Dy fjalë për Kuvendin në Mynih e për gjuhën shqipe në mërgatë

Nga Mimoza Hysa

U zhvillua në Mynih një kuvend i rëndësishëm pune për gjuhën shqipe në mërgatë ku u mblodhën më shumë se pesëdhjetë studiues, mësues, drejtues të lidhjeve të mësuesve apo të shoqatave shqiptare nëpër botë.

Të ftuarit vinin nga Gjermania, Zvicra, Suedia, Anglia, Turqia, Italia, Greqia, Austria, Kroacia, Sllovenia, Franca, Amerika, Danimarka, Holanda, Finlanda, Norvegjia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, etj., për të diskutuar e për të gjetur rrugë të reja të mundshme për mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë, për të mundësuar tejçimin denjësisht të kësaj gjuhe në brezat që rriten jashtë trojeve shqiptare.

Natyrisht që mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë (për të gjithë ata që nuk kanë informacion, por kanë zë dhe shprehen në media dhe në institucione të rëndësishme) nuk ka mbetur në kohën e dërgimit të abetareve. Madje, tashmë institucionet tona, të Shqipërisë dhe Kosovës të bëra bashkë, kanë tjetër qasja ndaj mësimit të gjuhës shqipe, duke e parë atë si gjuhë të dytë për brezat që jetojnë në tokë të huaj, kështu që prej kohësh dërgojnë tekste të përshtatshme për mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë e prejardhjes. Mund të shtoja shumë më tepër për materialet mbështetëse, por do të mbetesha në nivelin bazik të shtrimit të çështjes.

Kuvendi tregoi se mërgata jonë, një pjesë e mirë e shkolluar edhe në vendet pritëse, ka ide të qarta dhe largpamëse për mësimin e gjuhës shqipe të kuptuar si gjuhë të trashëgimisë (duke cituar këtu ndërhyrjen e mençur të Entela Tabakut) ndaj do të duhej të dëgjohej për të mos u mjaftuar me deklarime dhe informacione të mangëta.

Së shpejti do të bëjmë publike dhe propozimet e gjithsecilit në këtë kuvend, si dhe përfundimet që shpresojmë të kthehen në plan pune për secilën hallkë që është e përfshirë në këtë proces.

Kur flitet për gjuhën shqipe duhet kuptuar që flitet edhe për atë gjuhë që plazmon mbi 8 milion shqiptarë jashtë trojeve, pra për gjuhën e një shqiptarie tjetër, shumë më të madhe se ajo brenda, për gjuhën e atyre brezave të rinj që këtë gjuhë e kanë gjuhë jo aktive dhe që e përdorin krahas një gjuhe tjetër aktive. Kjo gjendje dygjuhësie, i bën ata të çmuar dhe të vlefshëm për kulturën shqiptare, meqenëse mund të jenë shumë të dobishëm për ndërtimin e një ure të artë për përçimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në gjuhë të huaj.

Duke mos dashur të jem përsëritëse dhe e veshur me petk të ngurtë institucional, në këtë kuvend bëra të ditur vetëm disa hapa konkretë të Qendrës së Botimeve për Diasporën në këtë drejtim për vitin 2024:

– Për herë të parë Qendra e Botimeve për Diasporën hap këtë vit rezidencën për përkthyesit me banim jashtë trojeve shqiptare që përkthejnë nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj.

– Ky projekt, (shtuar projektit pilot të nisur vitin e kaluar të Shkollës verore që shpresojmë ta rikonceptojmë dhe zgjerojmë) motivon pikërisht këta të rinj të mërgatës me gjuhën shqipe, gjuhë të dytë, apo më saktë, gjuhë të trashëguar, dhe me gjuhë të parë, gjuhën e vendit pritës, për t’u kthyer në përçues të kulturës shqiptare jashtë vendit përmes përkthimit. Programi dygjuhësh i hartuar nga QBD-ja që në fillesat e saj është dëshmi për një këndvështrim të tillë.

Bëra me dije gjithashtu se kjo nuk është thjesht një nismë, por është tashmë një projekt konkret i mbështetur nga programi i Europës Krijuese ku Qendra jona ka aplikuar dhe është shpallur fituese si qendër rezidenciale për përkthyesit nga gjuha shqipe.

Motoja jonë në këto vite ka qenë: më mirë një pikë ujë e projekte konkrete në përpjekjen e madhe për trashëgimin e gjuhës shqipe në mërgatë sesa me mijëra fjalë që shuhen fill pas tubimeve.

I falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që ishin konkretë dhe bashkëpunues duke dhënë propozime me vlerë dhe duke shpalosur qasje dhe këndvështrime të reja mbi gjuhën shqipe në diasporë.

Mirë u takofshim miq me projekte konkrete!