Kush janë luftëtarët e lirisë?

Nga Dr. Vaxhid Sejdiu

Luftëtarët e lirisë janë yje që shndrisin në qiellin shqiptar. Ata që ia dhuruan Atdheut djersën e ballit, gjakun dhe jetën; janë shembulli më i mirë, se si punohet dhe veprohet në shërbim të lirisë, të cilën liri sot po e gëzojnë gjeneratat e reja. Djersa dhe gjaku i veprimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë solli burrat më të mëdhenj të botës, që të veprojnë në shërbim të lirisë së Kosovës. Kush i bëri mikpritje në Kullën e Junikut ambasadorit amerikan Riçard Holbruk, kush i bindi gjeneralët e NATO-s dhe kryeministrat e botës përparimtare të ndihmojnë Kosovën? – Natyrisht luftëtarët e lirisë. Dhe parashtrohet një pyetje shumë e thjeshtë, kush e solli lirinë? – Përgjigja është në maje të gjuhës; pushka çlirimtare e bijave dhe bijve më të mirë të kombit nën emblemën e UÇK-së. Të gjithë ata të cilët prekin emblemën e gjakut e kanë gabim sepse ajo vulosi fatin e lirisë së Kosovës dhe fatin ndryshimeve në dobi të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik. Pa luftën e UÇK-së, pa djersën dhe sakrificën e bijave dhe bijve më të mirë të kombit as që do të mendohej sot, Liria e Kosovës në veçanti dhe Liria e popullit shqiptar në përgjithësi!