Hapet edhe një klasë nga «Shkolla Shqipe» në Dietlikon të kantonit të Cyrihut

Nga Isuf Ismail

Vatra jonë “Shkolla Shqipe” Zvicër vazhdon të organizojë dhe dhe të arrijë suksese në veprimtaritë për mësimin e  gjuhës shqipe edhe në Dietlikon të kantonit të Zyrihut. Në këtë shkollë mbahet mësimi  çdo të mërkurë nga ora 13:15 -15:00 në grupin e parë dhe në grupin e dytë nga ora 15:00 -16:45

Nxënësit e “Shkollës shqipe” në Dietlikon të kantonit të Cyrihut së bashku me mësuesen Yllka Dervishi dhe koordinatorin e “Shkollës Shqipe” Vaxhid Sejdiun

E mërkura ishte ditë gëzimi për fëmijët, të cilët kishin ardhur së bashku me prindërit e tyre në hapjen e pikës shkollore në Dietlikon të Kantonit të Zyrihut. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm, jo vetëm për fëmijët, të cilët kishin ardhur për t`u regjistruar në shkollën shqipe, me qëllim që të mësojnë gjuhën amtare, por një gëzim edhe më i madh shihej në fytyrën e prindërve të tyre, të cilët ishin të lumtur që mësimi në gjuhën amtare edhe në këtë pikë shkollore po vazhdon.

Mësuese Yllka Dervishi, iu shpjegon nxënësve shqiptimin dhe drejtshkrimin e shkronjave të gjuhës shqipe…

Me të drejtë dijetari i madh shqiptar Sami Frashëri ka thënë “Shenja e kombit është gjuha. Kur një komb humb gjuhën e vet ai humb edhe veten”. Prandaj në vazhdën e përpjekjeve të njëpasnjëshme në sensibilizimin e prindërve shqiptarë që t`i orientojnë fëmijët e tyre drejt pikave shkollore, në të cilat zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe, ishin edhe përpjekjet në dy muajt e fundit rreth pikës shkollore në Dietlikon të Kantonit të Zyrihut, me qëllim që edhe në këtë pikë shkollore, të vazhdojë mësimi për fëmijët shqiptarë, të cilët banojnë në këtë vendbanim dhe që dëshirojnë  ta mësojnë gjuhën shqipe.

Mësuesi dhe Koordinatori i “Shkollës Shqipe” Zvicër ju shpjegon për rëndësinë e gjuhës amtare, duke ju kërkuar  atyre që t`i kushtojnë më shumë kujdes gjuhës së nënës sepse vetë gjuha e nënës është identiteti kombëtar i secilit prej nesh.

Gjuha shqipe është pasuri kombëtare, prandaj të gjithë ne e kemi obligim moral dhe kombëtar të kujdesemi për të, pavarësisht vendit ku jetojmë dhe punojmë. Dhe në këtë rrugëtim “Shkolla Shqipe” në Zvicër me angazhimin e dhjetëra e dhjetëra mësuesve dhe prindërve shqiptarë në mbarë Zvicrën si dhe nën drejtimin e mësuesit dhe koordinatorit Vaxhid Sejdiu ka arritur të dëshmojë se këto përpjekje pa dyshim rezultojnë me sukses. “Shkolla Shqipe” e në Zvicër shpërndarë në 19 kantone të Zvicrës vazhdon rrugëtimin e saj me qëllim, që të përfshijë sa më shumë fëmijë në programin e të mësuarit të gjuhës shqipe. Prandaj edhe ky takim në shkollën shqipe në Dietlikon të Kantonit të Zyrihut është në vazhdën e këtyre përpjekjeve gjithnjë e më të suksesshme. Mësimi në gjuhën shqipe edhe, në Dietlikon të Kantonit të Zyrihut, zhvillohet çdo të mërkure nga ora 13:15 -15:00 në grupin e parë dhe në grupin e dytë nga ora 15:00 -16:45.

Ishte një gëzim i veçantë kur nxënësit filluan t`i shfletojnë librat e gjuhës shqipe, të cilat i shpërndau mësuesja Yllka Dervishi

“Shkolla shqipe” – Zvicër

Sektori për informim