LYPIANI – QYTETI SIMPATIK ME KOMUNËN E VEÇANTË

Shtegtime nëpër Atdhe (CXCII)

Nga Berat Luzha

Lypiani është një qytet i vogël simpatik në pjesën qendrore të Fushës së Kosovës. Ndodhet në lartësinë mbidetare rreth 550 m. në anën e djathtë të rrjedhës së lumit Sitnicë. E gjejmë si një kryqëzim rrugësh mes Prishtinës (17 km), Ferizajt (22 km) dhe Shtimes (13 km), si një kryqëzim i rrugëve me lidhje shumë të mira rrugore, hekurudhore dhe ajrore brenda dhe jashtë vendit.

Me pozitë të përshtatshme natyrore e gjeografike, i gjendur edhe në afërsi të kryeqytetit, Prishtinës, Lypiani ka kushte e mundësi shumë të mira për zhvillim të gjithanshëm. Nëpër Lypian përshkojnë rrugët kryesore të Kosovës; rrugët Prishtinë – Shkup e Prishtinë – Prizeren dhe autoudha Trudë – Hani i Elezit. Gjithashtu, nëpër Lypian përshkon hekurudha Fushë-Kosovë – Shkup, kurse në territorin e komunës së Lypianit ndodhet aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”. Nëpër këtë territor përshkojnë në drejtimin jug – veri edhe lumenj fushorë; Sitnica dhe Drenica.

Vendbanimi i Lypianit njihet që nga kohët ilire e romake si një vendbanim i vogël në rrugën Lissum – Naisus. Në vitin 1018 ishte i shënuar me emrin Lypenion, Lypiana, duke marrë me kohë trajtën e natyrshme Lypian ose Lipjan. Në Lypian janë zbuluar themelet e një bazilike bizantine dhe ende ndodhet një kishë ilire.

Deri kur u ndërtua hekurudha Shkup – Mitrovicë, në vitin 1874, Lypiani ishte një fshat i rëndomtë e me ndërtimin hekurudhës u ndërtua edhe stacioni hekurudhor, me ç’rast filluan të ndërtohen edhe punëtori të ndryshme tregtare, dyqane zejtare, depo drithërash etj. Kështu, fshati po shndërrohej gjithnjë e më shumë në një qytezë të vogël, duke e marrë formën e “qarshisë”. Në vitin 1920 Lypiani, pra para 100 vjetëve, është shpallur qytet.

Deri në vitin 1912 Lypiani ishte në përbërje të Vilajetit të Kosovës, gjatë Luftës së Parë Botërore ishte i pushtuar nga Bullgaria e pas kësaj lufte, si e tërë Kosova, mbetet nën Mbretërinë SKS – Jugosllavinë e Versajit. Nga viti 1918 ishte nën prefekturën e Prishtinës në kuadër të Banovinës së Vardarit, me seli në Shkup, pastaj ishte pjesë e Rrethit të Graçanicës, me seli në Prishtinë etj.

Lypiani sot, me rreth 10 mijë banorë, është qendër e komunës së 62 vendbanimeve fushore, kodrinore e malore me rreth 60 mijë banorë (sipas regjistrimit të vitit 2011). Me territor është nga komunat më të mëdha të Republikës së Kosovës, të një komune me tipare bujqësore, por edhe industriale e xehetare. Të 62 vendbanimet, një qytet (Lypiani), dy qyteza (Janjeva e Magurja) dhe 59 fshatra të kësaj komune shtrihen në terrene, zona apo regjione gjeografike; në një pjesë të rrafshët të Fushës së Kosovës, në një pjesë malore – kodrinore të Drenicës, në një pjesë të maleve të Berishës, në rrafshnaltën e Blinajës dhe në zonën kodrinore të Janjevës. Në këtë komunë bën pjesë edhe qyteza e vjetër xehetare e Janjevës (15 km), qyteza e Magurës (12 km), pastaj Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” (21 km), Shpella e Mermerit e Gadimes, Parku i mrekullueshëm i Blinajës, burimi i ujit mineral në Baicë etj.

Fusha e gjerë pjellore e Kosovës, pastaj afërsia me kryeqytetin dhe Aeroportin kanë krijuar kushte e mundësi shumë të mira për zhvillim ekonomik të Lypianit. Territori i kësaj komune është veçanërisht i pasur me rezerva mineralesh; nikel, hekur, krom, kobalt, magnezit etj.

Malet e komunës së Lypianit të fshatrave Kleçkë, Divjakë etj., si dhe fshatrat në vargmalet e Zhegocit kanë natyrë të shëndoshë, pyje të larta e të dendura, duke pasur edhe potencial të madh ekonomik e turistik. Fshatrat e Drenicës që i përkasin komunës së Lypianit gjatë luftës çlirimtare ishin qerdhe të luftëtarëve të lirisë, ku e kishte selinë edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë edhe shumë vende e monumente natyrore, kulturore e historike që e begatojnë komunën e Lypianit dhe i japin mundësi për zhvillim të tërësishëm.

Rezervati apo parku natyror “Blinaja”, 15 km nga Lypiani dhe 30 km nga Prishtina, në sipërfaqe prej 5500 ha, është një pasuri e rrallë dhe e paçmueshme kombëtare, e cila po zhvillohet edhe si një qendër për pushim e gjueti. Ky park me peisazhe mahnitëse, në lartësi mbidetare 670 – 860 m., brenda tij ka 33 liqene artificiale dhe 60 livadhe të buta malore. Mëse 900 shtazë të mbrojtura, si dreri, kaprolli, derri i egër, si dhe shumë lloje shpezësh, e bëjnë parkun një vend me shumë interes për ta vizituar.

Qyteza 700-vjeçare e Janjevës, e njohur në të kaluarën si vendbanim xehetarësh e zejtarësh, një qytezë e futur mes tri kodrave me një hyrje e pa dalje, ka rreth 4000 – 5000 banorë të shumë etnive dhe religjioneve; shqiptare, kroate, serbe, turke, rome, boshnjake. Qyteza e Janjevës paraqet një atraksion të rrallë turistik, ku gjendet shtëpia – muze e Shtjefën Gjeçovit, kisha katolike, kompleksi hotelier – turistik “Anija”, shtëpitë karakteristike të fshatit.

Nga monumentet tjera të trashëgimisë kulturore dhe historike janë edhe gërmadhat nga koha ilire e romake, monumentet nga mesjeta, veçanërisht nga koha otomane. Dallojmë Qytezën në Gadime të Epërme, kishën e vjetër ilire në Lypian, manastire, xhami të vjetra, etj.

Ndërmarrjet ekonomike të Kosovës nga koha e monizmit, prandaj edhe ato të komunës së Lypianit, janë privatizuar, por asnjëherë nuk janë funksionalizuar. Atyre u është ndërruar destinimi apo kanë mbetur në gërmadha. Një fat të tillë kanë pasur edhe ndërmarrjet e komunës së Lypianit. Miniera e magnezitit e Goleshit në Magure, pas privatizimit me “spin-off special” në vitin 2007 për 810 mijë euro, ka dështuar dhe sot është e mbyllur. Të njëjtin fat e kishin edhe fabrika e letrës në Lypian dhe fabrika e “Coca Cola”-s në Lypian. Fabrika e pijes freskuese “Coca Cola”, e hapur vitin 1976 në Lypian, ishte nga fabrikat e para të kompanisë “Coca Cola” në ish-Jugosllavi dhe më gjerë, në rajon. Shumë kohë më parë kjo fabrikë është privatizuar, pastaj është mbyllur dhe është kthyer në depo mallrash.

Lypiani dhe komuna e Lypianit kanë shumë të veçanta. Komuna e Lypianit ka aeroport ndërkombëtar, Shpellë të Mermerit, Parkun Natyror të Blinajës, ish-fabrikën e parë të Coca Colës, ish-fabrikën e letrës, Minierën e mbyllur të Magnezitit, minierën e xehes së nikelit, kishën e vjetër ilire në Lypian, Burgun e Lypianit, hekurudhën, autoudhën, Janjevën e vjetër, internetin pa pagesë … Dhe, më të veçantë komuna e Lypianit e ka hartën e vet, që të përkujton hartën e Bosnjës, pasi edhe kësaj komune, me rastin e formimit të komunës etnike – politike të Graçanicës, i janë marrë disa fshatra dhe i janë dhuruar komunës së re.