DOLI NGA SHTYPI LIBRI MË I RI ME TITULL:“ DISA LETRA NË DORËSHKRIM NGA RAFI HALILI“ ME AUTOR AGIM SYLEJMANI 

Lexuesit shumë shpejt do ta kenë librin në duar për ta lexuar teksa „ Zëri i Kosovës“ me këtë rast publikon një biografi të shkurtër të autorit të librit në fjalë.

Agim Sylejmani është lindur më 18 tetor 1956 në fshatin Zhegër të Gjilanit, ku babai i tij nga Përlepnica në atë kohë punonte si mësues dhe banonte përkohësisht bashkë me familjen.

Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë, për të diplomuar në gjimnazin “9 Maji” në Dardanë. Ishte student i vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës kur e burgosën dhe e dënuan me 5 vite burg të rëndë për veprimtari politike çlirimtare, si anëtar i OMLK-së, organizatë e fshehtë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Me shkrime filloi të merrej derisa ishte në mbajtjen e dënimit nëpër burgjet e ndryshme të ish-Jugosllavisë. Pas mbajtjes së dënimit vazhdoi veprimtarinë e tij atdhetare duke u marrë intensivisht edhe me shkrime për çështje politike e organizative. Një pjesë të shkrimeve i botoi në shtypin e fshehtë të kohës, sidomos në organin “Zëri i Kosovës” në Biel të Zvicrës.

Agim Sylejmani deri më tani ka botuar 11 libra: romanin “Rrugëtimi i një vigani”, 2013, monografinë “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”, 2014, librin biografik “Më shumë se mësues”, 2014, monografinë “Pergamenë e gjallë”, 2016, intervistën hulumtuese “Në rrugë drejt lirisë”, 2016, projekti referues për jetën prapa grilave të të burgosurve politikë shqiptarë në ish-Jugosllavinë “Rrëfime nga burgu”(libri i parë), 2017, monografinë “Për një atdhe të lirë e të bashkuar”, 2020, libri hulumtues “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”, 2021, monografinë “Pranverë e përgjakur”, 2022, “Mësimdhënësit dhe të burgosurit politikë të Përlepnicës”, si bashkautor, 2023 dhe libri me intervistën hulumtuese “Nëpër shtigjet e luftës”, 2023.

Libri hulumtues “Disa letra dorëshkrim nga Rafi Halili” është libri i tij i dymbëdhjetë. 

Agim Sylejmani prej shumë kohësh jeton dhe vepron në Zvicër, ku për dhjetë vjet punoi si këshilltar pedagog kundër dhunës që ushtrojnë burrat. Tani është pensionuar, por merret me publicistikë dhe është redaktor i emisionit «Ruajtja e vlerave të luftës» pranë TV AA Vision në New York të SHBA-ve.

Agim Sylejmani ZIk-u i dëshiron suksese dhe shpresojm që së shpejti do ta kemi librin e radhës të cilin e presim me padurim (NGA ZËRI I KOSOVËS – ORGAN I LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS)