LAPSH NË BAVARI MBAJTI MBLEDHJEN E RADHËS NË PËRMBYLLJE TË VITIT ME PARAQITJEN E PLANIT VJETOR PËR VITIN 2023/24

Nga Uraebashkuar


Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve shqiptarë (LAPSh) mbajti takimin e radhës me mësimdhënësit dhe anëtarët kryesisë, nëpërmjet platformës zoom, me temat:

  1. Diskutim për seminarin
    2.Hartimi i plan-programit për vitin 2023/24
  2. përgatitja për manifestimin e 7 marsit dhe për Garat e Diturisë
  3. temë për nxënësit: Pushimet në vendlindje (shkrim rreth pushimeve)
  4. Të ndryshme

Takimin e hapi prof. Mustafë Krasniqi – koordinator i LAPSh-it, i cili pasi i përshëndeti mësimdhënëset/it dhe kryesinë e LAPSh-it, paraqiti rendin e ditës dhe i shtjelloi në mënyrë përmbledhëse, përmes grafikës, Planin Vjetor për vitin 2023/24. Gjatë ecurisë së mbledhjes, më tepër u fokusuan te pikat kryesore të planit, të cilat ishin: diskutimi për seminarin, hartimin e plan-programit dhe përgatitja për manifestimin e 7-8 marsit dhe të Garave të Diturisë.
Rreth këtyre pikave u diskutua një për një me mësimdhënëset/it dhe kryesinë e LAPSh-it. Pas një diskutimi të frytshëm me propozime dhe konsultime të përbashkëta u aprovua Plani Vjetor për vitin shkollor 2023/24. Duke propozuar që në të ardhmen dyjavore të krijohen grupet punuese për përgatitjen e manifestimit të 7-8 marsit dhe grupi për përgatitjen e Garave të Diturisë.
Për pikën temë për nxënësit ishte një pikë atraktive edhe për mësimdhënësit, të cilët e panë si një pikë me një rëndësi të veçantë dhe u zotuan se kjo pikë do të jetë si detyrë obliguese për nxënësit, sepse përmes kësaj pike do të nxjerrim nxënës, të cilët kanë aftësi të shkruajnë, ese, tregime, prozë apo poezi, pasi që dhe kemi nxënës që janë të mirë në gjuhën gjermane në shkrime e hartime, të cilët dhe janë zgjedhur të suksesshëm. Pra, këta nxënës t’i kemi edhe në gazetën tonë online, që u kërkua të jetë një shtyllë e veçantë për nxënësit krijues.

Krasniqi foli për suksesin dhe objektivat e LAPSh-it, duke theksuar përfshirjen e mësimdhënësve, të shkollave shqipe në Bavari, të cilët/at me vullnetin e tyre janë angazhuar për manifestimin e 28 Nëntorit “Ditës së Flamurit”. Që ishte një sukses i madhe i mësuesve, që përformuan me nxënësit e tyre para prindërve e bashkëkombësve shqiptarë, duke ua dhënë shembull edhe prindërve tjerë se fëmijët e tyre kanë nevojë dhe arsye ta mësojnë dhe ruajnë gjuhën amtare. Edhe pse ishim në përballje me sfida të ndryshme, kemi dalë shumë bukur së bashku dhe ju përgëzoj në emrin tim dhe të LAPSh-it tha z. Krasniqi.
Po ashtu, ne, si LAPSh, kemi dhënë tërë mundin tonë për ta çuar tutje shkollën shqipe dhe falë përpjekjeve tona, krejt vullnetare, kemi arritur të kemi shumë nxënës dhe klasë të reja. Kështu që me profesionalizmin tonë kemi arritur t’i realizojmë disa projekte, të cilat janë të domosdoshme dhe të realizueshme. Siç ishin takimet me kryesinë dhe mësimdhënësit, paga e mësimdhënësve, sigurimi i teksteve për nxënësit, marrja pjesë në organizimet e shoqatës për integrimin e të huajve “Morgen V.e.” me projektet tona, që dhe kemi dalur ndër më të suksesshmit me praninë e nxënësve, qoftë në teatër apo bibliotekën e qytetit të Munihut, ajo që ka pasur një rëndësi të veçantë është dhe sensibilizimi i shkollës shqipe përmes shkrimeve të publikuara në faqen tonë zyrtare www.shkolla-shqipe.de dhe FB., etj., u theksua në këtë takim.

Më pas fjalën e mori Milazim Ukaj-kryetar, i cili foli për punën dhe sfidat e kryesisë deri më tash, por që në të ardhmen na presin sfida tjera të mëdha, në të gjitha fushat. Po rritet numri i nxënësve dhe hapja e klasave të reja, kështu që po shtohet përgjegjësia më shumë dhe kjo po ndodhë falë aktivitetit të madh të kryesisë së LAPSh-it. Kjo na gëzon shumë, por në anën tjetër na vë në rrugë mjaftë të vështirë, me që jemi të varur nga të ardhurat financiare nga qyteti i Munihut, Morgen V.e. të Fondacionit “Besa” dhe nga të hyrat e prindërve, theksoi Ukaj. Takimin e përshëndeti edhe sekretari-Avdi Kolukaj, kryetari i Këshillit të Prindërve Arif Arifaj dhe zëdhënësja- Anila Xhani!
Takimin e përmbylli Krasniqi, duke ua uruar mësimdhënësve dhe kryesisë së LAPSh-it festat e fundvitit 2023 dhe pushim të këndshëm kudo që jeni, sidomos atyre që marrin rrugën për në atdhe pushim të këndshëm!