Shkruan: Xhemajl Pllana – Baca Metush, u lind më 19 gusht të vitit 1928, në fshatin Dajkoc të komunës së Dardanës. Ai kishte bërë kthesë historike në luftën politike dhe kombëtare në trojet shqiptare të robëruara nga Jugosllavia. Ai, në qershor të vitit 1957, së bashku me Sejdi Kryeziun dhe me Mark Gashin, e kishin themeluar “Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë (PRBTSHSHA). Ishte burgosur më 3 nëntor 1958. Gjykata e Qarkut në Gjilan e kishte dënuar me vdekje, mirëpo në gjykimin përfundimtar, ai ishte dënuar me 18 vjet burg të rëndë.
Fjala mbrojtëse e bacës Metush, e kishte lënë pa frymë Trupin Gjykues ( 1-7 mars 1959) në Gjyqjn e Qarkut të Gjilanit: ”…Para këtij gjyqi deklaroj, me përgjegjësi morale dhe politike se e kam themeluar organizatën politike “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin amë“, Referatin e kam shkruar, e kam bërë skicën për formacionin ushtarak-brigadën e luftëtarëve shqiptarë të Anamoravës Lindore (Organogramin), e kam vizatuar shqiponjën dykrenore që të betoheshim para saj. I kam shkruar poezitë, traktet dhe proklamatat, i kam bërë thirrje popullit tim për luftë për Çlirim Nacional dhe Bashkimin me Atdheun tonë – Shqipërinë. Plotësisht, jam i vetëdijshëm, ia kam pasur borxh popullit tim, andaj, e kam dhënë një kontribut të vogël, pasi që nuk kemi arritur t’i çlirojmë në tërësi trojet shqiptare, prandaj e kam ndjerë detyrim të veproj e punoj për popullin tim e viset shqiptare derisa të arrijmë lirinë, prandaj nuk do të pushoj së punuari në këtë drejtim, për bashkimin e trojeve shqiptare në një SHTET me një emër të natyrshëm, SHQIPËRI”…!
” Vërtetë, kam shkruar për masakrat e gjenocidin ndaj popullit shqiptar, të cilin e ka shkaktuar shteti jugosllav, pra, kam shkruar dhe do të shkruaj gjer sa t’i realizojmë kërkesat tona. Nuk mund të quhet krim, nëse lufton për çlirimin e popullit dhe atdheut tënd. Nuk është krim nëse e pengon shpërnguljen e popullit tuaj dhe e pengon kolonizimin me serb e të tjerë! Mund të më quani nacionalist dhe irredentist, por unë ndihem krenar, sepse kam vepruar me ndërgjegje njerëzore, prandaj ju nuk mund të më dënoni për krimet që i ka bërë shteti jugosllav ndaj shqiptarëve prej nëntorit të vitit 1944 e gjer në aksionin e armëve më 1955/56 dhe torturat që ia kanë shkaktuar popullit shqiptar. Ai, hapur bënte thirrje kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, dhe u thoshte bashkëkombësve të tij, kudo që i jepej mundësia, mos u shpërngulni, mos i lëshoni vatrat stërgjyshore, këtu keni lind, ky është dheu i juaj .., atje kurrkush nuk ju njeh dhe nuk do t’ju flasë asnjë fjalë të ëmbël shqip. Mos u bëni fatmjerë, mos i ri-robëroni fëmijët tuaj. Jeni shqiptarë, Shqipëria do të na ndihmoj, nuk jemi jetim, mos ua ktheni shpinën varreve të baballarëve tuaj…! Baca Metush, kishte të dhëna se ishte krijuar pakti ushtarak Jugosllavi-Turqi-Greqi me qëllim të gllabërimit të Shqipërisë, pasi që të depërtoheshin shqiptarët e robëruar nga Jugosllavia. Sipas informative të tij, më 28 shkurt 1953, Koça Popoviqi dhe Hulusu Kejnani kishin arritur Marrëveshje Sekrete (në Shkup) për shpërngulje të shqiptarëve me shumë lehtësira që do t`i siguronte Maqedonia dhe konsulli turk, kuptohet me ndihmën e advokatve dhe agjentëve të maskuar. Për të gjitha këto veprime tragjike për shqiptar, ai, nuk mund të qëndronte indiferent. Ai kishte mësuar se dy divizione elite jugosllave, ishin dislokuar nga Vojvodina dhe ishin vendos në kufirin shqiptaro-shqiptar, më 1954. Kështu ky kufi do të bëhet më i militarizuari në Evropë deri më 1957, kur në Jugosllavi arratiset Panjot Plaku, ministër i mbrojtjës i Shqipërisë. Ky, dihet se punonte për agjenturat e Rankoviqit, prandaj udbashët e Beogradit, do ta likuidojnë dhjetë ditë pas likuidimit politik të Rankoviqit, më 1966.”
Ideali kombëtar i tij dhe i shokëve të tij, ishte mbi të gjitha çështjet. Fëmijët, na mësonte baca Metush, duhet t’i nxisim që t`i lexojnë me rrënjë veprat e Naimit, Filip Shirokës, të Migjenit e të Esat Mekulit. Transformimi,sipas tij, mund të bëhej vetëm me argumentin e forcës ushtarake, sepse armiku serbo-sllav nuk njeh gjuhë tjetër.
“Nuk mund të behet fjalë për liri pa krijimin e forcës së mirëfilltë ushtarake. Vetëm forca është dëshmuar në histori, se është mjet i çlirimit të vërtetë. Ideologjia mund të bëhet njëfarë mjeti shtytës për veprim horizontal dhe vertikal por, jo edhe përcaktues për çlirim kombëtar”, ndërsa në politikën e jashtme, i jepte përparësi përmirësimit dhe forcimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai edhe në burg mbajti qëndrimet e tij politike në shërbim të interesit kombëtar: sillej mirë me të burgosurit, i edukonte dhe i frymëzonte ata në frymën kombëtare, fliste dhe propagandonte në interes të të drejtave dhe të lirive tona kombëtare. Se, Metush Krasniqi ishte një edukues, një ideolog i vërtetë, dhe një njeri i dashur me plotë dhunti edukative dhe mbresëlënëse, e tregon më së miri ky shembull:
“Qendrimi burrëror dhe dinjitoz i tij, te të burgosurit shqiptarë në burgun e Nishit, kishte krijuar një shembull të papërsëritshëm të njeriut të qendrueshëm, me karakter të fortë dhe që krijonte harmoni në mes të burgosurve. Andaj, i burgosuri Nexhat Struca, kur i kishte ardhur koha e lirimit nga burgu, nga respekti dhe admirimi që ndjente për te, kishte shkuar te drejtoi i burgut dhe kishte kërkuar që, nëse kishte mundësi, t’i ndante vitet e burgut të mbetura të Metush Krasniqit, që t’i vuanin bashkë.”
Më 4 nëntor 1985, arrestohet përsëri baca Metush, së bashku me 17 veprimtarë të tjerë nga komuna e Ferizajt dhe e Kaçanikut. Në burgun e Prishtinës dhe të Mitrovicës,ai përjeton tortura të tmerrshme. Ai ishte burgosur për herë të pestë, mirëpo torturat e burgut të fundit ishin nga më të rëndat, madje më të rënda se edhe ato të vitit 1958 të “kohës së Rankoviqit”. Dhe, si pasojë e torturave të rënda dhe mizore fizike, më 16 tetor të vitit 1986, vdes udhëheqësi ynë i madh, Metush Krasniqi.Të njëjtën ditë, pra më 16 tetor, zhvillohet ceremonia e varrimit të bacës Metush. Kortezhi i pafund i shokëve, i miqve dhe i dashamirëve të lirisë dhe atdheut përbëhej nga njerëzit e të gjitha viseve shqiptare për të cilat, ai ishte shkrirë si qiriri. U varros me respekt e nderime në Dajkocin e tij të dashur të Kamenicës, i mbështjellë me flamurin kuq e zi, në mënyrën dhe në vendin që e kishte zgjedhur vet.
“Baca Metush ishte më trimi, më largpamësi e më atdhetari ndër ne, prandaj fjalën e tij e dëgjonim të gjithë. Kjo ishte arsyeja që pushtuesit çetnik ia kishin frikën dhe përgatiteshin që në kohën që ata do ta vlerësonin si më delikate për lëvizjen tonë, ta eliminonin nga udhëheqja jonë”, thoshte Adem Dema (Adem Demaçi).
(Citatet e sipërme janë nxjerrë nga shkrimi i Prof, dr. Hakif Bajrami: “Metush Krasniqi, promotor i lëvizjes shqiptare për liri dhe bashkim (III)”, më 06.03.2013. Prishtinë).