Dita kombëtare e leximit në Gjermani

Dita kombëtare e leximit në Gjermani ka filluar që nga vitit 2004 të bëhet një simbol frymëzuese e mbarëkombëtare për t’i nxitur fëmijët dhe të rriturit të lexojnë. Motoja e kësaj dite kombëtare të leximit është “Leximi krijon të ardhmen”! Duke lexuar fëmijët mësojnë, aftësohen në përqendrimin bazë të edukatës dhe mbi të gjitha e stimulojnë imagjinatën, fitojnë aftësi dhe me lexim i vejnë themelet e së ardhmes për suksese të mëtutjeshme.

Në këtë festival leximi, “Dita kombëtare e leximit” në Gjermani e pranishme do të jetë edhe shkolla shqipe në Landin e Bavarisë, krahas komuniteteve tjera dhe ato vendore.  Ky festival leximi do të mbahet të premten, më 15.11.2024 në ora 16:00, në biblotekën e qytetit Motorama, Rosenheimer str. 30-32 Munih .

Krahas komuniteteve tjera dhe ato vendore edhe komuniteti ynë shqiptar kësaj radhe do të marrë pjesë me një lexim në gjuhën shqipe dhe gjermane, përmes Shkollës Shqipe “LAPSh Bavari”. LAPSh-in do ta përfaqëson nxënësja Mia Memini, nxënëse e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në shkollën “Grafingerschule” në Munih.

LAPSh-i fton bashkëkombësit, që jetojnë në Munih e përreth, së bashku me fëmijët e juaj të jeni pjesë e kësaj dite të rëndësishme dhe edukative; qoftë me fëmijët e juaj të cilët e vijojnë mësimin shqip, apo edhe me ata fëmijë që nuk e vijojnë mësimin shqip. Duke qenë sa më të pranishëm në këtë festë leximi, e inkurajojmë nxënësen tonë,  Mia Memini, të jetë më e mira në lexim, i inkurajojmë fëmijët tjerë të vijojnë mësimin në gjuhën shqipe. Duke dëgjuar zërin e ëmbël të shqipes, e bëjmë më të dashur gjuhën shqipe për fëmijët tanë dhe me të pranueshme tek gjuhët tjera, sepse është njëra ndër gjuhët hyjnore!

Ejani e dëgjoni, në mesin e leximeve tjera, leximin në gjuhën e mëmëdheut, të Naimit, gjuhën amtare-shqipen!