Intervistë me nënkryetarin e KKAD-së dhe Koordinatorin e LAPSh-it në Bavari Mustafë Krasniqi

Më 09 dhe 10 mars 2024 në qytetin e Ausburgut, për dy ditë radhazi kuvendi “MËSUESIT E DIASPORËS”  zhvilloi punimet e veta me temë: “Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”. Kuvend i cili mblodhi mësues, përfaqësues të shkollave shqipe nga shtetet e ndryshme, ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Gjatë këtij kuvendi dyditor u diskutua mbi çështjet e rëndësishme  të shkollave shqipe që lidhen me të ardhmen dhe sfidat e mësimdhënies në diasporë si dhe detajet tjera logjistike.

Kuvendi u organizua nga Këshilli Koordinues për Diasporën (KKD) në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) dhe Qendrën e Botimeve për Diasporë (QBD), të drejtuar nga Këshilli Organizues i Kuvendit: Vaxhid Sejdiu, Mustafë Krasniqi, Anila Hyka, Dritan Mashi dhe Drita Gjongecaj, Në Kuvend, përpos anëtarëve të KKD-së, KKAD-së, përfaqësuesve të Lidhjesve apo Shoqatave të shkollave shqipe, të pranishëm ishin edhe institucionet e Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.