Fjala artistike e shoqëruar me porosinë e shkëlqyer atdhedashëse

Nga Isuf Ismaili

Shpesh herë më ka ndodhur të lexoj shkrime e poezi, por edhe romane a tregime të ndryshme, të cilat i kam lexuar edhe më parë. Vargjet e një kënge të Malësisë së Gjakovës, në Tropojë “N’qaf t’Morinës qielli krisi” më bënë përshtypje të madhe, edhe tani kur i rilexova, sidomos vargjet:

“S’ ndahet zemra me gur kufini,
S’ ka traktat që e ndan shpirtin.”

Këngëtari popullor i ka gdhendur në mendjen e tij fjalët e vargjet më të mira për heronjtë e dëshmorët, për të bëmat heroike, për ruajtjen e trevave shqiptare, për shpirtin e shqiptarit në shekuj, për tokën e të parëve, për njëjtësinë etnike, gjuhësore, për bashkimin e Atdheut, por edhe vargje dhembjeje ka gdhendur për të kaluarën e hidhur, të zezë, nën pushtimet e huaja, për copëtimin e trevave tona, që na i ndanë në disa shtete, pikërisht, fqinjët tanë të pabesë, të egër e barbarë, veprime këto të mbështetura edhe nga shtetet e fuqishme europiane, sepse donin t’i mbanin ngrohtë serbët, grekët etj., duke mos dashur të cenohen interesat e tyre qoftë me diktatin rus e pushtuesit serbë e grekë, në trojet shqiptare.
Këto fjalë e këto vargje këngëtari popullor i ka kënduar me pasion e sipas ngjarjeve ka shprehur edhe botën emocionale e shoqëruar me figurat e krahasimet, me mjetet e artit poetik – muzikor.
Kënga e ka shoqëruar qenësinë shqiptare, si një qetësues i shpirtit tonë të trazuar, nga vuajtjet e stërmundimet, nga dhimbjet e plagët, duke e përcjellë me notat e ngjyrimet artistike. Pikërisht, këngët e tilla janë bërë të pranueshme, motivuese për qëndresë e për krenari të ligjshme njerëzore e atdhetare, për rezistencë e mobilizim të forcave tona, por edhe për përulje e nderim të gjithmonshëm para heronjve e dëshmorëve, të cilët nuk kishin se ç’ të jepnin më shumë se pikën e fundit të gjakut e frymën e fundit për të shenjtin Atdhe, për lirinë që gëzojmë sot në disa nga pjesët më të mëdha shqiptare.
Për anën artistike e fuqinë e vargjeve dhe ndikimet në masa e gjëra, profesor Ahmet Qeriqi ka shkruar:
“Në studimet dhe vrojtimet e mia për këngën shqiptare, këngëtarët e këngëtaret e të gjitha trevave tona nga Çamëria, nga kënga arvanitase e mallit dhe e humbjes historike të identitetit gjuhësor e kombëtar, kënga arbëreshe e mbijetesës shekullore, dhe këngët e të gjitha trevave shqiptare, kam vërejtur në radhë të parë begatinë e madhe dhe të shumëllojshme të shprehjes së botës artistike shqiptare përmes këngës e valles, dhunti këto që Hyji i ka dhënë njeriut, këngëtarit, për të qenë subjekt dhe objekt i shprehjes artistike.”
Kënga që po e marrim në shqyrtim, është një këngë që i bën jehonë ngjarjeve të dhembshme, kur forcat barbare serbe e malazeze e kishin pushtuar një pjesë të madhe të Shqipërisë së natyrshme, siç është Kosova e viset të tjera nën Serbi, nën Malin e Zi e nën Maqedoninë e Veriut. Forcat ushtarake serbe kishin marshuar drejt Tropojës, Malësisë së Gjakovës e që kishin synuar të marshonin drejt Adriatikut, siç na thotë kënga popullore, fillimisht, për të vënë kufi te lumi Drin, por siç dihet historikisht, donin ta pushtonin edhe pjesën tjetër të Shqipërisë, të dilnin në Adriatik e ta ndanin me grekët edhe atë pjesë gjysmake të Shqipërisë që mbeti si shtet i lirë pas vitit 1913.
Por si retë me shiun rrebesh, luftëtarët shqiptarë u hodhën mbi armikun, ndaj këngëtari popullor na thotë se: “

“Krisi reja nëpër male
Nuk jan’ re, po pushk’ shqiptare,”

Por, edhe dhembja shprehet se ranë dëshmorë njëzeteshtatë luftëtarë shqiptarë, por edhe krenaria shprehet me vargjet, kur këngëtari i kujton Serbisë dhe veshoviqëve se i njihni mirë djemtë e Shqipërisë, njihni mirë Shqipërinë që ju hedh në lumin Drin, siç i hodhi Luma e Dibra me Elez Isufin e shumë luftëtarë të shquar shqiptarë.
Kënga është motivuese, është e përshkruar me mjete artistike, me figura të gdhendura që na shfaqin emocione, dhimbje, sepse jo vetëm pushtuesit, por edhe kancelaritë evropiane, evropianët e Bismarkut i bekuan ndarjet barbare, gjymtimet që iu bën Shqipërisë. Dhimbja shprehet te vargjet: “Ndave djepa, ndave vorre,”
Malësia e Gjakovës, Tropoja, Kruma, Hasi e Kosova siç janë edhe trevat të tjera si Luma e Dibra, por edhe Pogradeci e Struga, Çamëria e trevat të tjera shqiptare janë të lidhura me djepe e varre, me farë e më fis, me vëllazëri e dashuri. Në këto treva ka raste kur një pjesë e familjes, e miqësisë, e rrethit të gjerë prej gjaku e rrethit shoqëror ngeli e ndarë, nga kufijtë e mallkuar që ia vunë në mes Shqipërisë.
Por këngëtari popullor krenarisht i gdhendi vargjet:

“S’ ndahet zemra me gur kufini,
S’ ka traktat që e ndan shpirtin.”

Është një gjetje artistike, me një peshë të madhe emocionale, me porosi e me motivim, me krenari e guxim që e shfaqën shqiptarët andej e këndej kufirit.
Shkrimtari ynë i madh, profesori i nderuar Fadil Kraja, një nga dramaturgët tanë më të shquar, në një intervistë ka theksuar se kur u shfaq drama “Baca i Gjetajve” në Prishtinë, pra në prag të viteve tetëdhjeta, të shekullit të kaluar, aktori i madh Ndrek Luca duke i pyetur në rolin e tij, djemtë e bajraktarit, tha ndër të tjera:
− Po ju me kë jeni? – ndërsa, pa pritur fare Ndreka, pa se publiku prishtinas ishte çuar në këmbë dhe kishte brohoritur :
− Po me ty o Bacë!

Aktori i madh duke ndjerë në shpirt emocionin e përbashkësinë vëllazërore,− ua kthen:
− He ju pastë baca! Atdheu do t’ua dijë nder.

Fjalët e publikut dhe ato të fundit të Ndrek Lucës nuk ishin paraparë, por këto janë në vërtetësia e atyre vargjeve, të cilat kanë simbolikë zemrën që nuk mund ta ndajë asnjë gur kufiri, shpirtin që nuk mund ta ndajë asnjë traktat politik e diplomatik.
Vargjet e veçanta të këngëve, të poezive të artit letrar, veshja e mrekullueshme artistike, simbolika e tyre na fusin në mendime të thella, na kujtojnë gjithë historinë e atdheut, sakrificat e mëdha etj.
Këngët, librat, dramat, filmat dhe gjithë pasuria e kulturore me motive të pastra atdhetare që na vinte nga Tirana, nga Shkodra, nga Tropoja, Kukësi, nga Gjirokastra e Vlora, nga ajo pjesë e Atdheut të lirë për ne shqiptarët e robëruar qe e freskët, shpresëdhënëse, frymëzuese, vinte e dashur si drita e syve, si zemra që nuk pranon kufij, ndaj u formuan edhe breza të tërë atdhetarësh, duke pasur për bazë edhe të gjithë atë begati shpirtërore të shqiptarisë e të tingujve të ëmbël të shqipes së bilbilave si Naimi e Çabej, na vinte si shpirti i përbashkësisë sonë, ndaj edhe prej gjithë kësaj kamje atdhetare që na vinte prej andej, u formuan edhe tri ushtritë shqiptare në trojet e robëruara e Shqipërisë së tërësishme si: UÇK – ja në Kosovë, UÇPMB- ja në Preshevë, Bujanofc e Metvegj dhe UÇK – ja në trojet shqiptare nën Maqedoni.
Me këngën e çetës së Heroit të Popullit Çerçiz Topulli, luftonte edhe Heroi tjetër i Popullit Adem Jashari, së bashku me heronjtë e dëshmorët tjerë, të cilët janë heroizëm e madhështi e gdhendur e faqeve të shkëlqyera të historisë sonë, dritë e jetë e shqiptarësisë sonë.
Duke udhëtuar për në Tiranë, para pak vitesh, me profesor Ahmet Qeriqin e vura re gjallërinë emocionale të tij, kur po i afroheshim Kukësit. Ai qe i lodhur nga pagjumësia, kur u nisëm nga Prishtina, sepse qemë zgjuar shumë herët, por kur arritëm afër Kukësit më tha:
− E kemi ëndërruar për një kohë shumë të gjatë, ta shohim këtë pjesë të Atdheut, ndaj ndjehemi mirë, shumë mirë, edhe tani kur e shohim kaq shpesh, më duket se gjithë lodhja më iku.”
Kjo është ajo zemra që nuk e ndajnë gurët e kufirit, ky është ai shpirti që nuk e ndanë asnjë traktat, as i Bismarkut, as i Londrës e as i serbëve e as i grekëve.

Për atdheun kanë shkruar shumë shkrimtarë, po mua më ka pëlqyer edhe një fjali e mbushur plot me dashuri e porosi atdhetare për brezat e rinj, e shkruar nga shkrimtari i shquar polak A. Mickiewiez: “Atdheu nuk jeton në hartat gjeografike, por në zemrat njerëzore.“
Këto vlera e këto porosi që i marrim nga veprat, nga këngët, nga kuvendimet me shokë, miq e nga profesorë e akademikë e nga historia e mbi të gjitha nga dëshmorët e heronjtë t’i çojmë në zemrat e mendjet e të rinjve tanë, të jenë edhe ata të pajisur me këto vlera e me qëllime të larta atdhetare e njerëzore.
T’i bashkojmë trojet e gjuhës shqipe sot, se nesër mund të jetë vonë.
Tani po i paraqes të gjitha vargjet e këngës: “N’qaf t’Morinës qielli krisi”

Nga EPIKA HISTORIKE 3


TIRANË, 1990
N’ QAF T’MORINËS QIELLI KRISI

N’qaf t’Morinës qielli krisi,
Malsin’ msyni Veshovoqi,
Dymdhet dit’ nata s’u err,
Dymdhet’ dit’ e dymdhet’ net,
Shpi malsore n’ kamb’ nuk mbet,
Veshoviqi me serbiakë,
Don me mbyt’ Tropojën n’ gjak,
Veshoviqi me Mal t’ Zi,
Don me ‘ndue kufi n’ Dri.

Krisi reja nëpër male
Nuk jan’ re, po pushk’ shqiptare,
N’qaf’ të Morinës deri n’ Gllavë,
Dha Malësia njëzet e shtatë,
Veshoviqi i Serbis’,
i njeh mir’ djemt’ e Shqipnisë,
njeh Shqiptart e njeh Shqipninë,
Njoftë e ka Muzhak Haxhinë, 1)
Moj Evrop’ moj shtig’ e zezë,
Ndave shqipen në shumë pjesë,
Ndave djepa, ndave vorre,

Po nji gja ti e harrove:
S’ ndahet zemra me gur kufini,
S’ ka traktat që e ndan shpirtin.

Bajram Curri -Tropojë, 1981