Nga Mustafë Krasniqi
Këto ditë nga shtypshkronja Lena Graphic doli nga shtypi monografia e autorit Argjend Hasanit, vëllimi i IV-të i monografisë “Mërgata Shqiptare në Gjermani“. Libër që në vete ngërthen pjesë thelbësore të autorëve në mërgatë, të cilët përkufizojnë gjendjen emocionale dhe realiste të mërgimtarit shqiptarë. Konkretisht autori na e paraqet në librin e tij fatin e mërgimtarit ashtu siç e sheh vet dhe autorët tjerë. Pra, përmes kësaj monografie autori na sjell, si në të gjitha vëllimet e mëparshme, edhe përvojat e autorëve tjerë në gjininë letrare, publicistike, kulturore dhe pedagogjike, duke mos lënë anash suksesin individual e të shoqatave shqiptare. Gjithsesi autori prek edhe një fenomen tjetër shumë me përgjegjësi të madhe e të ndjeshme që duhet ta kemi si komunitet, siç është ruajtja e gjuhës amtare, e cila vetëm përmes shkollës shqipe e ruajmë nga rreziku i asimilimit të fëmijëve tanë mërgimtarë. Autori edhe këtë pjesë e trajton me sinqeritet dhe guxim.
Që nga vëllimi i parë i Monografisë autori nuk heziton, por ngulshëm e realizon idenë dhe e trajton në vazhdimësi me risi të reja, duke sjellë prurje të ndryshme për lexuesin. Që, përkundër fatit të hidhur të shqiptarëve, dikur të marrur botën në sy, qofshin ato politike apo ekonomike dhe trajtimi i tyre si dora e dytë apo e fundit. Pra, sot mërgatën shqiptare, përkundër asaj të djeshmes e shohim më ndryshe; atë e gjejmë në art, kulturë, arsim e mjekësi, në teknologji moderne, shkencës, nëpër universitete dhe institucione gjermane. Më nuk është ajo mërgatë vetëm e krahut, siç na cilësonin dikur, por një mërgatë e vlerësuar, e shëndosh në parimin e ngritjes së dijes, kulturës, që po i jep botës demokratike, atë që dikur i kanë dhënë paraardhësit tanë. Të gjitha këto i gjejmë në vizionin e Hsanit të shkruara në monografinë e tij “Mërgata Shqiptare në Gjermani“.
Autorit i urojmë suksese dhe një rrugë të pafundme në krijimtari, kurse librit një lexim të këndshëm dhe sa më shumë të jetë në duart e lexuesit!