LEQET E HOTIT – RRUGA PANORAMIKE ME BUKURI TË JASHTËZAKONSHME

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXV)

Nga Berat Luzha

Një bukuri e rrallë, një befasi që të rrëmben të tërin sapo e sheh, është pjesa e rrugës mes një natyre të paprekur, e quajtur Leqet e Hotit. Leqet e Hotit, me ballkonin mbi të, janë një qafë mali në skajin verior të R. së Shqipërisë, nëpër të cilën kalon rruga e Malësisë së Madhe, që nga Hani i Hotit e deri në Vermosh e më tej, në Plavë e Guci. Kjo qafë, me lartësi mbidetare 730 metra, lidhë fushën e Hotit me luginën e Cemit, respektivisht, me Malësinë e Kelmendit dhe është porta perëndimore e Alpeve Shqiptare. Rruga zbret me shumë gjarpërime nga ballkoni në luginën e lumit Cem nëpër një faqe pingule mali në lartësi prej 500 metra, duke ndarë majën e Mështjerrës (1447 m.) me majën e Bukovikut (1232 m). Kjo pikë rrugore, e cila është e veshur me pyll ahu, ndodhet 15.5 km nga Hani i Hotit, 47 km nga Vermoshi dhe 50 km nga Shkodra.

Dikur ishte rrugë e vështirë dhe e rrezikshme për të udhëtuar nëpër Leqet e Hotit. Ishte një rrugë e pashtruar, pa mbrojtëse anësore dhe e frikshme nga humnerat e thella, kurse sot është një rrugë bashkëkohore panoramike me bukuri të jashtëzakonshme. Rruga te Leqet… është cilësuar si njëra nga 10 rrugët më të rrezikshme dhe njëra nga 40 rrugët më të mira në botë për ngjitje me biçikleta. Ballkoni mbi Leqet e Hotit është ndalesa e parë befasuese në rrugën drejt skajit më verior të Republikës së Shqipërisë.

Leqet e Hotit në krahinën e Hotit, që i përkasin fshatit Rrapsh, njësisë administrative Kastrat, bashkisë së Malësisë së Madhe në Koplik dhe Qarkut të Shkodrës, janë kthesat e njëpasnjëshme gjarpëruese, më të bukurat në Shqipëri e rajon, janë një amfiteatër i natyrës epike dhe një mozaik i mrekullueshëm natyror. Leqet… nga ballkoni bien dhe ngriten mbi luginën e lumit Cem, aty ku Cemi kalon kufirin shtetëror me Malin e Zi. Rruga gjarpëruese katërkilometërshe e Leqeve… zbret nga 730 metra në 500 metra lartësi mbidetare drejt lumit Cem. Janë këtu gjashtë kthesat me këndin prej 360 shkallësh dhe pjerrtësinë prej 5 për qind. Pika më e lartë e rrugës është e njohur si ballkoni mbi Leqet e Hotit.

Nëpër Leqet e Hotit ka kaluar udhëtarja angleze Edith Durham në fillim të shek. XX, e cila ishte e mahnitur me natyrën e virgjër, me historitë e shumta, me doket e traditat e pasura të kësaj ane. Baroni Franc Nopça e ka përshkruar mikpritjen e malësorëve në luginën e Cemit, kurse gazetari i njohur italian, Montanelli, e quajti veten me fat që e vizitoi këtë zonë. Deri te ballkoni mbi Leqet e Hotit ka shkuar edhe Enver Hoxha, i cili, pasi e vështroi natyrën e mahnitshme, u kthye prapa. Nga atëherë populli këtë ballkon panoramik mbi Leqet e Hotit e ka quajtur “Ballkoni i Enverit”.

Rruga bashkëkohore që lidhë Malësinë e Kelmendit dhe fshatrat turistike Tamarë, Selcë, Lëpushë e Vermosh është ndërtuar me punë vullnetare në fund të viteve 60-ta të shekullit të kaluar, kurse është rindërtuar e asfaltuar para 10 viteve. Kjo rrugë, e cila për katër kilometra quhet Leqet e Hotit, ka krijuar kushte të shkëlqyeshme për zhvillimin e turizmit në Malësinë e Kelmendit.

Të gjithë udhëtarët, vizitorët e kalimtarët, veçanërisht adhuruesit e natyrës nuk mund të kalojnë andej pa u ndalur në ballkonin panoramik natyror, të pushojnë pak aty e të vështrojnë natyrën magjepse, të bëjnë edhe fotografi impresionuese. Leqet e Hotit shoqërohen përgjatë rrugës për Tamarë dhe në rrethinën e tij nga shpellat e ujëvarat, nga luginat e kanionet, nga burimet, rrëketë e rrjedhat, nga pllajat me pamje magjike.

Leqet e Hotit, një pjesë e shkurtër e rrugës panoramike, sot janë një atraksion turistik i dorës së parë. Secili turist që merr rrugën paralelisht me kufirin shtetëror me Malin e Zi dhe me lumin e Cemit, do të mbetet i mahnitur me pamjet magjepse të natyrës dhe të rrugës me leqe të forta nëpër një shpat të rrëpinjtë mali.

+5

134Xheva Salihaj, Isuf Ismaili und 132 weitere Personen

9 Kommentare

3 Mal geteilt

Gefällt mir

Kommentieren

Teilen