Evoluime historike dhe dramatologjike në dramën botërore

Shkruan: Prof. dr. Haqif Mulliqi

Studimi i munguar për dramën dhe aspektet drama­tologjike të saj nis me trajtimin dhe hulumtimin e for­mave krijuese dramaturgjike duke përdorur metodën krahasuese për t’i gjetur divergjencat dhe konvergjen­cat e krijimeve letrare e skenike nëpër etapat e ndrysh­me të kësaj krijimtarie si dhe këmbëngul për t’i shenju­ar shkaqet që kanë ndikuar në lindjen e teatrit dhe dra­mës.

Faktorët që fillimisht kanë determinuar lindjen e institucionit teatror dhe aktit krijues të dramës si ob­jekt estetik janë kundruar në relacion të nevojës për ndryshimin ose mosndryshimin e tyre në kontestin his­torik (sipas formacioneve stilistike letrare) që prej lin­djes së teatrit deri te drama moderne botërore duke pro­vuar të kapen, analizohen, krahasohen dhe trajtohen drama dhe autorë që shënojnë epoka, përfaqësojnë shkolla e stile, të cilët me ndikimin e tyre kanë krijuar mundësi të reja zhvilluese dramaturgjike-dramatolo­gjike e skenike-teatrore, qoftë në aspektin e trajtimit të temave, motiveve, qoftë për mënyrën e trajtimit dhe ndërtimit të personazheve, ideve, qasjes autoriale etj.

Studimi konceptohet sipas qëllimit për t’i shënuar pikiatat më të rëndësishme e domethënëse në zhvilli­min stilistik dhe dramatologjik të dramës dhe teatrit që nga antika: nis me Prometheun e Eskilit e përfundon me Zonjën Woren të B. Shaw.

Po ashtu, është provuar të shënohen ndikimet kardi­nale të atyre faktorëve brenda të njëjtit formacion si dhe të nxirren reflektimet tyre shumëdimensionale në periudhat e ndryshme krijuese dramatike-dramatolo­gjike dhe teatrore.

Ndikimet e zhvillimeve të fushave të shumta shken­core, filozofike a teknologjike kanë kushtëzuar ndry­shimet kah hapja e perspektivave të reja për krijimet letrare e skenike si dhe për rikrijimin e dimensioneve dhe raporteve të krijuesve të dramës e të teatrit. Ridi­mensionimi, përkundër se ka zgjeruar gamën tema­tike, estetike, stilistike a të trajtimeve kritike, asnjëherë nuk ia ka dalë (as nuk do t’ia dalë) ta ndryshojë esen­cën e teatrit dhe të dramës krahasuar me gjenezën.

Mosndryshueshmëria e “tharmit” të teatrit si subli­mat i formës autentike shprehëse edhe përkundër iks formave shprehëse teatrore a dramaturgjike vjen deri në ditët tona, së paku me katarzën, ndonëse ka pasur dhe ka pretendime të mohohet efekti katarktik i tea­trit. Plasticiteti, karakteri, shumëdimensionaliteti dhe efektet katarktike janë të njëjta për aq sa raca njerëzo­re është e njëjtë sot (përkundër nivelit të zhvillimit tea­tror) krahasuar me dje (kur ka lindur teatri). Është e vërtetë se ndikimi i katarzës është shumë më i fuqi­shëm, fjala vjen, nga veprat antike greke të zhanrit të tragjedisë, të cilat trajtohen në këtë studim, që për­fshin autorët dhe veprat më emblematike të kësaj per­iudhe, (Eskli – Prometheu i lidhur; Antigona; Euri­pidi –Medea) për t’u pasuar me autorin më emblematik, W. Shekespeare me kryeveprën e dramaturgjisë botë­rore Hamleti.

Doktrina e klasicizmit francez, mendimi teorik, rre­gullat për përcaktimin e formës së artit së periudhës së neoklasicizmit si formacion krijues provohen në mënyrë praktike me veprën Sidi të P. Kornejt, ndërsa kapër­cimi i madh në të shkruarit të dramës pasqy­rohet me përfaqësuesin e madh skandinav H. Ibsen. Ky kapër­cim, në fakt, është dalje në një terren tjetër të dramës: në dramën moderne. Ky kalim, në studimin monogra­fik të dramaturgjisë botërore të Emin Z. Eminit, na shpërfaqet vetëm pasi të hetohen zhvillimit historike, stilistike dhe dramatologjike edhe në formacionin e romantizmit, nëpërmjet trajtimit shkencor të veprave të letërsisë dramatike (dhe jo vetëm) si dhe duke ana­lizuar nga shumë aspekte personazhet e tyre. Pra, nga neoklasicizmi, romantizmi, natyralizmi e deri te moder­nizmi. Studimi pasohet pastaj me Norën e Ibsenit dhe Zonjën Woren të dramatistit të madh B. Shaw.

Dramaturgjia moderne si letërsi nis me kalimin prej natyralizmit në modernizëm me Ibsenin, ndërkaq pro­duksioni teatror modern nis me sistemin e B. Brehtit, i cili sjell kapërcimin prej teatrit aristotelian, përkatësisht teatrit të Stanislavskit, në teatrin epik, gjë që specifiko­het dhe trajtohet në këtë studim për dramën botërore.

Trajtohen edhe veprat dramatike që kanë shënuar hapa të mëdhenj dhe të rinj në aspektin e krijimtarisë artistike-estetike duke provuar me argumente shken­core të përcillet kurba e zhvillimeve dramatologjike si dhe ndikimet e ndryshme të formacioneve stilistike në krijimin dhe zhvillimin e dramës si letërsi, por edhe si art skenik, gjithmonë nëpërmjet trajtimit analitik të sistemeve teatrore.