Dy intelektualë ndër më meritorët dhe më të dëshmuarit e kombit, Rexhep Qosja dhe Pëllumb Xhufi

Nga Ahmet Qeriqi

Rexhep Qosja dhe Pëllumb Xhufi

Përzgjedhja ime, për të vlerësuar nga mesi i qindra intelektualëve të njohur të kombit, vetëm i dy emrave të veçantë, mund të ngjallë reagime, mos pëlqime, sepse jo të gjithë pajtohen se akademikët, Rexhep Qosja dhe Pëllumb Xhufi janë më meritorët, më të zgjedhurit, më të kompletuarit, më të diturit, më largpamësit, më besnikët… Po të ishte përcaktimi për 10 intelektualë, apo më shumë do të ishte më lehtë.
Mirëpo, kjo është përzgjedhja ime, individuale, që nuk cenon të drejtën e askujt për të zgjedhur të tjerët.
Unë do të përpiqem ta arsyetoj përzgjedhjen time, duke u mbështetur në fakte e argumente, të cilat i disponojmë të gjithë, sepse rezultatet e punëve të secilit, dihen tashmë dhe janë publikuar e gjenden në faqet e ndryshme të internetit, në medie e portale, në biblioteka, librari e arkiva.
Për mendimin dhe vlerësimin tim, intelektuali i dëshmuar dhe meritor i një kombi në radhë të parë nënkupton biografinë e pastër jetësore dhe krijimtarinë në nivelin e arrirë profesional, shkencor, qëndrimin parimor, të fortë e të pathyeshëm, në ruajtjen e së drejtës dhe së vërtetës, ruajtjen me çdo kusht dhe me çdo çmim të interesit të kombit, internacionalizmit humanist dhe mirëkuptimit, tolerancës e ndërgjegjes së lartë intelektuale.
Që në fillim të këtij vështrimi dua të citoj, sundimtarin e Prusisë, Frederikun e madh, i cili ka thënë: Unë besoj vetëm në fuqinë e arsyes, në atë arsye që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes, ka veçuar ai, në një letër që ia kishte dërguar filozofit të njohur francez, Volter.
Të dy të përzgjedhurit e mi udhëhiqen nga arsyeja dhe i besojnë asaj.
Një kriter bazë të përzgjedhjes sime, me këtë rast e kam mbështetur, në Talmund, librin e mençurisë dhe urtisë së lashtë hebraike.

Në përkufizimin e njeriut të mençur, Talmudi numëron shtatë cilësi.
Njeriu i mençur nuk flet para atij, që konsideron se është më i mençur.
I mençuri nuk i ndërhyn në fjalë askujt.
Njeriu i mençur nuk ngutet për të thënë përgjigje.
I mençuri i jep përparësi punës kryesore.
Njeriu i mençur, nuk flet për gjëra të kota.
Nuk jep gjykime për gjërat që nuk i ka dëgjuar.
I mençuri vazhdimisht e pranon të vërtetën.

Dy të përzgjedhurit e mi, profesor, Rexhep Qosja dhe profesor, Pëllumb Xhufi, i takojnë dy pjesëve të atdheut etnik, Veriut e Jugut. Edhe pse nuk janë të një moshe, i përkasin një shkolle unike kombëtare, atdhetare. Ata kanë marrë disa tituj meritorë, për punën, aktivitetin e kontributet e tyre. Nuk janë lodhur kurrë në rrëfimin dhe përsëritjen e së vërtetës, kurrë nuk e kanë anashkaluar apo dredhuar të drejtën, kanë qëndruar dhe qëndrojnë vertikalisht dhe nuk janë lakuar për interes personal e grupor, sikur kanë bërë dhe bëjnë shumë të tjerë, kanë mbajtur qëndrim të matur, në kohën kur është kërkuar kjo, nuk kanë kursyer asgjë nga vetja kur e ka kërkuar dhe kur e kërkon interesi i kombit e i atdheut, nuk janë pajtuar me politikanët e sundimtarët, as atëherë kur janë rrezikuar, nuk iu kanë nënshtruar diktateve dhe nuk e kanë reshtur luftën përballë kundërshtarëve, xhelozëve, gjysmakëve, sharlatanëve, nga mesi i klaneve dhe i grupeve të deledashëve, të atyre që vazhdimisht ecin në drejtim të përfitimit, të atyre që pranojnë të përdorën e të shpërdorën për të arritur qëllimet e tyre. Të tillë ka pasur dhe ka me shumicë.
Të dy këta e kanë kuptuar me kohë, konstatimin e Frederikut të Madh, i cili ka konstatuar se, “Fryma shpirtërore e shumicës së njerëzve është e dobët. Më tepër se tri të katërtat e njerëzimit janë krijuar për të qenë robër deri në skajshmëri. Ata kanë frikë vetëm nga ferri dhe djalli. Prore ikin nga njeriu i mençur. Shumica e racës njerëzore është e marrë dhe e mjerë. Teologët na thonë se Zoti e ka krijuar njeriun sipas shëmbëllesës së vet. E unë më kot po gjurmoj. Çdo qenie njerëzore në vetvete e mbanë të njëzuar egërsinë dhe janë të rrallë ata që barbarinë e tyre e mbajnë lidhur në zinxhirë…
Profesor, Rexhep Qosja, edhe në të 86-at e jetës së tij po vjelë suksese (ashtu si në të gjitha stinët, që ka lënë pas), me vështirësitë e kohëpaskohshme dhe ngritjet e përhershme. Me qëndrimin e tij stoik e dinjitar, nuk ka si të mos krahasohet me Sokratin, me dijen e tij erudite nuk ka si të mos na kujtojë, Volterin, me stigmatizimin, që i ka bërë dhe i bën të ligës dhe të keqes, nuk ka si të mos na e kujtojë, Erazmin e Roterdamit, me dashurinë e zjarrtë për kombin e gjuhën, na kujton Naimin, me diskreditimin e veseve të liga të oligarkëve e sundimtarëve, na kujton Fan Nolin, me qëndrimin e tij të paepur e burrëror, gjithnjë në shërimin të së drejtës dhe së vërtetës, na kujton Gjergj Fishtën, e kështu me radhë…Këto krahasime janë të rëndësishme në fenomenologjinë e personaliteteve të caktuara të rëndësisë kombëtare e gjithë njerëzore, po të kemi parasysh nivelet e strukturuara dhe ndikimit që kanë ushtruar dhe ushtrojnë personalitetet e këtij niveli në kohë dhe hapësirë, në mesin e kombeve e popujve.
Profesor, Rexhep Qosja për shumëçka është emër i përveçëm i kulturës, filozofisë, krijimtarisë dhe erudicionit, jo vetëm i nivelit kombëtar, por edhe më gjerë. Mbi të gjitha ai është krijues i pasionuar, njohës i thellë i jetës dhe i ligjeve të saj, studiues ndër më të dalluarit në shumë fusha të krijimtarisë, njohës i kontradiktave shoqërore, historike e politike, mbështetës i fuqishëm i së drejtës dhe i së vërtetës, asaj së drejte dhe të vërtete, që qëndron në ballë të Universit, duke qenë shtyllë e emancipimit të përgjithshëm njerëzor përgjithësisht, e kombëtar veçanërisht. Qosja, është idealist në jetë dhe në krijimtari. I tillë ka qenë dhe ka mbetur, sepse vetëm me një shpirt idealisti, me besim të thellë në të drejtën e në të vërtetën, intelektuali arrin ta përmbushë detyrën, që ia ka shtruar vetes, jo për të bërë emër me çdo kusht, jo për të qenë kurdoherë i pari, por për të lënë vepra që edukojnë, mësojnë, frymëzojnë dhe përçojnë mesazhin e së mirës, njerëzores, besës, nderit, krenarisë së ligjshme, që buron nga mirësia e humanizmi. Këto vlera janë të shprehura e të trajtuara kudo në krijimtarinë e profesor doktor, Rexhep Qoses.

Profesor, Pëllumb Xhufi tani në të 70-at e jetës, ka arritur të njihet si studiues i veçantë me një kapital të madh krijues në shumë fusha të dijes, sidomos në histori, pastaj në studimet ndër më të ndryshmet dhe më të panjohurat të historisë, veçmas të asaj kombëtare, hulumtime të periudhave më pak të njohura të historisë, veçmas të mesjetës, përthime profesionale, në lëmenj të ndryshëm të dijes, intervista të gjata, me përmbajtje të gjithanshme, të stisura me gjuhën e fakteve, ku hetohet niveli enciklopedik i dijeve, të manifestuara me një retorikë elokuente të pasur, të faktuar, të argumentuar e të dëshmuar.
Edhe profesor, Pëllumb Xhufi, është mbrojtës i zellshëm i së vërtetës, i patundur në bindjet e tij, të cilat i manifeston me gjuhën e fakteve, duke i ilustruar me të dhëna shkencore, përmes një metodologjie të përparuar, gjithnjë në hap me zhvillimet më të reja të shkencës.
Studimet e profesor Xhufit, shkëlqejnë si nga metodologjia e profesionalizmi, ashtu edhe nga gjuha e pasur shkencore e letrare, nga gjuha që kuptohet nga të gjithë lexuesit, sepse ai komunikon me të gjithë, duke qenë zotërues i mendimit të shprehur me përmbajtje të kuptueshme, por të thellë në observime, të paraqitur me pedanteri dhe elokuencë para publikut lexues.
Pëllumb Xhufi bashkë me profesor Kristo Frashrin (tani i ndjerë), janë shembuj të veçantë të mbrojtjes së kombit dhe historisë së tij, shembuj nga më të dalluarit të mbrojtjes me të dhëna e argumente shkencore, të çdo periudhe të jetës sonë kombëtare, të shqiptarëve të ndarë në disa shtete, por të bashkuar me mendje e zemër, me besim të patundur se një ditë do të bëhemi bashkë me hir, apo pa hir të fqinjëve grabitçarë, arrogantë e mujsharë.
Profesor Xhufi i takon shkollës kombëtare shqiptare të historisë dhe albanologjisë nga më të njohurit sikur janë: Aleks Buda, Eqrem Çabej, Androlki Kostallari, Selami, Rexhep Qosja, Marenglen Verli, Kristo Frashri, Stefanaq Pollo, Mahir Domi, Zija Shkodra, Ali Hadri, Muhamet Tërnava, Kristaq Prifti, Aleksandër Xhuvani, Dhimiter Shuteriqi, Shaban Demiraj, Selami Pulaha Idriz Ajeti, Hakif Bajrami, Muhamet Pirraku, Fadil Sylejmani, Jakup Krasniqi, Hysen Matoshi, Sabit Syla e disa të tjerë…

Qëndrimi kurdoherë vertikal, i Rexhep Qoses, ka frymëzuar rininë atdhetare veçmas në vitin 1981, kur ai publikisht përkrahu kërkesat emancipuese kombëtare për liri, barazi e drejtësi, pavarësisht se regjimi nuk do t’ ia falte dhe do ta mbante në shënjestër, por edhe në kujdes, në mënyrë që të mos e bënte më shumë kundërshtarë hero për së gjalli, ashtu sikur kishte bërë, Adem Demaçin, ashtu sikur do ta bënte edhe Ukshin Hotin e disa të tjerë, në rastin dhe kohën konkrete, edhe krejt pak të tjerë, nga elita intelektuale e kohës.
Derisa në vitet shtatëdhjetë, Qosja përballej me fushatën, që kishin ndërmarrë kundër tij tërë një staf kameleonësh, burracakësh xhelozë, mediokër partiakë, servilë të pushtetit dhe “jatakë-jetikë” besnikë të bashkim-vëllazërimit, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ai do t’i mbrojë me konsekuencë, trimëri e mençuri kërkesat e rinisë së barrikadave të vitit 1981. Shkrimet e tij asokohe botoheshin në Kroaci, Slloveni, Bosnje e ndonjë edhe në Serbi. Dhe nuk duhet harruar se ishin vetëm shkrimet e tij që kishin thyer sadopak perden e hekurt të censurës së kohës. Është krejt e natyrshme të çmohet dhe të besohet se edhe një pjesë e pushtetarëve të Kosovës do ta mbronte Qosen, dhe e kishte mbrojtur, veçmas, Fadil Hoxha, sepse Beogradi zyrtar krejt hapur kishte nisur fushatën në shkallë të gjerë, për të provuar prapakthimin në proceset historike, duke fajësuar të gjithë shqiptarët si nacionalistë e irredentistë, me qëllim që të varrosej ideja e çlirimit dhe bashkimit të tyre.
Qosja i takon kohës së vet, kohës sonë historike. Vendlindja e tij gjeografikisht i takon, pjesës së ndarë dhunshëm të trojeve shqiptare, e cila ka mbijetuar me mund, djersë, gjak dhe ka arritur, që në kushte tejet specifike dhe me sakrificë të papërshkrueshme ta ruajë madje edhe ta begatojë identitetin kombëtar e kulturor, qoftë mëvetësishëm, qoftë në akord me pjesën tjetër të pavarur të Shqipërisë, që nga vitit 1912.
I lindur në një trevë të Shqipërisë, ku gjaku shqiptar kishte rrjedhë lumë, për ta mbrojtur me çdo kusht dhe me çdo çmim, Plavën, Gucinë, Anamalin e Ulqinin, ai ishte rritur me preokupimet e brezit të tij, në radhë të parë për të siguruar ekzistencë dhe kushte minimale për jetë…
Pastaj, falë zgjuarsisë, përkushtimit dhe përvetësimit të diturive, ai do të hapë vetë të gjitha dyert, që e çuan në Panteonin e madh.
Gjatë atij rrugëtimi si çdo intelektual i kalibrit të tij, do të ndeshej edhe me botën tjetër të veseve, ligësive, nopranive, xhelozisë, urrejtjes, fodullëkut dhe tërë një bote që bënte gjumin e gjatë, shekullor të pacifizmit.
Në rrugë për të sheshuar idetë dhe qëndrueshmërinë e tyre, me metodën shkencore për analizë, tezë e sintezë, në rrugë për të dëshmuar dijen faktike me fakte e dëshmi, profesor Qosja prore është ndeshur me bashkëkohësit dhe asnjëherë nuk ua ka ndalur kritikat për demaskimin e mentalitetit të tyre profan, shantazhues, injorues, përfitues favoresh, servilë të pushtetarëve, sajues kurthesh, mediokër të përjetshëm të moçalishtes, që kishte lënë trashëgim robëria shumëshekullore.
Ai kishte përballuar me shumë sukses fushatat kundër tij, madje u kishte bërë edhe analizën, duke ua caktuar edhe anamnezën, diagnozën, duke ua çjerrë maskat dhe duke i zhveshur nga stolitë e rreme dhe titujt, me të cilët kishin mbushur gjokset, sa për të fituar një post, apo një favor.
Si çdo intelektual me gjen të pastër shpirtëror dhe përgatitje meritore shkencore, profesor Qosja nuk do të lejonte kurrë të binte pre e politikave të ditës, pre e makinacioneve e prapaskenave të neveritshme. Ai gjatë tërë jetës së tij ka ruajtur Unin e vet, ka ruajtur dhe ruan me konsekuencë të drejtën dhe të vërtetën, edhe atëherë kur është rrezikuar edhe atëherë kur është izoluar dhe kur e kanë anatemuar padrejtësisht. Me kohë ka ngritur zërin kundër pacifizmit inert, kundër berishizmit të rrezikshëm, kundër të gjitha izmave që kanë dëmtuar interesin kombëtar të shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë dhe që vazhdojnë ta dëmtojnë…
Profesor Qosja, me të drejtë ndihet krenar për jetën dhe veprën, për qëndrimin konsekuent atdhetar, për ndikimin që ka ushtruar në brezat çlirimtarë, për fjalën e thënë troç e pa hile, për një jetë të tërë në shërbim të së mirës, të kombit, përparimit, emancipimit dhe mbi të gjitha për integritetin, dinjitetin, burrërinë, mençurinë, modestinë dhe me tërë ato virtyte të larta, që i bëjnë nder dhe që prore ka rrezatuar dhe rrezaton nderim, respekt e njerëzi…
Të gjithë ne që jemi edukuar me veprat dhe qëndrimin e tij të paepur e burrëror, ndihemi po kështu krenarë, sepse duke pasur prijës shpirtërorë si Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, me qëllim për të realizuar aspiratat, mësimet dhe synimet e tyre kemi mbështetur fuqishëm Adem Legjendarin dhe luftën e drejtë të tri ushtrive tona çlirimtare…
Pëllumb Xhufi ka lindur, është rritur dhe edukuar në një ambient tjetër, në Shqipërinë Socialiste të kohës, në Shqipërinë e cila sapo ishte çliruar me forcat e veta nga barbaria e së kaluarës, në Shqipërinë e përgjysmuar tërë plagë e vurrata, e cila kishte filluar rrugëtimin e ri, drejt ndërtimit, përparimit, sigurimit të bukës për qytetarët dhe fillimin e shërimit të plagëve që kishte lënë jo vetëm Lufta e Dytë Botërore, por edhe e kaluara shumë shekullore nga një robëri në tjetrën.
Ai kishte pasur fatin se i takonte një familjeje atdhetare, që kishte dhënë kontribut në çlirimin e Atdheut dhe qysh në fëmijërinë e tij kishte marrë edukatë kombëtare, edukatë socialiste mbi parimet e lirisë, drejtësisë, barazisë, humanizmit, vlera këto të pakontestueshme të këtij orientimi ideologjik, i cili i ka përballuar me sukses, botës tjetër, të shtypjes e shfrytëzimit, botës ku peshku i madh gëlltit të voglin, ku i vogli gëlltit atë që është më i vogël, dhe i vogli i vogël fare, duke mos pasur çka gëlltitë, gëlltitet, sapo të dalë në jetë.
Pëllumb Xhufi, ashtu si tërë gjenerata e tij kishte jetuar dhe ishte edukuar me entuziazmin e ndërtimit të atdheut, me dashurinë dhe përpjekjet për të arritur sa më shumë dije dhe për ta vënë atë në shërbim të përgjithshëm, në shërbim të ngritjes së mirëqenies së përgjithshme, por fillimisht duke u pajisur me sa më shumë dituri për veten.
Në rrugëtimin e tij arsimor, pedagogjik, ishte treguar shumë i zellshëm dhe i suksesshëm, andaj edhe Shteti e kishte dërguar në Itali për të përparuar dijen në fusha dhe lëmi, të cilat ende nuk ishin arritur në Shqipëri.
Orientimi ideologjik, politik, nuk iu kishte bërë pengesë për të studiuar të kaluarën, për t’ u pajisur me dituri, sepse jetonte me kohën e rizgjimit, në kohën e vet, së cilës i ka dhënë në kontribut të veçantë, me dashuri e përkushtim për atdheun për shqiptarët e ndarë fizikisht në disa shtete, por të bashkuar nën një flamur, me një gjuhë, kulturë, traditë dhe rrugëtim drejt përparimit, emancipimit e bashkimit të kombit.
Profesor Xhufi, në vitet e “demokracisë”, në parim kishte pranuar rrugëtimin e ri që pretendonte ta shpallte fitoren historike kundër së kaluarës, jo duke e kritikuar për lëshimet, devijimet, deformimet e mundshme, jo duke ia njohur meritat e shumta, meritat kolosale në shumë fusha të dijes, zhvillimit, përparimit, por duke pretenduar që 45 vitet e Shqipërisë Socialiste të etiketoheshin si faqet më të zezë të historisë, në përpjekje për të krijuar një rend të ri, të quajtur demokratik, por në esencë ishte krijuar një rend anarkik, i ndërtuar nga e njëjta ADN politike në brendi, por i ndërruar në formë i improvizuar dhe i kallajisur me reklamën kapitaliste.
Në ballafaqim me realitetin e ri, që verbalisht sulmonte të kaluarën si burimin e pashtershëm të së keqes, me pretendime, jo vetëm për të hequr dorë nga ajo, por me përpjekje për hakmarrje, mbeturinat bejlere, fashiste, kolaboracioniste e mercenare, menduan se kishte ardhur koha e tyre dhe dolën në sipërfaqe në dukje si lugetërit e përrallave, por në brendi me pretendime për ta kthyer kohën prapa, për ta ringjallur kohën e tyre të varrosur dhe për të zhvatur e plaçkitur çdo gjë që mund zhvatej e të plaçkitej.
Në ballafaqim me këtë botë mujshare, mercenare, neofashiste, shumë intelektualë u dorëzuan, e shumë të tjerë qëndruan të patundur, jo për ta mbrojtur me fanatizëm të kaluarën, por duke kërkuar baraspeshë, me qëllim të pajtimit, përparimit e zhvillimit mbi baza të shëndosha kombëtare e shoqërore, me qëllim për mos lejuar luftën e brendshme dhe të dëmshme për proceset e reja, gjithnjë të quajtura demokratike.
Në këtë rrugëtim, profesor Pëllumb Xhufi, ka ecur dhe ecën vertikalisht, gjithnjë me qëndrim për të ruajtur dhe begatuar parimet, për të ruajtur vlerat e vërteta kombëtare e shoqërore, për të ruajtur trashëgiminë afirmative, ashtu si Rexhep Qosja dhe disa të tjerë.
Në studimet e tij shkencore, në debatet dhe prononcimet publike, me pjesëmarrje në aktivitete shkencore, kulturore e shoqërore, gjithnjë është paraqitur dhe paraqitet me vetëpërmbajtje, qartësi mendimesh, shprehur me gjuhën e fakteve e argumenteve, duke i qëndruar besnik së vërtetës, së drejtës dhe interesit kombëtar e njerëzor. Mbi këto parime, profesor Pëllumb Xhufi ka arritur të krijojë unin e tij të mendimtarit, filozofit, shkencëtarit dhe studiuesit të kompletuar, i gatshëm kurdoherë për t u ballafaquar me sfidat e shumta dhe të pashtershme që i parashtron koha, njerëzit, klanet, grupet e interesit…
Në ballafaqime të tilla, ai kurdoherë është vetvetja, pasi qëndron i patundur në parimet bazë të dijes, kulturës së vetëpërmbajtjes, ruajtjes së ekuilibrit si gjatë studimeve historike e të tjera, po ashtu edhe gjatë debateve përmes një metodologjie kreative, duke demonstruar të vërtetën e argumentuar me fakte, duke nxjerrë në sipërfaqe të dhëna e dëshmi që nuk mohohen dot…
Rexhep Qosja e Pëllumb Xhufi janë dy emra të përveçëm të botës intelektuale shqiptare të kohës sonë. Natyrisht se ka edhe të tjerë, por kjo ishte përzgjedhja ime, kësaj radhe, në 86-vjetorin e lindjes së profesor, Rexhep Qoses.