Dita Kombëtare e Diasporës: Promovimi i Trashëgimisë dhe Lidhjes me Atdheun

Tiranë, 18 Dhjetor – Sot, me rastin e Ditës Kombëtare të Diasporës, anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Agjencinë Kombëtare të Diasporës, organizuan një sërë aktivitetesh. Aktivitetet niswn me një ekspozitë unike me veshje tradicionale shqiptare, e cila pasqyroi pasurinë dhe larmishmërinë e kulturës sonë kombëtare. Kjo ekspozitë jo vetëm që tregoi artin e hollë të punimeve artizanale dhe simbolikat e thella kulturore, por shërbeu edhe si një kujtesë e gjallë e trashëgimisë sonë, që ruhet dhe përcillet me dashuri nga brezat e rinj të diasporës. “Diaspora shqiptare është ambasadorja më e denjë e traditave tona,” u theksua nga organizatorët, të cilët falënderuan të gjithë ata që kontribuojnë për mbajtjen gjallë të kësaj pasurie të rrallë.

Në vijim të aktiviteteve, u zhvilluan takime të rëndësishme me drejtues të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Sh.T.Z. Elisa Spiropali, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, pritën anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e reja për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe atdheut.

Dita e mbushur me aktivitete u mbyll me një koncert gala të titulluar “Arti në Diasporë”, kushtuar veprës së Tefta Tashko Koços, një prej ikonave të muzikës shqiptare. Me interpretimet e mrekullueshme tw Sopranove Adelina Paloja dhe Feride Istogu, Gillesberg si dhe pianistes Almira Emiri koncerti ndërthuri të shkuarën dhe të tashmen e artit shqiptar, duke theksuar lidhjen e pandërprerë të artistëve të diasporës me atdheun e tyre.

18 dhjetori nuk është vetëm Dita e Diasporës, është edhe një moment reflektimi dhe falënderimi për të gjithë shqiptarët që, pavarësisht largësisë gjeografike, kanë mbetur të lidhur ngushtë me rrënjët e tyre, duke promovuar kulturën, gjuhën dhe traditat tona në mbarë botën (Nga Gazeta e Diasporës Shqiptare).