Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler ka pasur kritika të forta ndaj emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një diskutim në Bruksel, Gahler i tha Lajçakut se po anon më shumë kah agresori sesa kah viktima,
“Duke parë aktivitetet tuaja që kur e keni marrë funksionin tuaj, ju shoh më tepër në anën e agresorit, jo të viktimës në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Apo e ndjeni besimin e serbëve dhe kosovarëve?”, ka pyetur ai.
Gahler i ka përmendur veprimet destruktive të Serbisë dhe koordinimin e politikës së saj të jashtme me Rusinë, duke theksuar se këto dihen.
“Ajo që nuk e di, zoti Lajçak, është reagimi juaj ndaj presidentit serb dhe qeverisë së tij. A nuk duhej ta kritikonit publikisht edhe Vuçiqin? A nuk duhej që BE-ja të ndalonte apo të kërcënonte se do ta pakësonte fluksin e parave në Serbi? A nuk duhet t’i drejtoheni nacionalizmit serb që është shkaku kryesor i pasigurisë dhe frikës në të gjithë Ballkanin Perëndimor? Cilat janë fjalët tuajs dhe të Borrell për qytetarët e Serbisë që protestojnë në numër të madh kundër qeverisë së tyre?”, ka pyetur ai.
“Mendoj se Kosova është vendi më properëndimor në rajon me arritje politike që tregojnë në drejtimin tonë, arritje kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë stabile, rritje ekonomike, një qeveri me mbështetje të lartë publike dhe në linjë 100% me deklaratat e politikës sonë të jashtme”, tha Gahler.
Eurodeputeti gjerman tha se Kosova “po kërkon ndërmjetës të ndershëm”.
“Dhe Kosova është e hapur për një zgjidhje të balancuar me Serbinë, por po kërkon ndërmjetës të ndershëm që nuk e qetësojnë presidentin serb”, tha ai.
Gahler e pyeti Lajçakun se kur do të kthehet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nga konfrontimi në bashkëpunim, nga nacionalizmi në njohje dhe ta bëjë “një ndryshim politik që do të meritonte vërtet mbështetjen e BE-së”.
“Dhe nuk do të hyja në detaje të mëtejshme në atë që kemi parë me siguri se kush ishte i përgatitur të nënshkruante diçka ose kujt iu kërkua të kishte ndonjë nënshkrim në një letër të bardhë”, tha në fund Gahler ( lajm marrë nga TV Syri).