
Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).
Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)…
Katër klasat e para të shkollës fillore “Ganimete Terbeshi” i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike – Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010.
Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike…
Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra:
-“Në hijen e Alpeve”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;
-“Buka e kuqe”, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;
-“Kur zgjohet Dodona”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;
-“Pasqyrë e përgjakur”, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;
-“Klithje nga fundi i ferrit”, poezi, Onufri, Tiranë, 1997;
-“Gjuha e dheut tim”, poezi, Albin, Tiranë, 1999;
-“Klithje nga fundi i ferrit”, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000;
-“Baraspesha e humbur”, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;
-“Vragat e një kohe”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;
-“Lëvozhga e vdekjes”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;
-“Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë”, Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;
-“Zogu i këngës”, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009;
-“Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj”, politikë e publicistikë, Brezi 81, Prishtinë, 2011;
-"Qielli i paprekur", poezi, Brezi
81, Prishtinë 2012;
-“Vetëvrasja e një poeti”, dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA”, Gjakovë, 2013;
-“Shtegtimi i lirisë”, poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014;
-“Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele”, zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015;
“Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017.
“Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019.
“Die Verrückten Pferde”, lekturoi zvicranja Laura Shämerli dhe redaktoi Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019;…
Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë…
Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe i janë zhdukur, pa gjurmë…
Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht.
Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera.
Shkruan: Brahim Ibish Avdyli
PIKËLLIMI
Kur ndodhesha larg nga këtu
kur ndodhesha në perëndim
kur vërdallesha rrugëve të botës
për një metelik
ju të ulur mbi fron
ndoshta ëndërronit llullën e fildishtë
gjarprin e verdhë të perëndimit
e përmalloheshit për mua
në pamundësi për të më gjetur
Tani
jam në vendlindjen e përbashkët
me ëndrrën e madhe të Atdheut
aty ku e kam harruar një varg
e më kot ëndërroj
që t’ju shoh
pikëllohem
besoni!
KAM ZBRITUR NGA YJET)
Jam në Zvicër
por kujtoj se jam në Morinë
dhe e shoh veten fëmijë
nëpër arat me misër
loz me rrezet e ngrohta të Diellit
që rriten në bukë të kallinjve
Kalliri zgjatet e buzëqesh
me vesën e mëngjeseve
sikur më përshëndet dhe dua ta përqafoj
jam vet fëmijë që lozë me rrezen mbi tokë
herë në Einsiedeln
bëhesh birrë e misrit të artë
herë bëhesh miell i bluar dhimbjesh
për t’u bërë misërnike
në shitoret e vogla të malit
e në kodrinat e diellit…
Vjen dita kur konservohesh e grirë
për të ushqyer sërish Lopët e Diellit…
Tani
nuk e di mirë se në cilën kohë jetoj
në cilin shekull
mijëra herë
paskam zbritur rastësisht nga Yjet
TRANDJE
Më duket
se guri
derdh lot mbi sipërfaqe
dridhet e rënkon
trandet
e lëkundet prej dheut…
Befas i fshij sytë
qetësohem nga lëvizjet
jashtë meje
athua
e rëndë është pesha
kur guri qanë
pranë meje
përderisa
e trishtueshme është jeta
me vetminë
ZOGJ TË PIKËLLUAR
1.
Ju shoh përherë të pikëlluar
nëpër fshatrat malore
rreth kodrave tona
a bregut të liqeneve
si fëmijë të mi të këputur prej zemre
Një lot u vardiset
në bebëzat e thara të shpirtit
magma të zemrës
ndizen flakë e gjëmojnë
shkrihet murana e hekurt
e shtatëqind rrufé me godasin
në harfën time të këngës …
2.
Jeta e juaj
është Bibël e dhimbjeve fëmijërore
jeta e juaj digjet përherë
metaforikisht
në kuptimin e së bukurës
të dhembshurisë
të mallit
e pikëllimit të pashuar
mjellma të shpirtit tim –
ju bijë të Sy-thit
të Adamit me të cilin fillon jeta
nuk e di
në cilin shekull të mallkuar jetoj
jam mijëra vjet jete
para lindjes së Bakut
dhe mbetem
me gojën e tharë të pëshpëritjeve
nuk mund ta gjej fillin e parë
jemi të përgjumur pip në këmbë
nuk e vërejmë Diellin
në miliona plagë shpirti
dhimbja lulëzon
prore e ndej veten Josip
e dua të shtrëngoj me zemër Klemestrën
ti më vjen me sytë e përlotur
je Noema bijë e Sellës
Zotneshës pellazge…
fëmijë të braktisur përherë
zogj mjellme
në të gjithë shekujt …
3.
Nëpër sytë e mi
ngjallet pikturë e pavdekshme pikëllimi
më le të çmendem
bukuria me emër të rrejshëm
kuptimësia e së bukurës rilind
nga veza e pa numër e dhimbjes
çuditërisht ndjehem
në shekujt e tanishëm
shihem i ngrirë në piklën e bardhë të lotit
që pikë ngadalë
nga bebëzat e ngrira
herë u ngjanë fëmijëve
që shndërrohen në pulëbardha të lotëve
e përplasen
me dhimbjen bregut të këngës
e herë prindërve baballarëve
që zvogëlohen në mjellma të vajit
pastaj reshin me shi
duke më përcjellë
në krojet e pandalura të lotëve
deri në zhdukjen e maleve…
4.
Ndonjëherë
shndërrohem në mjellmë
për t`u takuar me ëndrrën time
në thellësinë e ujit të zi
nga shtrëngata shekullore
vetëm për një çast të shkurtër
pastaj për t`u sjellë vërdallë
nëpër shekuj vuajtjesh
mbi dallgët e zemrës
dhe për të lundruar nëpër kohë
nuk kam ku të ulem mbi valë
e të marr frymë
a mos kam ardhur gabim
në këtë strofull jete
sa çel e mbyll sytë
ju notoni nëpër liqenin e zemrës
fëmijëria e juaj e pikëlluar
është me krahët e fluturimit
nëpër dallgët e trazuara
derisa shpirti pëlcet …
5.
Kështu
mbeteni prore
zogj mjellme
nëpër vargjet e mia
fëmijë
të braktisur
përherë …
ENIGMË E PËRJETSHME
1.
Mblidhesh në spirale
ethesh për ne
e ngrihesh
me kokën e goditjeve
në bishtin
e përpëlitjeve
2.
Kur të shoh
më thahet pa shpirt
një fjalë në gojë
e regëtimat e qenies
ndrydhen të heshtura
mitologjitë e globit
mblidhen
në botën e sertë
athua
ku do të jetë
dënimi i Zotit
3.
Herë bëhesh
shtagë e gjatë
dhe mbi ty mbahet bota
për të mos rënë
skrupull
me dhimbjet e viteve
e herë-herë
sa qel e mbyll sytë
bie mbi jetën
e shpërfillur
aty ku nuk të mendon njeriu
dhe e ka lëshuar
rrugën e zotit …
4.
Qindra poezi
mund të shkruheshin për ty
edhe po të gënjenim
për të paqenën me fjalë
apo të përkryerën
kur të takojmë
të mbledhur lakuriq
rreth pritjes
ngjitesh më lartë
me kokën përmbi heshtje
e hidhesh si shpatë
na rrëqeth
me ngjyrat e tmerrit
ngadalë
pështillemi larg
e largohemi
përtej vdekjes
5.
Njëmijë vjet
jeton me dhimbjet
e vetminë
të ka plasur gjuha
nën gur
nën dushk e shi
nën dhé
duke pritur jetën
të soset
nën helmin tënd
6.
Helm
është vet jeta
katran
i mbyllur në gur
enigmë
e përjetshme …
LEJLEKËT E DHIMBJES SIME
Nga ditët e para të jetës
vinë këta lajmëtarë
të ditëve të mira
dhimbjen e pashpjeguar
e godasin me sqepin e parë
në mes të moçaleve
do të përtërijnë kudo gjelbërimin
me gjuhën e pafjalë të pranverës
Kur toka e përplasë nga kurrizi
vdekjen e bardhë e të ftohtë
që dridhi dhimbjet e një kohe
vinë këta lajmëtarë të parë
me krahët e qiellit zbresin
shpresat tona të përlotura …
Lejlekë të dhimbjes sime
m`i sillni të varura
pranverat në qafë
merrni një dhimbje fëmijërore
e sillni një buzagaz të freskët
me durimin tuaj diellor …
Ju udhëtoni gjatë
për të tejkaluar nga dhuna
dhe na mësoni
të kthehemi prapë me Lirinë
LEJLEKËT E ËNDRRAVE
Çdo gjë fillon me ëndrrën
edhe kur nuk mund t`u bëjmë
me stërmundimin jetësor
si diçka të qenë
kur hapen krahët e hapësirës
u nxjerrin juve në sipërfaqe
si pjesë e reales që vjen
me ngjyra të paqes
ne u përkulemi përpara
sikur në vendlindje
edhe në Zvicër
sytë e dritës ua ruajmë
u thërrasim përtej fjalës
na e sillni një dhëmb të ri
kur ua hedhim të vjetrin…
dhe çdo gjë fillon me juve
lejlekë të ëndrrave tona.
SHTEGTAR I LIRISË
Me flatrat e qiellit
udhëtoni larg
për të ikur nga dhuna
për të gjetur pranverën
ne jemi lelekët e parë
prej emrit të Karianëve
pellazgëve parahelenë
dhe paralajmëtarëve
të ditëve më të mira
Bëhemi së bashku
me lejlekët e sotshëm
e dalim kudo
nëpër botën e dhimbjeve
për ta mundur dimrin
nëpër Evropë
dhe dëshirojmë Lirinë
bëhemi shtegtarë
me ngjyrën e bardhë
si drita e Diellit
që vizëllon të buzëqeshë
larg përtej shekujve
Nuk e di nëse jemi
në jugperëndim të Azisë
apo njeriut me qime
të rruzullit tokësor
lelegë apo lejlekë
duke ikur nga vuajtjet
me flatrat e lirisë
PËRFYTYRIMI I DETIT)
Shpesh më fanitet deti
si sofër e madhe
shtruar nën hënë
përreth të heshtur
përtypen shkëmbinjtë
kafshoren duke e njomur
në atë verdhësi të largët…
Asgjë nuk më duket
më e pikëlluar
se shkëmbinjtë e kërrusur
në vetveten
e gropëzave të tyre
po të isha gomë
e fatkeqësive të botës
hijen e mosbesimit
do ta zhbija
dhe trishtimet e shtruara
në atë sofër!…