Nga Shefqet Dibani
Mbresa rreth poezisë “ALI PODRIMJA ËSHTË FAJTOR”, të poetit Sabit Rrustemi, botuar në Revistën SHESHI, Nr. 57-58 /korrik-shtator 2002 dhe ripublikuar në rrjetin social Facebook më 22 korrik 2023.
ALI PODRIMJA ËSHTË FAJTOR
Në emër të poezisë
Në emër të popullit lexues
Ali Podrimja është fajtor
Sepse ka lëshuar thirrje
Kushtrim
Brenda tokës arbërore
Hijës së saj
Ka parë vetëm zi dhe mace të zeza
Gjarpërin në zot duke kërkuar
Njerëzit i ka harruar
“FAJTORI”
Sabit Rrustemi, saktësisht e gjen njeriun që ka “bërë” faj, dhe ai Njeri ishte Poeti i Madh Ali Podrimja. Kjo poezi përkushtuese, me një titull shumë shenjues, ta ndal frymën, t’i step ndjenjat dhe do të vetëdisojë për “mëkatin” e poetit i cili duke “keqpërdorur, popullin lexues” dhe “Në emër të poezisë ka bërë faj”, dhe është bërë “mëkatar”, prandaj si i tillë Ai dhe vetëm Ai ishte “fajtor”.
“Mëkatin”(?!), pëmes poezisë e gjuhës artisitike, për të gjallë të Tij ia zbuloi, po një i sojit të poetëve, ky jo me faj, por me përkushtim dhe ironi artistike, se mbase duhet të jeshë poet i përkushtuar si Sabit Rrustemi, për ta zhbiruar poetin tjetër, i cili ishte patriot fisnik, siç qe dhe çfarë na ishte në të vërtetë Poeti i Madh Ali Podrimja. Sipas kësaj metafore, e cila nis që nga titulli, fajtori u zbulua, atë e “gjykoi” artistikisht Sabit Rrustemi, (siç thamë, po ashtu poet me emër), ndërsa dënimin publik që ia paska bërë për të gjallë, është nderimi më madhështor i kësaj mënyre që mund t’i bëhej poetit Ali Podrimja.
Publikimi i kësaj poezie fillimisht është bërë në Revistën SHESHI, Nr. 57-58 / korrik-shtatpr 2002. Më e madhërishme është se kjo poezi qenka lexuar në prani të poetit, tamam ashtu siç mund t’i lexohej padia fajtorit për fajësinë e bërë. Hipotetikisht dhe tejet realisht, nëpërmes artit poetik, Ali Podrimja, gjatë tërë jetës së tij ka bërë të tilla “mëkate”, dhe në të njëjtën kohë u bë poeti ynë më i madh i epokës së tij. T’ia lexosh një “Fajësi të tillë”, poetit Ali Podrimjes, është diçka e madhërishme që nuk përseritet më kurrë. Kështu poeti Sabit Rrustemi, për të gjallë të Poetit Ali Podrimja, i ka ndërtuar një monument artistik, për të cilin si asnjë poeti tjetër Sabit Rrustemi ka kryer një lloj borxhi në raport me Ali Podrimjen. Veçmas kur dihet se Ali Podrimja, të gjithë atyre që e kanë trajtuar krijimtarinë e tij u ishte mirënjohës, dhe ishte shumë i vetëdijshëm se ashtu i shërbente kombit dhe vetëdijes qytetare.
MAKUTËRIA
Pa dyshim Ali Podrimja, ka bërë një “faj” sepse “Emblemë të veten ka bërë kullën/ Gurin ujin pyllin e pakufi”, tashmë ai mban vulën e gjithë përgjegjësisë dhe bart “mëkatin” për gjithçka që nuk ka shkuar mirë në Kosovën tonë të bekuar, dhe siç shihet atij “nuk i ka mjaftuar me kaq”, por edhe “Sytë na i ka verbuar”, prandaj është Poet FAJTOR, kurse poezitë e tij tashmë mund të shpallen me aktgjykim si material mëkatar, veçmas “Për atë estetikë qenqe që e ka parë tek të tjerët”, kurse Poeti nuk ka duruar, nuk ka pra së shkruari kudo dhe kurdo “Sa n’këtë gazetë sa n’atë revistë/ Sa n’këtë libër sa n’atë libër”, prandaj edhe Sabit Rrustemi mirë e ka që ka arritur për ta adresuar jo vetëm “fajsinë” por tërë makutërinë e Ali Podrimjes, i cili si asnjë poet tjetër ishte grykës dhe lakmitar i tepruar për një estetikë artistike në poezinë shqipe. Ai nuk u ngop kurrë dhe shkoi me atë mall për të parë lirikë të mirë, edhe tek brezat tjerë që erdhën pas tij, andaj Ali Podrimja do të mbetet FAJTOR kryesor i kërkesës për vlera dhe për artin lirik!
KOSOVA ËSHTË GJAKU IM QË NUK FALET
Vërtetë a ka pasur FAJ Ali Podrimja, tash në kuptimin pozitiv?! Gjithsesi, po! Sepse veprimi i tij, sidomos poezia që shkruante Ai, solli risi në lirikën shqipe që krijohej në Kosovë. Si e tillë ajo solli edhe norma të reja estetike dhe vlerë të rrallë. Sado që identifikohej me dhembjen personale të poetit, veçmas ajo e shprehur në librin LUM LUMI, atë dhembje poeti e ktheu në vlerë universale, e cila përputhej edhe me vuajtjet e popullit të Kosovës. E tëra është e shprehur në vargun “Kosova është gjaku im që nuk falet”, e ky apel ishte thirrja më e guximshme që mund ta thoshte atëherë një intelektual. Pra, sipas këtij vargu, Ali Podrimja, në mënyrë estetike i ka shkelur rregullat, kurse në poezinë shqipe të vitetve gjashtëdhjeta e shtatëdhjeta (shekulli i shkuar) ka sjellë norma morale, të cilat i përpiu dhe i absorboi e tërë shoqëria kosovare, e cila ku më mirë e ku më zbehët vetdijësohej për fatin e vet nacional që ia kishte përcaktuar historia. Me fajin e vet a të tjerëve që përcaktonin zonat gjeostrategjike të interesit. Ishte koha e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur të gjitha vendet e Ballkanit, përveç Greqisë, ranë në ndikimin komunist. Edhe Kosova dhe Shqipëria do të përfshiheshin në këtë fat të zi. Prandaj për diktaturën komuniste, të gjitha veprimet patriotike, duke i përfshirë edhe vlerat letrare dhe poezinë ishin mëkatare, ndërsa mëkatari (autori), ishte Fajtor që duhej dënuar. Ftesat e tilla, sidomos vargu “Kosova është gjaku im që nuk falet”, për regjimin komunist ishte gabim dhe faj i madh. Por falë një vetëdije të lartë intelektuale, Ali Podrimja, me lirikën e tij, dhe në syrin e verbër të udhëheqjes politike komuniste, edhe pse e kishin zënë në faj(?!), ia krijuan mundësinë që ai ta lante (ta shlyente) fajin e bërë, por populli e dinte se me fajin e Ali Podrimjes(?!), “sa trimi e sa vasha u nis rrugës së amshimit/ Në altarin e lirisë”, tashmë shumë nga ata “Emër mbetën” dhe aty këtu i kemi edhe në ndonjë “pllakë guri e në kujtesë”, gjithësesi edhe në historinë më të re të Kosovës.
Përgjegjësia që kishte elita intelektuale, veçmas kur ajo prishte rregulla, kur shkelte mbi normën morale të vëllazërimit e bashkimit ose kur intelektualët nuk i zbatonin urdhërat shtetërore ata fajsoheshin, dhe madje kategorizoheshin si mëkatarë, gjithsesi edhe poeti “Rrugës së tij ka ecur”, pa e pranuar fajin se mbase faji gjithmonë ishte jetim. Veprimi i intelektualit gjykohej, kurse mosveprimi kategorizohej në oportunizëm duke bartur pasoja të rrezikshme, qoftë për veprime e qoftë për përmbajtjen e veprës së tij.
LERENI MOS PRISHNI QETËSINË POETIT
Poeti Ali Podrimja, “Për t’ia bërë një enciklopedi”, popullit të tij, sidomos “Në kohën kur bukë s’kishim për të ngrënë”, ishte me rrezik, por Ai i ka dëshmuar me vetëdije dhe me dashje i ka shkruar ato poezi, edhe atëherë kur ka parashikuar se nga vepra e tij mund t’i vijnë pasoja të rrezikshme, por me kujdes të shtuar arriti për t’i sfiduar ato kohëra, të cilat sipas poetit Sabit Rrustemi, Ai “Shkoi e u fsheh në sytë e Homerit/ Për një Iliadë shqiptare/ Tërë historinë e përbiroi nëpër rreshta poezish/ Dhe opusin popullor/ Duke i lënë të tjerët me gishta në gojë”. Së këndejmi; pjesëmarrja e poetit në jetën publike ishte faj dhe lehtësisht mund të klasifikohej në një krim ideologjik. Fajësia e elitës intelektuale lidhej me angazhimin e tyre në funksion të idealit dhe emancipimit qytetar. Edhe sipas poezisë emblematike për fajin dhe fajësinë e Ali Podrimjes të Sabit Rrustemit, provë fajësimi ishte poezia dhe vet qenia fizike e poetit “E sa fishkëllima pastaj për punët e pabëra”, por ai ishte kryeneq, prandaj “Fund e krye botës i ra/ E te Ura e Shenjtë u kthye”, dhe pa qarë kokën për fajin që bartëte si kryqin në qafë, përkatësisht siç shprehet poeti “…atë kryq paqeje/ Që ne si të vegjël e bartëm në qafë”, e pranoi se ishte fajtor për refrenin tashmë të njohur se “Kosova është gjaku im që nuk falet”, sigursht ishte kjo arsye pse ai kurrë nuk ishte penduar “Dhe (as) nuk është lutur për mëkatet e bëra dhe të pabëra”, shih nga kjo sintagmë poeti Sabit Rrustemi si ka arritur ta portretizoj figuren emblematike të poezisë shqipe, Ali Podrimjen:
Ai sërish vjen
Na buzëqesh dhe rrugën vazhdon
Mbase edhe kjo akuzë
Nuk e kthjellon
Lëreni mos ia prishni vetminë
Le të shkruajë e le të çmendet
Le të mbyllet në muzën e tij
Edhe i’qind vjet
Edhe i’mijë vjet
Sepse dënim më i rëndë nuk i përket
Amen!…
Jo vetëm Poeti Ali Podrimja, por edhe vet Sabit Rrustemi, në raport me diktaturën komuniste kishte bërë shkelje të rregullave komuniste dhe të porosive ideologjike, që ishnin shndërruar në dogmë dhe si rregull i diktaturës komuniste. Andaj kjo poezi mund edhe të tipizohet si rrëfim i qëllimshëm i mëkatit, për të shpjeguar pse “ALI PODRIMJA ISHTE FAJTOR”, i cili kishte bërë aq shkelje të rregullave dhe veprime që turpëronin diktaturën e sistemit, e cila predikonte se i ishte pa mëkate.
Nga ky prizëm, angazhimi intelektual i Ali Podrimjes, ishte veprim i Njeriut jomëkatar, kurse poezia e tij shpiente drejt një që e bënte në vazhdimësi Pushtuesi përmes Pushtetit që ushtronte dhe ai ish FAJTORI I VËRTETË.
Ndryshe nga Pushtuesi, Ali Podrimja po edhe autori i kësaj poezie emblematike si poetë të rrallë të poezisë sonë, kishin dëshirë që Kosova dhe Kombi i Ynë, të shihte dritën dhe të jetonte në përspektivën e lirisë që thjeshtë i mungonte.
PËRFUNDIM
Kjo metamorfozë poetike, e krijuar përmes kësaj poezie, manifestohet si ndryshim mjaftë i rëndësishëm në përceptimin tematik, që ka ndikuar në ndërtimin e motiveve dhe të mënyrës së shprehjes lirike.
Gjithashtu metamorfoza poetike e krijuar nga Sabit Rrustemi, ka pësuar ndryshime kualitative duke kapur tërë zhvillimin historik e poetik të Ali Podrimjes, i cili gjatë tërë jetës ka kaluar dhe është zhvilluar shkallë-shkallë duke përjetuar faza të ndryshme, të rënda dhe tragjike. Prandaj edhe poezia e autorit por edhe e protagonistit të kësaj poezie kanë pësuar metamorfozë kualatitative, duke rritur cilësinë e shprehjes poetike, e cila është e prekshme, e dukshme dhe e përjetësuar përmes vargjeve. Metamorfoza “e fajit” që bart ALI PODRIMJA, edhe brenda poezisë është e çuditshme, por është materializuar, si ide tematike në mënyrë të suksesshme.
Thënë troç, “fajtori” metaforik i Sabit Rrustemit është MERITORI Ali Podrimja, i cili poezinë shqipe e ngriti në piedestal… po, edhe vetë emrin e vet.
St. Gallen, 23.07.2023.
Shefqet DIBRANI
Sabit Rrustemi
ALI PODRIMJA ËSHTË FAJTOR
Në emër të poezisë
Në emër të popullit lexues
Ali Podrimja është fajtor
Sepse ka lëshuar thirrje
Kushtrim
Brenda tokës arbërore
Hijës së saj
Ka parë vetëm zi dhe mace të zeza
Gjarpërin në zot duke kërkuar
Njerëzit i ka harruar
Emblemë të veten ka bërë kullën
Gurin ujin pyllin e pakufi
E nuk i ka mjaftuar me kaq
Sytë na i ka verbuar
Sa n’këtë gazetë sa n’atë revistë
Sa n’këtë libër sa n’atë libër
Për një estetikë qenqe që e ka parë tek të tjera
Një kodër
Me p’shtymë
Ka ngritur
Gjuhëve të botës është ngatërruar
Vetëm tatarisht nuk është lexuar
Nga endjet nëpër etni
Një lum dhembjesh ka sjellë
E sa balada
Dhe një det pikëllimi
Për pamundësinë tonë
Në rikthimin e etnisë
A ju kujtohet çfarë tha në fillim
”Miq Kosova është gjaku im që nuk falet”
Tovona sa trimi e sa vasha u nis rrugës së amshimit
Në altarin e lirisë
Emër mbeti
Një pllakë guri e në kujtesë
Për hatër të muzës së tij
Lumenj gjaqesh u derdhën deri tek kjo ditë
Dhe asnjëherë nuk është penduar
Me një krenari të dalldisur
Ka deklamuar përkushtime për ta
Vetëm në takime letrare
Rrugës së tyre ka ecur
Figura të shumta ka rilindur
Për t’ia bërë një enciklopedi
Në kohën kur bukë s’kishim për të ngrënë
Dhe një çati
Shkoi e u fsheh në sytë e Homerit
Për një Iliadë shqiptare
Tërë historinë e përbiroi nëpër rreshta poezish
Dhe opusin popullor
Duke i lënë të tjerët me gishta në gojë
E sa fishkëllima pastaj për punët e pabëra
Për dashuritë e braktisura
Për vashat e plakura
Fund e krye botës i ra
E te Ura e Shenjtë u kthye
Majë nuk la pa prekur
E atdheun s’e shpëtoi nga tkurrja
Vetëm deri te kjo Plisore ende nuk është ngjitur
Për të parë shenjtërinë
Dhe atë kryq paqeje
Që ne si të vegjël e bartëm në qafë
Vetëm atje nuk është ngjitur
Dhe nuk është lutur për mëkatet e bëra dhe të pabëra
Ai sërish vjen
Na buzëqesh dhe rrugën vazhdon
Mbase edhe kjo akuzë
Nuk e kthjellon
Lereni mos prishni vetminë
Le të shkruajë e le të çmendet
Le të mbyllet në muzën e tij
Edhe i’qind vjet
Edhe i’mijë vjet
Sepse dënim më i rëndë nuk i përket
Amen
(Gjilan, 20 shtator 2002)
P.s.
Për herë të parë është lexuar në prani të Ali Podrimjes, në “Takimet e Dom Mikelit”, mbajtur në Stubëll, në fund të javës së tretë të shtatorit 2002, më pas kshtë botuar në disa gazeta letrare të atyre viteve , po edhe në librin tim të vitit 2007, i titulluar “Paqja e brishtë” , edituar nga Shtëpia botuese “Rozafa”, Prishtinë.