Shkruan: Prof. dr. Haqif Mulliqi
Studimi i munguar për dramën dhe aspektet dramatologjike të saj nis me trajtimin dhe hulumtimin e formave krijuese dramaturgjike duke përdorur metodën krahasuese për t’i gjetur divergjencat dhe konvergjencat e krijimeve letrare e skenike nëpër etapat e ndryshme të kësaj krijimtarie si dhe këmbëngul për t’i shenjuar shkaqet që kanë ndikuar në lindjen e teatrit dhe dramës.
Faktorët që fillimisht kanë determinuar lindjen e institucionit teatror dhe aktit krijues të dramës si objekt estetik janë kundruar në relacion të nevojës për ndryshimin ose mosndryshimin e tyre në kontestin historik (sipas formacioneve stilistike letrare) që prej lindjes së teatrit deri te drama moderne botërore duke provuar të kapen, analizohen, krahasohen dhe trajtohen drama dhe autorë që shënojnë epoka, përfaqësojnë shkolla e stile, të cilët me ndikimin e tyre kanë krijuar mundësi të reja zhvilluese dramaturgjike-dramatologjike e skenike-teatrore, qoftë në aspektin e trajtimit të temave, motiveve, qoftë për mënyrën e trajtimit dhe ndërtimit të personazheve, ideve, qasjes autoriale etj.
Studimi konceptohet sipas qëllimit për t’i shënuar pikiatat më të rëndësishme e domethënëse në zhvillimin stilistik dhe dramatologjik të dramës dhe teatrit që nga antika: nis me Prometheun e Eskilit e përfundon me Zonjën Woren të B. Shaw.
Po ashtu, është provuar të shënohen ndikimet kardinale të atyre faktorëve brenda të njëjtit formacion si dhe të nxirren reflektimet tyre shumëdimensionale në periudhat e ndryshme krijuese dramatike-dramatologjike dhe teatrore.
Ndikimet e zhvillimeve të fushave të shumta shkencore, filozofike a teknologjike kanë kushtëzuar ndryshimet kah hapja e perspektivave të reja për krijimet letrare e skenike si dhe për rikrijimin e dimensioneve dhe raporteve të krijuesve të dramës e të teatrit. Ridimensionimi, përkundër se ka zgjeruar gamën tematike, estetike, stilistike a të trajtimeve kritike, asnjëherë nuk ia ka dalë (as nuk do t’ia dalë) ta ndryshojë esencën e teatrit dhe të dramës krahasuar me gjenezën.
Mosndryshueshmëria e “tharmit” të teatrit si sublimat i formës autentike shprehëse edhe përkundër iks formave shprehëse teatrore a dramaturgjike vjen deri në ditët tona, së paku me katarzën, ndonëse ka pasur dhe ka pretendime të mohohet efekti katarktik i teatrit. Plasticiteti, karakteri, shumëdimensionaliteti dhe efektet katarktike janë të njëjta për aq sa raca njerëzore është e njëjtë sot (përkundër nivelit të zhvillimit teatror) krahasuar me dje (kur ka lindur teatri). Është e vërtetë se ndikimi i katarzës është shumë më i fuqishëm, fjala vjen, nga veprat antike greke të zhanrit të tragjedisë, të cilat trajtohen në këtë studim, që përfshin autorët dhe veprat më emblematike të kësaj periudhe, (Eskli – Prometheu i lidhur; Antigona; Euripidi –Medea) për t’u pasuar me autorin më emblematik, W. Shekespeare me kryeveprën e dramaturgjisë botërore Hamleti.
Doktrina e klasicizmit francez, mendimi teorik, rregullat për përcaktimin e formës së artit së periudhës së neoklasicizmit si formacion krijues provohen në mënyrë praktike me veprën Sidi të P. Kornejt, ndërsa kapërcimi i madh në të shkruarit të dramës pasqyrohet me përfaqësuesin e madh skandinav H. Ibsen. Ky kapërcim, në fakt, është dalje në një terren tjetër të dramës: në dramën moderne. Ky kalim, në studimin monografik të dramaturgjisë botërore të Emin Z. Eminit, na shpërfaqet vetëm pasi të hetohen zhvillimit historike, stilistike dhe dramatologjike edhe në formacionin e romantizmit, nëpërmjet trajtimit shkencor të veprave të letërsisë dramatike (dhe jo vetëm) si dhe duke analizuar nga shumë aspekte personazhet e tyre. Pra, nga neoklasicizmi, romantizmi, natyralizmi e deri te modernizmi. Studimi pasohet pastaj me Norën e Ibsenit dhe Zonjën Woren të dramatistit të madh B. Shaw.
Dramaturgjia moderne si letërsi nis me kalimin prej natyralizmit në modernizëm me Ibsenin, ndërkaq produksioni teatror modern nis me sistemin e B. Brehtit, i cili sjell kapërcimin prej teatrit aristotelian, përkatësisht teatrit të Stanislavskit, në teatrin epik, gjë që specifikohet dhe trajtohet në këtë studim për dramën botërore.
Trajtohen edhe veprat dramatike që kanë shënuar hapa të mëdhenj dhe të rinj në aspektin e krijimtarisë artistike-estetike duke provuar me argumente shkencore të përcillet kurba e zhvillimeve dramatologjike si dhe ndikimet e ndryshme të formacioneve stilistike në krijimin dhe zhvillimin e dramës si letërsi, por edhe si art skenik, gjithmonë nëpërmjet trajtimit analitik të sistemeve teatrore.