeshtës, se çfarë sjell ajo, si na bën të ndihemi dhe cilat janë ngjyrat dhe aromat që e karakterizojnë.
Ky moment shërbeu si një ushtrim i natyrshëm për të përdorur gjuhën shqipe me siguri dhe kreativitet.
Po ashtu, fëmijët interpretuan një skeç me tematikë vjeshtore, duke sjellë në skenë me shumë përkushtim elementët më të dashur të kësaj stine.
Pas pjesës hyrëse, nxënësit u ndanë në grupe të organizuara sipas moshës dhe klasës, ku secili grup zhvilloi aktivitete të përshtatura me nivelin e tyre:

Grupi 1 – Klasa e parë: “Ngjyrat e Alfabetit”
Grupi 2 – Klasa e dytë: “Zbuluesit e fjalëve sekrete”
Grupi 3 – Klasa e tretë: “Fjalishkruesit e Vjeshtës”
Grupi 4 – Klasat IV, V dhe VI: “Shkëndijat e fjalës”

Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte loja “Shija Sekrete: kërko, shijo, trego” .
Gjatë kësaj loje, fëmijët, me sytë e lidhur, provonin një frutë që nuk e kishin shijuar kurrë më parë. Identifikimi i frutit ishte sfidues për ta, pasi shija ishte e panjohur. Megjithatë, ata përpiqeshin ta dallonin dhe ta përshkruanin në gjuhën shqipe, duke ushtruar aftësinë për të komunikuar përvojat shqisore.
Qëllimi kryesor ishte që, përmes kësaj eksperience të re dhe argëtuese, fëmijët të krijonin një marrëdhënie më të afërt me ushqime të shëndetshme dhe të ishin më të hapur për t’i konsumuar ato në të ardhmen. Dhe shumë prej tyre, pas lojës, shprehën dëshirën për të ngrënë frutin që kishin provuar.
Ky aktivitet u bë edhe më domethënës falë përfshirjes aktive të prindërve, të cilët ndihmuan fëmijët në këtë proces zbulimi dhe komunikimi, duke e kthyer lojën në një përvojë të përbashkët, zbavitëse dhe edukative.

Për të përforcuar përjetimin emocional dhe kulturor, fëmijët kënduan së bashku një këngë për vjeshtën, duke shprehur gëzimin dhe kreativitetin e tyre nëpërmjet muzikës shqipe.
Në përmbyllje, të gjithë pjesëmarrësit shijuan një sallatë të freskët me fruta të stinës dhe lëng frutash natyral, duke mbyllur aktivitetin me shije të ëmbël dhe buzëqeshje.
Aktivitet nuk ishte vetëm një orë mësimi, por një përjetim i plotë, që afroi fëmijët me gjuhën, kulturën dhe komunitetin shqiptar. Me këtë dëshmohet se gjuha mësohet më lehtë kur flitet me dashuri dhe kultura e identiteti kombëtar ruhet më mirë kur përjetohet së bashku.