Përplasja e epokave kohore përtej vlerësimit artistik

Nga Isuf Bytyçi, Mynih

Pak fjalë për vëllimin poetik “Thyerjet e menduara“ të autorit Safet Sadiku

Vëllimi poetik “Thyerjet e menduara” i autorit Safet Sadiku na fton në një udhëtim reflektues në mes përplasjeve të fuqishme të historisë, mendjes dhe shpirtit. Përmes vargjeve të tij, autori rrëfen rrëshqitjet e dhimbshme të epokave, si dhe ndryshimet e thella që formësojnë identitetin tonë kolektiv. Poezitë e Safet Sadikut nxisin një zë të veçantë, ku metaforat e natyrës gërshetohen me realitetin shoqëror, duke krijuar një portret të pasur dhe kompleks të përpjekjeve për liri, identitet dhe humanizëm. Ky vëllim nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një reflektim i thellë dhe mesazh mbi përplasjet e brendshme dhe të jashtme që na formojnë si individë dhe si komb. Vargjet artistike të autorit, edhe te përmbledhja e tij: „Thyerjet e menduara“ janë të mbushura me emocione, i cili bën një vlerësim të natyrshëm për bukurinë jo vetëm të njerëzve, por edhe të natyrës, e cila përshkruhet në shumë vargje, si shumë magjepse në vendbanimet shqiptare. Ai si në përmbledhjet e kaluara „Shekulli i pafund“ dhe „Zërat e krenarisë“ na ka sjellur shumë poezi të shkruara dikur në kohën studentore, (gjatë viteve ’80-ta dhe ’90-ta), që për autorin duket se kjo periudhë kohore ka lënë gjurmë, të cilën nuk e harron asnjëherë. Nga ana estetike dhe artistike, poezia e tij edhe në vëllimin „Thyerjet e menduara“ përmban një gamë të gjerë ndjesish dhe reflektimesh mbi identitetin, bukurinë dhe natyrshmërinë. Ajo shfaq një lidhje të fortë ndërmjet asaj që shohim dhe asaj që është thelbësore si thellësi jetike, duke i dhënë rëndësi sjelljes që është e brendshme dhe që ndikon te pala tjetër, e cila shfaqet nga jashtë.
Kjo përmbledhje fillon me poezinë: „Nuk je ti“, kushtuar Shqipërisë dhe mbaron po me vjershën tjetër „Dashuri për Shqipërinë“. Kjo do të thotë se autori vazhdon ta ruajë lidhjen e fortë me atdheun. Poezitë e tij, në vargje të shumta përcjellin një mesazh të fortë dhe të qartë. Gjuha poetike është e rrjedhshme dhe e artikuluar mirë. Në poezinë e parë „Nuk je ti“ ai përdor kontrastin për të theksuar atë që është e vërtetë dhe natyrale, duke treguar se bukuria nuk mund të mbulohet me sipërfaqe apo ndryshime artificiale. Në vargun e titullit, e cila përsëritet më poshtë; “Nuk je ti, kjo natyralja…” thekson rëndësinë e natyrshmërisë dhe origjinalitetit në formën dhe esencën e një personi. Ky është një mesazh pozitiv që flet për vlerat e thella, ku bukuria natyrale dhe karakteri janë ato që duhen vlerësuar më shumë se çdo ndryshim që e bëjmë për të paraqitur një pamje tjetër. Vargjet janë të mbushura me metafora dhe fgura të bukurisë, të cilat shkojnë përtej pamjes fizike dhe fokusohet në thellësinë e shpirtrave dhe ndjenjave. Duket se poezia e tij nënvizon faktin se bukuria e vërtetë është ajo që përcaktohet nga shpirti, nga ndjenjat dhe nga mënyra e të jetuarit. Poezia e tij është e pasur me fjalë dhe shprehje artistike, që i ngjajnë pamjeve të bukura me plot elemente, që u japin ngjyra dhe kuptim të gjitha vargjeve të këtij botimi. Përdorimi i ngjyrave, si “flokët”, “sytë e kaltër”, dhe “ngjyra e zërit”, na ndihmon për të krijuar një perceptim të qartë të personazhit dhe për të theksuar se bukuria e vërtetë është ajo që nuk mund të fshihet. Pjesa ku thuhet “Fjala aq shumë t’afron“ dhe „Kur m’përqafon” e bën poezinë të ndjehet ende më personale dhe intime, (edhe për lexuesin) duke e lidhur shpirtin dhe fjalët me lidhjen ndërmjet dy individëve. Po ashtu, një element tjetër i fuqishëm është përdorimi i mimikës dhe edukatës, që sugjeron se personi nuk është vetëm i bukur nga pamja e jashtme, por ka gjithashtu një karakter të fortë që dëshmon përmes; komunikimit, veprimeve dhe sjelljeve. Në fakt komunikimi i dyfishtë edhe me atdheun duke iu drejtuar Shqipërisë, si një referim i heshtur në prapaskenë, vargjet të fusin në mendime të thella në mes të raporteve individuale dhe atdheut për atë çfarë autori dëshiron edhe për atë çfarë po ndodh në realitet.
Edhe te poeza: „Unë“, këto vargje janë të mbushura me një frymë të fortë atdhetarizmi dhe krenarie për atdheun. Mesazhi që ato përcjellin është i qartë dhe i fuqishëm ku individi nuk ka lindur për t’u nënshtruar, por për t’i mbrojtur vlerat dhe nderin e vendit të tij. Poezia shpreh një qëndresë të palëkundur dhe një angazhim të fortë për atdheun, duke e vendosur atë mbi çdo interes tjetër. Vargjet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta, por të fuqishme me mesazhin që ato përcjellin. Përsëritja e vargjeve te poezia “Unë!” vetëm se i japin një ton të fuqishëm, duke e theksuar një pas një çdo aspekt të ndjenjës atdhetare dhe të angazhimit të individit për ta mbrojtur vendin e tij. “Nuk kam lindur për nënshtrim…”, është një thirrje për dinjitet dhe liri. Ndërsa, vargjet e tjera vazhdojnë të theksojnë se individi është i vendosur në mbrojtjen e atdheut dhe se çdo gjë që lidhet me traditën dhe identitetin kombëtar është më e rëndësishme se çdo interes i jashtëm. Poezia „Unë“, shpreh një forcë të brendshme dhe një pasion të papërmbajtur. Përdorimi i fjalëve, si “zëri im tingëllon kushtrim”, “nuk jam urë kalimi” dhe “për atdheun kam bërë betim”, krijon një porosi të individit të vendosur dhe të palëkundur. Kjo na ndihmon ta ndjejmë fuqinë e betimit dhe qëndresës, ndërsa fjala; “armikun” sikur e bën mesazhin për të, më të drejtpërdrejtë dhe më të fortë. Përdorimi i përsëritur i strukturës poetike te: “Unë!”, ndihmon në ndërtimin e një ritmi të fortë që thekson pavarësinë, por edhe angazhimin e individit. Poezia është një thirrje për forcë, liri dhe përkushtim ndaj atdheut. Është një afirmim i identitetit dhe krenarisë kombëtare, një mesazh për të qëndruar të palëkundur për atë që është e drejta dhe e shenjta jonë, liria! Ajo shpreh një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë dhe të dashurisë për vendin, duke theksuar se liria dhe dinjiteti janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Këtë vlerë, që quhet liri e gjejmë edhe te poezitë atdhetare kushtuar heronjve shqiptarë të periudhave të ndryshme kombëtare, te poezitë kushtuar; Jusuf Gërvallës (poezi me rastin e ditëlindjes së tij), Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku etj.
Ndërkaq, te poezia tjetër „Thyerjet mendore“ me tematikë nga jeta sociale e fillimit të viteve 1990-ta gjejmë shprehje, që flasin se mungon siguria e jetës, se jeta është e mbushur me një ndjenjë të thellë të dhimbjes dhe trishtimit, duke përdorur figura dhe simbolika që janë të ngarkuara emocionalisht. “Urrejtja me diktaturë”, është një hap i parë në shprehjen e një tensioni të madh shoqëror dhe politik. Poezia vazhdon ta paraqesë ndjenjën e pasigurisë dhe të dëshpërimit të popullatës që ka jetuar nën një regjim të tillë. Vargjet si; “Treni me gra e burra, Të gjithë u sulen urra-urra!” përshkruajnë një shoqëri të trazuar, ku njerëzit janë të shtypur dhe të humbur, pa një destinacion të qartë dhe të paorientuar nga nevoja dhe kërkesat e tyre për të shpëtuar nga të kqijat jetësore. Ky është një moment dramatik, që tregon se populli është i shkatërruar dhe i ndarë, i zhytur në frikë dhe konfuzion. Shprehja: “Vendlindjen e tyre mallkojnë” është një shenjë e dhimbjes që shpreh ndjenjën e humbjes së shpresës për të ardhmen. Aty ku thuhet: “Nuk e kuptojmë termin ‚shtetësi‘“, kjo shprehje ka një ngarkesë të madhe, sepse flet për mungesën e kuptimit dhe të lidhjes me shtetin, i cili nuk është më një simbol i sigurisë dhe drejtësisë, por një forcë shtypëse. Kjo është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj regjimeve të tilla, dhe ndaj mungesës së një shteti të vërtetë që i shërben popullit. Në anën tjetër, lutja për atdheun është një thirrje për ringjallje dhe për një të ardhme më të drejtë, ku Shqipëria mund të jetojë në paqe dhe liri. Autori i këtyre vargjeve, Safet Sadiku ka përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, por gjithashtu ka futur edhe metafora e simbole, që janë të ngarkuara me emocione. Përdorimi i „hekurudhës” si funksion dhe si një nga simbolet e kalimit dhe e shpërthimit të një epoke të errët, është shumë i fuqishëm. Shprehjet: “Thyerjet mendore” dhe “shpejtësia ligjore”, krijojnë një ndjenjë të kaosit dhe pasigurisë, që pasqyrojnë pasojat e diktaturës dhe shkatërrimit të individit dhe shoqërisë. Gjithashtu, përdorimi i shprehjeve poetike “gjarpërore” dhe „gjakësore”, ku përshkruan autori një udhë që është e mbushur me dhimbje dhe vuajtje, si dhe një shoqëri që është shpërbërë nga regjimi i padrejtë. Kjo metaforë ndihmon për të krijuar një vlerësim të një rruge që është e mbushur me sakrifica, që e bën përshkrimin e çdo hapi të individëve edhe për një mundësi për të shpëtuar. Shprehje tjera me ngarkesë të thellë emocionale dhe politike janë; “Thyerjet tektonike“ dhe „Në hapësirën tonë gjeografike“, e cila është një metaforë që flet për ndryshime të mëdha, për shpërthime që prekin thelbin e shoqërisë dhe të kombit. Këto vargje përshkruajnë rrjedhën e një shoqërie që ka kaluar përmes një periudhe tronditëse, ku gjithçka ka ndryshuar, por ndoshta nuk është ndërtuar ende një strukturë e sigurisë që të jetë e fortë dhe e qëndrueshme.
Por, te vargjet e dashurisë të mbushura me një ndjeshmëri të thellë dhe një ndjenjë të ndërlidhjes midis dy njerëzve si p.sh. te poezia: “Pamja e brendshme“ vargu sjell një reflektim, një pasqyrim të ndjenjave dhe emocioneve që kalojnë nëpër dy individë kur janë në një lloj lidhjeje intime dhe të ndjeshme. Edhe këtu poeti përdor figura të pasura me përshkrime që japin një intensitet emocional te lexuesi. “Ty sjellja të reflekton / Kur mua më shikon” flet për atë moment të veçantë kur shikimi dhe sjellja e një personi janë si një pasqyrë që tregon brendinë, ndjenjat dhe tensionet që janë të dukshme dhe pa fjalë. Rrahjet e zemrës dhe mimika janë gjithçka që pasqyron ndjenjat që janë të thella dhe të papërshkrueshme. Shikimet tinzare dhe buzëqeshjet e buta janë si ato shenja të holla, që tregojnë më shumë se sa mund të thonë këto vargje poetike.
Po ashtu, te ky vëllim poetik shprehjet: “Për ndjenjën e zgjuar / Që t’mbanë të mbyllur / Në kafazin pa dritë,” flasin për një lloj tensioni që lind nga brendësia, te personazhet e autorit të këtij vëllimi poetik. Ky rrëfim është një ndjenjë që të ndalon të shprehim atë që ndiejmë dhe na mban të ngujuar në emocionet që s’kanë mundësi të dalin jashtë. Përshkrimi: “Tërheqja / Deri në harresë…” është një shprehje e fuqishme që sugjeron një luftë të brendshme. Njëlloj ka ndodhur me vargjet: “Po pse rri mbyllur / Pse rri larg?” Ajo ndjenjë e mbylljes dhe largësisë është një sfidë për të kaluar përtej kufijve të vetes në një moshë rinore, për të përballuar emocione që janë të papërshkrueshme si mundësi reale për të qenë afër. Duke përdorur “konviktin” si një simbol i kohës studentore, nënkuptohet një hapësirë që është e pranueshme, e mundshme dhe afër! Por, gjithsesi e gjithë kjo nuk ndihet dhe nuk duket e paraqitur si mundësi e realizueshme. Kjo është një thirrje për të pranuar që ndonjëherë kemi mundësinë për t’u afruar, por frika dhe pasiguria na ndalojnë.
Në përgjithësi mund të them se poezitë e Safet Sadikut edhe në vëllimin poetik: „Thyerjet e menduara“ paraqesin në vazhdimësi mendime të strukturuara mirë, me gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, por metafora poetike ka një ngarkesë të thellë emocionale, ku çdo fjalë ka peshën e saj. Vargjet janë të lidhura mjeshtërisht me një ritëm të qetë dhe të përpiktë, duke krijuar një ndjenjë të pasigurisë e kërkimit të drejtësisë dhe identitetit. Ndërkaq, kulmi poetik arrrinë te pjesa ku thuhet: “Regjimet e okupatorëve / M’i shkulur përgjithmonë“, që është një shprehje e fuqishme që flet për dhembjen dhe humbjen e popullit shqiptar, por edhe për një luftë të vazhdueshme për pavarësi. Ajo pasqyron gjithashtu qëndrueshmërinë e popullit dhe forcën për të qëndruar të palëkundur edhe pas periudhave të zymta të historisë.