Shtegtime nëpër Atdhe (CCXIII)
Në pjesën veriore të Kosovës, vetëm 3 km larg Mitrovicës, në brigjet e lumit Ibër ndodhet qyteza e Zveçanit. Kjo qytezë është qendër e komunës, që shtrihet në të dy anët e luginës së Ibrit, si dhe është qendër e njërës nga katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me popullsi shumicë serbe. Në vitin 1986 komuna e Zveçanit është ndarë nga komuna e Mitrovicës sipas një projekti shovinist për ta rritur numrin e komunave serbe në Kosovë.
Në kohët antike në zonën që mbulon territori i komunës së Zveçanit ka jetuar popullsi ilire – dardane. Gjatë kohës së Perandorisë Romake këtu ishin të vendosura disa reparte ushtarake. Nga fundi i shek. XI dhe fillimi i shek. XII Perandoria serbe ishte zgjeruar edhe në këtë anë, duke e zëvendësuar Perandorinë bizantine. Dhe, në shek. XIV e XV edhe zona e Zveçanit bie nën Perandorinë turke. Dokumentet osmane flasin se në vitin 1660 Zveçani ndodhej në kufi mes dy elajeteve osmane; Elajetit të Bosnjës dhe Elajetit të Rumelisë. Qyteti ndodhej afër Tyrbes së Baba Mustafait dhe rreth 200 metra larg kalasë së Mitrovicës e shtatë orë udhëtim këmbë nga Vushtrria. Në atë kohë qyteti ishte seli e guvernatorit (hakim) dhe e vojvodës, që kishte 300 shtëpi, xhami, han, hamam dhe dyqane. Dikur Zveçani ka shërbyer si një urë lidhëse mes dy krahinave, Fushës së Kosovës (Mitrovicës) me Sanxhakut (Pazarit të Ri).
Pas vitit 1912 regjimet serbe kanë bërë spastrime etnike edhe në Zveçan e rrethinë. Popullsia e kësaj treve është e ardhur nga vise tjera të ish-Jugosllavisë, sipas projekteve për kolonizimin e trojeve shqiptare. Qeveritë serbe vazhdimisht kanë sjellë popullsi sllave sipas projektit të “Reformës agrare” qysh para Luftës së Dytë Botërore. Pjesa më e madhe e popullsisë përbëhet nga pasardhësit e luftëtarëve të Frontit të Selanikut (solunci), të Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Regjimi serb luftëtarët serbë i shpërblente me toka që ua merrte shqiptarëve. Vlerësohet se kjo pjesë ka qenë e banuar nga shqiptarët dhe banorët e Sanxhakut. Pas luftës së Kroacisë, në vitin 1992, një pjesë të popullsisë serbe, të ikur nga lufta në Kroaci, regjimi serb i vendosi në Kosovë, edhe në komunën e Zveçanit. Mirëpo, më vonë, pjesa më e madhe e tyre u larguan në Serbi.
Komuna e Zveçanit shtrihet në sipërfaqe prej 122.4 km2 dhe përbëhet nga 35 vendbanime. Deri në vitin 1999 ka pas rreth 12.500 banorë, kurse pas luftës, sipas statistikave serbe dhe statistikave të OSBE-së, numri i tyre është rritur me popullsi serbe e rome të shpërngulur nga vise të ndryshme të Kosovës. Meqenëse serbët e Kosovës kanë refuzuar të regjistrohen në vitin 2011, OSBE ka dhënë një vlerësim me hamendje për numrin e popullsisë së komunës së Zveçanit për rreth 16.500 banorë, duke përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë Kosovës. Një vlerësim tjetër nga viti 2009 ka treguar se komuna e Zveçanit nuk ka më shumë se 7500 banorë. Sipas regjistrimeve ndër vite të popullsisë, komuna e Zveçanit kishte këtë numër të popullsisë: 1948 – 6400, 1953 – 7900, 1961 – 9200, 1971 – 10100, 1981 – 9700, 1991 – 10000, 2009 – 7500. Llogaritet se rreth 95 për qind e popullsisë së komunës janë të përkatësisë etnike serbe, pastaj ka shqiptarë e romë. Derisa në vitin 1991 komuna e Zveçanit kishte rreth 2000 banorë apo 20 për qind të përkatësisë etnike shqiptare, në vitin 2005 ky numër ka rënë në rreth 350 apo në rreth 2 për qind të popullsisë së komunës. Në zonë të thellë malore, në anën e djathtë të luginës së lumit Ibër, ndodhen tri fshatra shqiptare, Buletini, Kelmendi ose Lipa dhe Zhazha. Popullsia e këtyre fshatrave, për shkak të vështirësive ekonomike, për shkak të sigurisë, për shkak të presionit e diskriminimit dhe të problemeve tjera për mbijetesë, pothuaj janë zbrazur. Dikur vetëm një fshat shqiptar kishte mbi 1300 banorë, kurse sot të tri fshatrat, së bashku, nuk kanë më shumë se 300 – 400 banorë. Për këto fshatra është hapur një zyrë komunale për komunitete në fshatin Kelmend, ku banorët shqiptarë mund të marrin dokumente të ndryshme pa shkuar në qendrën komunale.
Edhe pse e formuar nga institucionet e shtetit të Kosovës, komuna e Zveçanit refuzon dhe bojkoton në masë të madhe bashkëpunimin me qeverinë e R. së Kosovës. Duke qenë se realisht nuk i njeh institucionet e shtetit të Kosovës, ajo financohet ashtu siç financohet çdo komunë tjetër e Kosovës. Nga ana tjetër, edhe qeveria e Serbisë, njëkohësisht, financon këtë komunë dhe strukturat tjera institucionale lokale, si dhe strukturat politike e parapolitike. Edhe pse financohet nga Qeveria e R. së Kosovës dhe është pjesë e qeverisjes lokale të Kosovës, komuna e Zveçanit pak ose aspak i respekton ligjet e Kosovës. Organet komunale të Zveçanit, si dhe ato të komunave tjera me popullsi serbe, nuk i japin llogari dhe përgjegjësi institucioneve të Kosovës. Dokumentet e lëshuara nga kjo komunë nuk përmbajnë logo apo ndonjë shenjë tjetër identifikuese të Republikës së Kosovës. Arsimi fillor dhe i mesëm në këtë komunë zhvillohet me plan – programe të Serbisë, duke refuzuar plan – programet e Kosovës, edhe pse financimi bëhet nga buxheti kosovar. Si një zonë e pakontrolluar nga shteti, edhe në komunën e Zveçanit ka lulëzuar krimi i organizuar dhe, veçanërisht, kultivimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike. Gjithashtu, këtu shpeshherë lindin provokime dhe konflikte me popullsinë shqiptare dhe me institucionet e R. së Kosovës.
Në një sipërfaqe prej 24 hektarë, në komunën e Zveçanit Serbia është duke ndërtuar, pa lejen e autoriteteve kosovare, kompleksin banesor me 300 shtëpi, e quajtur “Lugina e diellit”. Në këtë kompleks banesor Serbia planifikon t’i vendos rreth 1500 persona të zhvendosur nga Kosova në Serbi apo të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë këtu. Gjithashtu, në këtë vendbanim të ri ilegal po ndërtohet shkolla, çerdhja për fëmijë, kisha e lokale tjera përcjellëse.
Zveçani, si qytet dhe si komunë, është i lidhur jashtëzakonisht shumë me kombinatin xehetar – metalurgjik “Trepça”. Në Zveçan ndodhet shkritorja e “Trepçës”, e cila para luftës ka punësuar rreth 4000 punëtorë. Për shkak të krijimit të rrethanave të rënduara gjatë luftës dhe pas luftës, shkritorja e plumbit e zinkut në Zveçan nuk punon më. Edhe pse shkritorja nuk punon, ende ekziston problemi i ndotjes së ajrit nga mbeturinat e metaleve të rënda, që ndodhen në sipërfaqe.
Në një maje vullkanike në veri të Mitrovicës dhe mbi luginën e Ibrit, 740 metra në lartësi mbidetare, ndodhet kalaja e Mitrovicës, e cila sot ndodhet në komunën e Zveçanit. Kjo kala përmendet për herë të parë në shek. X, si fortesë e perandorit bullgar Simeoni I (893 – 927), por besohet se është kala parahistorike, e shkatërruar dhe e rindërtuar disa herë. Edhe pse pak e hulumtuar dhe në pamundësi të hulumtimit për shkaqe të sigurisë, është konstatuar se në të ka gjurmë të lashtësisë ilire, romake dhe bizantine. Serbët Kalanë e Mitrovicës tash e kanë përvetësuar si monument serb dhe e quajnë Kalaja e Zveçanit, kurse në muret e saj kanë vendosur një flamur serb të përmasave të mëdha.
Në territorin e komunës së Zveçanit ndodhet kulla apo kompleksi përkujtimor “Isa Buletini”, si dhe manastiri ortodoks në Buletin. Kulla e tribunit popullor, Isa Buletini, në Buletin, e ndërtuar në shek. XIX, tash shërben si një muze interesant historik, që vizitohet nga mijëra vizitorë në vit të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Vizita në këtë kompleks muzeal paraqet një interes të posaçëm për njohjen e historisë së luftërave të shqiptarëve për liri e pavarësi në pjesën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX.