MALLKIM ARBËRESH

(Sipas një gojëdhëne arbëreshe, qe e shtunë ajo ditë kur nisi shpërngulja e tyre për në Italinë e andejdetit)

Nga Emin z Emini

MALLKIM ARBËRESH

si sot
qe e shtunë ajo ditë

nuk doja të ikja pa ty
pa qepikët e tu të zez’

as ta lija ullirin e shtëpisë
vaj t’i pikojnë sytë
në vetminë mijëvjeçare

por e bëra
e bëra

kokën në trastë
hijen mbi shpinë
kah sytë këmbët

braktisa gjithçka
veten braktisa

kaptova fusha e male
dhe një det

një det ndërmjet

të dielen
nën një re të huaj të një qielli të huaj
shkova në një kishë të huaj

te një zot i huaj
u luta me kripë në sy
për ty
arbëri

nga libri i mallkimeve dënesa psalmin
të gjitha të shtunat ardhshin
sall ajo e shtunë
mos ardhtë kurrë.