Shkruan: Mustafë Krasniqi
Jo gjykim politik, por drejtësi për çlirimtarët
Në mbrojtje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerave të saj, sot në Hagë të Holandës, pranë selisë së Gjykatës Speciale (Dhomave të Specializuara), mijëra shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vende të ndryshme të Europës morën pjesë në protestën e organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen padrejtësisht për krime lufte.

Protesta u zhvillua jo larg vendit ku mbahen të burgosur “djemtë e lirisë”, nga një gjykatë që cilësohet politike dhe që sipas ecurisë së saj po dëshmon qartë karakterin politik. Ajo mbështetet në gënjeshtrat e politikës serbe, ndërkohë që pikërisht kjo politikë dhe ushtria barbare serbe ushtruan gjenocid ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare.
UÇK-ja nuk e dëshironte luftën, por u detyrua të merrte armët për të mbrojtur popullin nga gjenocidi dhe për ta çliruar përgjithmonë vendin nga pushtuesi i egër.
Haga sot dëgjoi të vërtetën e shqiptarëve përmes parullave: “Drejtësia nuk njeh vonesa”, “Gjyqi tani! Jo më pritje pafund”, “Liria ka emër” e shumë të tjera. Thirrja e tyre ishte e qartë: drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara lufte në një proces krejtësisht politik, me moton se ata kanë qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.
Kundër këtyre pretendimeve, nesër (më 15 shtator) në sallën e gjyqit pritet të dëshmojë James Rubin, amerikani që gjatë luftës në Kosovë shërbeu si ndihmës-sekretar i Shtetit.
Protesta e sotme në Hagë u përkrah nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ali Ahmeti dhe Shqipe Selimi, të cilët kërkuan drejtësi dhe liri për çlirimtarët e Kosovës. Protesta u mbështet nga autoritete dhe personalitete të shumta, por fatkeqësisht jo edhe nga drejtuesit më të lartë të institucioneve tona.