Radio-Kosova e Lirë ka shënuar sot 25-vjetorin e kryerjes me sukses të misionit të saj informativ dhe historik gjatë luftës së UÇK-së, si dhe aktivitetin e shumanshëm të deritanishëm gjatë këtij çerek shekulli. Para 25 vjetësh, Radio-Kosova e Lirë përgatiti dhe transmetoi emisionin e saj të fundit nga Malet e Berishës, në Rrafshnaltën e Drenicës, pikërisht në ditën kur nga Kosova u largua përgjithmonë dhe me turp të përjetshëm makineria vrastare e regjimit të Millosheviqit. Në shenjë nderimi dhe respekti për drejtorin e Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi, gjenerali Lahi Brahimaj nga Zona Operative e Dukagjinit gjatë luftës së UÇK-së ndau një mirënjohje me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm. Me këtë rast, ai shkroi: “Shënimi jubilar i 25-vjetorit të kryerjes së misionit informativ dhe historik të Radios-Kosova e Lirë më riktheu kujtimet e luftës së lavdishme për liri. Ambientet e Shtëpisë-Muze në Berishë janë dëshmitare të një historie që, me peshën e saj, do t’i mbijetojë shekujve.” Në emër të bashkëthemeluesve të Radios Kosova e Lirë dhe bashkëluftëtarëve, u nda një mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në Luftën Çlirimtare për Radion dhe drejtorin Ahmet Qeriqi. Misioni i Radios Kosova e Lirë vazhdon, tha mes tjerash, gjeneral Lahi Brahimaj (Nga Radio Kosova e Lirë).