Nga Xhevat Gjini
E dashur familja Sherifi! E nderuar bashkëshorte e Sadriut, të dashura vajza të shokut e të mikut tonë të shtrenjtë, bashkëveprimtarit e bashkëluftëtarit, Sadri Sherifi! I dashur baca Hasan Mala, baca Mehmet, Hydajet, Berat dhe të gjithë ju Veteranë të Lëvizjes e të Luftës Çlirimtare! Të nderuar të pranishëm!
Jam fort i nderuar që m’u dha fjala në këtë mbledhje pikëllimi, nderimi e përkujtimi për veprimtarin dhe luftëtarin e lirisë, Sadri Sherifi. Lajmi për vdekjen e tij tronditi dhe pikëlloi, përveç familjes dhe farefisit, edhe të gjithë shokët, miqtë, veprimtarët dhe luftëtarët që kishin shkelur rrugën e veprimtarisë, të përpjekjeve, të luftës dhe të sakrificave për liri e bashkim kombëtar, atë rrugë qëndrese e krenarie që kishte shkelur me ndërgjegjje dhe me kokën lartë edhe Sadriu, vdekja e të cilit na ka bashkuar në këtë ditë dhimbjeje, pikëllimi e nderimi.
Profesorin, veprimtarin dhe luftëtarin Sadri Sherifi e pata njohur në rrethana dhe kushte burgu. Pas arrestimit dhoma parë e burgut ishte ajo me numër 16, ku gjeta Nazmi Hoxhën dhe Ahmet Isufin, të burgosur për veprimtarinë dhe përpjekjen e tyre antipushtuese, liridashëse. Ishte marsi i vitit 1982. Pas një muaji ma ndërruan dhomën dhe më dërguan në dhomën me numër 10, ku u njoha me Sadri Sherifin. Në këtë dhomë gjeta edhe Nazim Azemin, të dy të arrestuar dhe të burgosur për veprimtari atdhetare antipushtuese. Për Sadriun dhe për shumë veprimtarë e luftëtarë të arrestuar të organizatës së të tij kisha mësuar nga Nazmi Hoxha. Sadriun dhe gjithë sa ishin në burgun e Gjilanit i kisha parë edhe nga dritarja, kur i nxirrnin për pak minuta shëtitje në oborrin e burgut. Edhe Sadriu më kishte parë mua nga dritarja e dhomës së tij, aq sa mund të shikoje nga ato dritare të mbuluara nga prapa me një llamarinë… Dua të them që, edhe pa u takuar, ne njiheshim me njëri – tjetrin dhe dinim mjaft për njëri – tjetrin. Sadriu ishte 5 – 6 vite më i moshuar, kurse Nazim Azemi 11 vite më i moshuar nga unë dhe kjo bënte që të më trajtonin me një farë kujdesi e dhimbshurie prindërore. Sadriu ishte fjalëpak, burrë i qetë, nuk fliste me zë të lartë dhe që në ditët e para më krijoi përshtypjen e një njeriu të ditur e të kulturuar, me shpresë e besim të patundur se “lufta e popullit të tij ishte e drejtë dhe patjetër do të triumfonte”, siç shkruante atëherë gazeta atdhetare e OMLK – së, “LIRIA”. Vetëm kur fliste për robërinë, për shtypjen dhe terrorin që ushtronte pushtuesi jugoserb ndaj popullit tonë e shikoja se Sadriut i hipte gjaku në kokë dhe revoltohejë, nuk e kishte më atë qetësinë që e shquante. Prangat, torturat dhe dënimi që i kishin shqiptuar nuk e kishin thyer dhe ligështuar për as një çast. Lexonte, diskutonte dhe sillej si njeriu që është i bindur se nuk ka burg, nuk ka torturë dhe nuk ka forcë që mund ta mposhtëte popullin e tij në rrugën e lirisë. Madje, Sadriu shpesh thoshte se “ne kemi fituar”, se “fitorja është e jona”, “Jugosllavia titiste komuniste po i numron ditët e fundit” dhe se “ne do të dalim edhe më të fortë e më të përgatitur nga burgjet e pushtuesit”. Shpresa, forca dhe bindja se lufta jonë do të triumfonte mbështetej te populli ynë i robëruar dhe te shteti ynë i lirë, që ishin garancia e fitores sonë. Mbështetja dhe përkrahja që shteti ynë shqiptar i jepte kërkesave, përpjekjeve dhe luftës sonë na jepte forcë dhe na bënte të pathyeshëm edhe brenda burgjeve të pushtuesit.
Biblioteka e burgut të Gjilanit kishte një fond të varfër të librave në gjuhën shqipe dhe ishin kryesisht botime të vjetra. Ato pak libra që ishin ne i lexonim brenda muajit. Për të pasuruar fondin e bibliotekës së burgut me libra kërkuam nga drejtoria të sillnin libra e tituj tjerë. Listën e librave që kërkonim e bëri kryesisht Sadriu dhe ia dorëzuam drejtorisë, e cila u detyrua të na sillte një numër të konsiderueshëm librash. Dita e burgut për Sadriun dhe për të burgosurit politikë, sidomos pas mbarimit të hetimeve, përgjithësisht niste dhe mbaronte duke lexuar. E kishim bërë rregull që të luanim vetëm tri lojë shahu gjatë 24 orëve… Pak kohë kalonim edhe duke diskutuar për ato që lexonim dhe për lajmet e ditës, aq sa mund të kishim lajme nga shtypi zyrtar i pushtuesit. Dhoma e vogël me shumë të burgosur, edhe të burgosur ordinerë, nuk ishte hiç e përshtatshme për të lexuar e diskutuar për tema e çështje letrare, filozofike, sociologjike e politike, por ishte besimi dhe angazhimi që kishim marrë secili prej nesh për ta kthyer edhe burgun e pushtuesit në shkollë të formimit e të kalitjes, në shkollë që do t’i shërbente kauzës për të cilën përpiqej e luftonte me të gjitha mënyrat e mjetet e kohës rinia dhe populli liridashës shqiptar, nën thundrën e pushtuesve jugosllavë.
Ishin bërë gati gjashtë muaj që isha në burg, kur gruaja kishte lindur fëmijën tonë të parë. Lajmin për lindjen e djalit ia tregova Sadriut, Nazimit dhe gjithë atyre që ishin në dhomë me ne. – Po emrin?, më pyeti Sadriu, pasi më uroi. -Emrin, i thashë, familja presin t’ia lë unë. -A po ia lëmë Labinot, më tha Sadriu. – Me shumë dëshirë, e gëzoftë, i thashë. Bëmë nga një gëzuar me pijet që na kishin sjellur familjet dhe të gjithë më uruan. Kështu, përveç shumë kujtimeve të atyre tre muajve sa qëndruam bashkë, Sadriun, do ta kujtoj gjithmonë edhe për emrin që i dha fëmiut tim të parë…
Familje e dashur e Sadriut dhe ju miq e shokë të nderuar!
Me të drejtë thuhet se vdekja është fundi i natyrshëm i një jete. Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm se çdo jetë ka një fund, kush më herët e kush më vonë. Të gjithë as nuk lindin dhe as nuk vdesin në një ditë. Puna është kush dhe sa do të jetojë edhe mbas vdekjes? Njeriun mbas vdekjes e mbajnë në jetë pasardhësit e tij dhe, sidomos, veprimtaria e tij jetësore. Shoku dhe miku ynë Sadri Sherifi, pos te pasardhësit e tij, do të jetojë edhe në mendjen dhe zemrën e gjithë atyre shokëve, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve të idealeve dhe përpjekjeve titanike, në kushte tepër të pabarabarta, për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë nga zgjedha serbo – maqedono – malazeze. Sadriu me veprimtarinë dhe luftën e tij liridashëse i ka bër vend vetit në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe në historinë e re të kombit shqiptar. Ai do të kujtohet dhe nderohet si pedagog, si atdhetar e veprimtar qëndresëtar, si mik e shok i pathyeshëm në rrugën e përbashkët liridashëse…
Ne, shokët dhe bashkëveprimtarët e tij, që jemi në jetë, duhet të kemi mendjen që të mos humbim rrugën e të mos gënjehemi pas interesave të ngushta, pas partive, feve dhe ideologjive që polarizojnë e përçajnë popullin tonë akoma në kërkim të lirisë e të bashkimit kombëtar. Vetëm ndjekja e interesave kombëtare dhe uniteti politik është rruga që na shpie përpara dhe na nxjerr faqebardhë. Ndasitë partiake, fetare e krahinore e dëmtojnë dhe e dobësojnë kohezionin politik e kombëtar të kombit. Prandaj, edhe sot, që jemi mbledhur të pikëlluar e me dhembje shpirti dhe kudo të jemi duhet të manifestojmë nderim, mirëkuptim, bashkëpunim dhe dashuri për njëri – tjetrin, për kombin, flamurin dhe Atdheun tonë të përbashkët. Jeta dhe veprimtaria e Sadriut dhe e bashkëveprimtarëve të tij mbeten udhërrëfim për brezin e ri. Dashuria, përkushtimi, përpjekja, veprimtaria dhe lufta për liri e bashkim kombëtar e kishin udhëhequr në jetë edhe Sadriun, që jeton e do të jetojë në mendjen e zemrën e familjes, të shokëve, miqve e të popullit që e lindi, e burrëroi dhe e edukoi me frymën liridashëse. Ngushëllime zemre Familjes, shokëve, farefisit dhe miqëve! Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për atdhetarin dhe luftëtarin e lirisë, shokun dhe mikun tonë, Sadri Sherifin! Lamtumirë Veteran i Lëvizjes! Lamtumirë shok e mik!