Nga Vaxhid Sejdiu
Sot, 4 janar 2024, para një çerek shekulli filloi emetimin e programit të saj Radio “Kosova e Lirë” si dhe filloi shpërndarja e lajmeve nga Agjencia Kosovapress
Sot, njëzet e pesë vjet më parë zëri i dashurisë për atdheun, zëri për liri jehoi maleve të Kosovës duke u dhënë zemër trimave të lirisë në fushëbetejë, aty ku zhvillohej lufta për jetë a vdekje. Dhe plot njëzet e pesë vjet atdhetarët i shoqëroi në sfidat e kohës zëri i lavdisë dhe krenarisë shqiptare “Ju flet radio Kosova e Lirë!”, Ju flet Radio Kosova e lirë!” sepse zërat që jehojnë njëherë për Atdheun dhe për Lirinë nuk shuhen kurrë. Edhe nganjëherë kur vështirësitë na ndalin frymën, zëri jehon në mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve sepse ata që shkruan historinë më të re kombëtare nuk e shkruan për një ditë apo për një muaj, por e shkruan përgjithmonë.
Luftëtarët e lirisë në të katër anët e Kosovës ngrohnin shpirtin me zërin e Radios “Kosova e Lirë”, e cila gjatë gjithë jetëgjatësisë së saj në luftë janar – qershor 1999 u bë zë i fortë i luftës çlirimtare në Kosovë dhe jo vetëm, në bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha trojet shqiptare në rrugëtimin historik në luftën e drejtë të popullit shqiptar.
Dhe sot Radio “Kosova e Lirë” është zëri më i dashur, më i pastër, më frymëzues për të gjithë ata, të cilët atdheun dhe lirinë e kanë rend të parë. Një staf simbolik, tepër profesional dhe i përkushtuar fillimisht Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nysret Pllana, pastaj Valdet Hoti, Shaqir Zeneli, Fatmir Dugolli, Ismet Sopi, Rizah Berisha si dhe reporterët nga shtatë zonat operative të UÇK-së, nën drejtimin e prof. Ahmet Qeriqit i bënë ballë stuhisë së egër dhe sulmeve barbale të pushtuesit duke dëshmuar se zërin e lirisë nuk ka artileri që mund ta ndalë.
Shqiptarët në vazhdimësi ashtu siç janë mirënjohës për sakrificën e luftëtarëve të lirisë kanë qenë dhe janë mirënjohës edhe për sakrificën e stafit të radios, jo vetëm gjatë luftës por edhe pas saj.
Sot është pra njëzet e pesë – vjetori i Radios “Kosova e Lirë”, kësaj radioje që u bë zë shpirti i gjithë atyre që ëndërronin dhe vepronin për lirinë e Kosovës, duke mbijetuar jo vetëm përballë armikut të egër shekullor por edhe përballë zërave mohues.
Në arkivin e Radio “Kosova e Lirë” do të shkruhet me shkronja të arta emri i prof. Ahmet Qeriqit, që deri më sot nuk u dorëzua, por punoi me gjithë familjen me qëllim që zëri dhe emri i radios “Kosova e Lirë” të mbetet gjallë në mesin e shqiptarëve.
Gjatë luftës kemi ëndërruar dhe besuar se pas përfundimit të saj radio “Kosova e Lirë” do të shndërrohet në një radio kombëtare, por për fat të keq lufta e padrejtë në tregun mediatik, lufta e pistë për klikime në forma të ndryshme, qoftë edhe në forma amorale la shumë media të vlefshme për të ardhmen e dëgjuesit dhe shikuesit shqiptarë jashtë loje.
Por, radio “Kosova e Lirë” që njëzet e pesë vjet punon dhe vepron në frymën e edukimit kombëtar, të një informimi të drejtë dhe të pavarur dhe në vazhdimësi nën prizmin e një realiteti historik dhe kombëtar të popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Ajo mbeti po ajo shtëpia e vogël ku atdhetarët shpërndajnë lajmet në shërbim të të drejtës njerëzore kombëtare duke mbet model i lajmeve serioze, i emisioneve edukative dhe programeve kombëtare për të cilat në kohën e sotme apo në rrëmujën e sotme mediatike kemi shumë nevojë. Shumë media në gjuhën shqipe lënë shumë për të dëshiruar sa i përket gjuhës, pastërtisë së saj dhe programeve të dobëta televizive. Pra radio “Kosova e Lirë” dhe Televizioni “Dielli” janë një rreze drite në horizontin “tepër të pasur” të televizioneve private në gjuhën shqipe dhe në të ardhmen kanë nevojë për të gjithë ne.
Dhe lajmi më i mirë sot është se edhe më tutje kjo shtëpi e vogël mediatike lëshon rreze për të gjithë shqiptarët njësoj ku jetojnë dhe veprojnë sepse vetëm në këtë mënyrë përhapet e vërteta dhe prezantohet gjeografia dhe historia reale shqiptare.