Likova – Komuna që i jep ujë Kumanovës e ujë nuk ka për vete

Nga Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe (CXC)

Edhe pse një fshat mesatar, Likova është qendër e komunës të 22 fshatrave të fushës, të rrëzës së maleve dhe të zonës malore të Karadakut. Janë katër fshatra të komunës së Likovës që kanë më shumë banorë se qendra komunale, Sllupçani, Mateçi, Hotla dhe Llojani, por që fati e deshi Likova të bëhet komunë.

Fshati Likovë ndodhet 12 km në perëndim të qytetit të Kumanovës në lartësi mbidetare 420 metra dhe me sipërfaqe prej 1340 hektarësh. Kurse komuna (fshatare) e Likovës ndodhet në pjesën më veriore të Republikës së Maqedonisë Veriore, e kufizuar me territorin e Republikës së Kosovës.

Si qendër komunale Likova është formuar për herë të parë në vitin 1955, por ishte shpërbërë pas 10 vjetëve, në vitin 1965, për t’iu bashkangjitur komunës së Kumanovës. Pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë nga ish-Jugosllavia, siç thuhet, me kërkesë të banorëve të zonës, Likovës i është kthyer statusi i qendrës komunale.

Fshatrat e komunës së Likovës kanë qenë të banuara që nga Iliria. Këtë fakt e vërtetojnë edhe materialet e gjetura në lokalitetet arkeologjike Drezga – Llopat dhe Rimnik – Mateç. Pos tjerash, janë gjetur dy arkivole të kohës ilire dhe është zbuluar bunari i kohës romake.

Fshati Likovë në vitin 1948 kishte rreth 1400 banorë, në vitin 1971 – mbi 1500, në vitin 1994 – 2340 banorë dhe në vitin 2002 – 2644 (400 shtëpi). Vetëm gjatë viteve 1971 – 1994 numri i banorëve të Likovës është rritur për 51 për qind. Ndërsa komuna e Likovës ka një popullësi prej rreth 22300 banorë, 5400 familje dhe mbi 7000 shtëpi banimi.

Komunën e Likovës e përbëjnë 22 fshatra me popullsi shqiptare, të cilat kanë pozitë të përshtatshme gjeografike, klimë dhe kushte shumë të mira për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë, degë këto ekonomike tradicionale me të cilat merret popullsia e kësaj ane. Në këtë komunë nuk ka asnjë objekt industrial dhe vetëm me ndonjë mulli, punëtori zdrukthtare apo të mobilieve. Në Llojan kishte një minierë antimoni e arseni, kurse mermerin e granitin e fshatrave Mateç e Nikushtak e ka shfrytëzuar ndërmarrja “Sileks” nga Kratova.

Zona që përfshin fshatrat e komunës së Likovës ka mbetur nga zonat më të prapambetura në shtetin e Maqedonisë Veriore. Kushtet e vështira ekonomike, papunësia e lartë dhe varfëria kanë bërë që një pjesë e mirë e popullsisë të shpërngulen në qytetet Kumanovë e Shkup, në Turqi e në vendet e Evropës Perëndimore. Vetëm gjatë viteve 1953 – 1966 nga zona e Likovës kanë emigruar në Turqi rreth 4500 banorë. Shpërngulja e popullsisë është shpejtuar, veçanërisht, pas liberalizimit të vizave, në vitin 2010 dhe, për pasojë, një numër i madh i shtëpive të banimit sot janë të pabanueshme. Gjendja ekonomike ishte rënduar edhe pas luftës së vitit 2001, kur ushtria sllavo-maqedonase shkatërroi shumë shtëpi, objekte afariste dhe dëmtoi sistemin rrugor, fushat bujqësore e pyjet.

Likova është një fshat i tipit të grumbulluar, i ndërtuar në një luginë mali, përmes të cilës rrjedhë lumi i vogël i Likovës. Në rrjedhën e këtij lumi, disa kilometra sipër fshatit, janë ndërtuar diga të dy liqeneve grumbulluese; liqenit të Likovës dhe Liqenit të Gllazhnjës. Liqeni i Likovës, i ndërtuar në vitin 1958, shtrihet në sipërfaqe prej 40 hektarësh, ndërsa liqeni më i madh, liqeni i Gllazhnjës, me sipërfaqe prej 100 hektarësh, është ndërtuar në vitin 1973. Qëllimi i ndërtimit të sistemit ujor Likovë – Gllazhnjë është furnizimi me ujë të pijes për qytetin e Kumanovës, ujitja e tokave të punueshme, furnizimi me ujë teknik të industrisë së Kumanovës dhe prodhimi i energjisë elektrike. Së shpejti, me ndërtimin e stacionit filtrues mbi fshatin Likovë pritet që ujin për pije nga liqeni ta merr edhe Likova e Orizarja, më vonë Sllupçani, Llojani, Nikushtaku e fshatrat tjera. Deri tash, edhe pse Likova kishte dy liqene pak kilometra sipër fshatit, sistem të ujësjellësit nuk kishte në këto fshatra. Furnizimi me ujë të pijes i popullatës bëhet përmes puseve dhe burimeve, të marra pjesërisht nga mali. Mirëpo, pos dobisë, që nuk diskutohet, liqenet paraqesin edhe një rrezik të fjetur për Likovën nga shpërthimi i rastësishëm i digave të tyre.

Ka disa dekada që popullsia e komunës së Likovës dhe e komunës së Preshevës, nga ana tjetër, kanë kërkuar hapjen e pikës kufitare Llojan – Miratoc. Për këtë qëllim disa herë popullsia ka protestuar, me moton: Duam qarkullim të lirë, duam hapjen e kufirit! Edhe pse komunat respektive, e Likovës dhe e Preshevës e kanë ngritur zërin te qeveritë e Maqedonisë e Serbisë për këtë qëllim, madje në vitin 2019 është nënshkruar një marrëveshje mes dy qeverive për hapjen e kësaj pike kufitare, pika nuk është hapur deri sot. Shkakun pse nuk është hapur duhet kërkuar te politika shoviniste ndaj shqiptarëve e të të dyja shteteve, Maqedonisë Veriore e Serbisë, pasi popullsia e të dy anëve të kufirit, me rreth 30 mijë banorë në njërën anë e 30 mijë në anën tjetër, është etnike shqiptare.

Në nderim e përkujtim të luftës dhe të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në të cilën fshatrat e komunës së Likovës kishin rol aktiv, në një kodër mbi fshatin Sllupçan janë ngritur Varrezat e Dëshmorëve dhe përmendorja madhështore 20 metërshe – Kulla e Dëshmorëve. Nga monumentet e vjetra dallojmë manastirin e Mateçit nga shek. XIV, i ndërtuar edhe me ndihmën e Sulltan Muratit në vitin 1389, pastaj teqen e Mateçit e shumë xhami të vjetra.

Si qendër komunale e tipit fshatar, Likova ka një shkollë fillore dhe gjimnazin “Ismet Jashari” me mbi 400 nxënës, por nuk ka qendër për punë sociale, nuk ka bibliotekë publike, nuk ka shtëpi kulture, nuk ka transport publik…! Pothuaj të gjitha punët, duke filluar nga tregu, arsimi, shëndetësia, administrata… banorët e komunës së Likovës i kryejnë në Kumanovë. Megjithatë, Likova është një fshat mbresëlënës me pasuri të mëdha natyrore. Është fshat me tokë pjellore, me pyje të larta e me ujë të mjaftueshëm për pije e ujitje, me natyrë të bukur e të paprekur. Liqejtë, që gjenden sipër Likovës, si dhe lumi, ujëvara dhe gryka e malit paraqesin hapësira atraktive dhe turistike shumë të pëlqyeshme, ku nuk mungojnë as restorantet e shkëlqyeshme.

Likova është një vend ideal pranë qytetit të Kumanovës dhe në rrëzë të maleve të Karadakut, ku i gjenë të gjitha të mirat në një vend; natyrën, ujin, malin, punën, bujarinë, krenarinë shqiptare.