Mustafë Krasniqi- Shkolla Shqipe dritare për fëmijët shqiptarë të Diasporës

Mustafë Krasniqi

Intervistoi: Mustafë Krasniqi

Intervistë me Vaxhid Sejdiun – mësues i shkollës shqipe në Zvicër dhe veprimtar i arsimit shqip. Ai do të flasë në lidhje me përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe në Zvicër, gjatë  vitit shkollor 2019/20, si dhe përpjekjet pas përhapjes së pandemisë, në organizimin e mësimit në gjuhën shqipe në distancë. Pa dyshim, ai hyn në mesin e më të merituarve në këtë rrugëtim, i cili me punën dhe angazhimin e tij në shërbim të shkollës shqipe është shembulli që duhet ndjekur nga të gjithë ne.

Mustafë Krasniqi: Z. Sejdiu, A mund të na thoni se në ç’pozitë është shkolla shqipe në diasporë dhe roli i prindërve shqiptarë?

Dr. Vaxhid Sejdiu

Vaxhid Sejdiu: Së pari më lejoni ta përshëndes lexuesin tuaj dhe juve! Ndërsa sa i përket pyetjes tuaj, lirshëm mund ta them se është jo aq i kënaqshëm vijimi i numrit të nxënësve në shkollën shqipe, në krahasim me numrin e bashkëkombësve që jetojnë nëpër botë! Ndërsa, sa i përket rolit të prindërve në këtë drejtim,  është mjaft i frytshëm. Ata kanë nevojë që t`u themi gjërat ashtu siç janë. Po që në rast se prindi nuk informohet bindshëm, apo dëshpërohet nga organizimi, jo në frymën e duhur dhe cilësohet si privatësi individuale apo grupore, atëherë jo vetëm që nuk do të ketë sukses, po ai shndërrohet në një zëdhënës, kundër shkollës shqipe.

Për këtë dukuri, ne si mësimdhënës dhe aktivistët tjerë duhet të kemi kujdes se si e paraqesim platformën e punës sonë para bashkëkombësit apo prindit, për të qenë ai i bindshëm dhe përkrahës i shkollës shqipe. Nëse ne kemi këtë bashkëpunim me prindërit, padyshim se edhe nxënësit nuk do të na mungojnë.

Mustafë Krasniqi: Z. Sejdiu, me pak fjalë na thoni për aktivitetin e juaj në lidhje me mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër, gjatë këtij viti shkollor 2019/20.

Vaxhid Sejdiu: Shkolla Shqipe në Zvicër gjatë këtij viti shkollor dëshmoi se aty ku bëhen bashkë mësues dhe prindër nuk mungojnë edhe sukseset. Dhjetëra e dhjetëra shkolla të hapura me 574 nxënës, në Kantonin e Cyrihut dhe në disa kantone tjera të Zvicrës është sukses, i cili përmbysi pretendimet e “disave”, se gjoja prindërit nuk janë të interesuar t`i dërgojnë fëmijët e tyre për ta mësuar gjuhën amtare. Dhjetëra mësues dhe qindëra prindër në shërbim të shkollës shqipe, është lajmi më i mirë që e portretizon vitin shkollor 2019/20.

Mësuesi Vaxhid Sejdiu së bashku me nxënësit e shkollës shqipe në Neunehof (foto nga V.S)

Mustafë Krasniqi: Ju jeni një ndër mësuesit që keni punuar më se dy dekada në shkollat shqipe si dhe vazhdimisht keni qenë në mesin e mësuesve, që keni pasur dhe keni numrin më të madh të nxënësve.

Vaxhid Sejdiu: Shkolla shqipe është gjuha ime, atdheu im, jeta ime. Askund nuk mund ta gjej veten më të lirë, më të lumtur, më të gëzuar. Edhe pse në vend të huaj, është kënaqësi të gjendesh vazhdimisht në mesin e  dhjetëra e dhjetëra nxënësve, nga njëra klasë në tjetrën, nga njëra shkollë në tjetrën,  secila më e plotë (për nga numri i nxënësve) se tjetra. Sa herë kur hy në klasë, më duket vetja se jam në vendlindje, në Kosovë, në Shqipëri e gjetiu.

Mustafë Krasniqi: Z. Sejdiu, Në cilat ditë të javës dhe cilat shkolla jepni mësim?

Vaxhid Sejdiu: Unë punoj, nga  e hëna deri të shtunën e çdo jave, në shkollën shqipe të Flums-it, Neunehof-it dhe të Shpreitenbah-ut, si dhe në shkollat Uster, Volketswil dhe Rüti të sapo hapura në kuadër të shkollave Shqipe në Zvicër.   

Mustafë Krasniqi: Në dekadën e fundit kemi një rënie drastike të numrit të nxënësve shqiptarë që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në Diasporë! Vazhdimisht përsëriten fjalët se gjoja për këtë fajtor kryesorë janë prindërit. Sa qëndron ky konstatim?

Vaxhid Sejdiu: E vërtetë është se kemi një rënie drastike të numrit të nxënësve, por ekzistojnë një mori faktorësh të cilët kanë ndikim në këtë çështje.

Nxënësit e shkollës shqipe të Flumsit (foto nga V.S)

Mustafë Krasniqi: Gjatë këtij viti shkollor 2019/20, kemi informacione të vazhdueshme për hapjen e pikave të reja shkollore.

Vaxhid Sejdiu: Por, pas një angazhimi gjithëpërfshirës, ky vit dëshmoi se aty ku bashkohen prindër dhe mësues, suksesi nuk mungon.

Mutafë Krasniqi: Cilët janë mësimdhënësit tjerë dhe të suksesshëm, që janë të angazhuar në këto shkolla?

Vaxhid Sejdiu: Vlen të përmendet se në këto shkolla punojnë mësueset dhe mësuesit: Mimoza Dako, Qefsere Sejdiu, Nora Macula, Albulena Jusufi, Fatmire Rahimi, Ardian Shaqiri, Teuta Myrtaj, Renata Balliu, Nermine Shabani, Isuf Ismaili, Liljana Gojani dhe unë – Vaxhid Sejdiu. Edhe 4 mësues janë në listën e pritjes.

Mustafë Krasniqi: Cili është interesimi i prindërve dhe fëmijëve shqiptarë, për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë?

Vaxhid Sejdiu: Vetë fakti se kemi hapur gjithë këto shkolla, dëshmon se interesimi i prindërve ka qenë këtu! Por në fakt, për këtë  është dashur një angazhim dhe një përkushtim i veçantë për ta vu në lëvizje çështjen e qëllimit tonë, gjë që dhe jam optimist, se nëse vazhdojmë kështu do ta arrijmë synimin tonë! Të paktën, do të kemi një numër shumë më të madh se tani që kemi.

Mustafë Krasniqi: Cilat janë mundësitë dhe vështirësitë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, por edhe kudo në botë?

Nxënësit e shkollës shqipe të Rütit (foto nga V.S)

Vaxhid Sejdiu: Mësimi i gjuhës shqipe në shkollat zvicerane zhvillohet, aty ku mbahet edhe mësimi i rregullt në gjuhën e vendit. Kemi një mbështetje të jashtëzakonshme nga institucionet zvicerane. Vështirësi ka mjaft, por unë mendoj se janë të përballueshme. Pastaj, unë nuk mund ta marrë me mend që një fëmijë shqiptar të rritet pa gjuhën e nënës. Ky është dënim shumë i rëndë për fëmijët shqiptarë. Për këtë arsye i thërras të gjithë prindërit shqiptarë, në Zvicër, por kudo në botë që janë, pa hezituar, t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe, sepse ky është investim për të ardhmen e tyre, njëkohësish edhe për atdheun.

Mustafë Krasniqi: Thatë që keni mbështetje nga institucionet zvicerane! Por, këtë mbështetje a e keni edhe nga institucionet shqiptare?

Vaxhid Sejdiu: Po, kemi një bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e R. së Kosovës dhe Ambasadën e R. së Shqipërisë në Bernë. Vlen të përmendet se angazhimi i tyre është në çdo çast dhe në çdo kohë. Sa herë që bëhet fjalë për hapjen e pikave shkollore në gjuhën shqipe dhe sistemimin  e nxënësve nëpër klasa, ndihma dhe mbështetja e tyre nuk ka munguar.

   Nxënësit e shkollës shqipe në Uster, të Kantonit të Cyrihut (foto nga V.S)

Mustafë Krasniqi: Dhe tani, në kohë pandemie, si organizohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe? Çka mund të na thoni (foto nga V.S)?

Vaxhid Sejdiu: Përhapja e pandemisë dhe mbyllja e shkollave, na ka penguar në rend të parë në hapjen e disa pikave shkollore. Kurse tani mundohemi ashtu si kolegët zviceranë që t`i organizojmë orët mësimore me qëllim që fëmijët shqiptarë të mos shkëputen nga mësimi i deritanishëm! Gjë që këtë edhe jemi duke e bëjmë, në kushtet që i kemi.

Mustafë Krasniqi: Si organizohen këto orë?

Vaxhid Sejdiu: Nëpërmjet rrjeteve sociale kemi arritur të jemi të pranishëm afër nxënësve, që për çdo javë atyre t`iu dërgojmë njësitë e caktuara mësimore, të shoqëruara me sqarime dhe mësime shtesë, duke iu kërkuar që detyrat e shtëpisë të bëhen patjetër.

Mustafë Krasniqi: Dhe cili ka qenë, reagimi, z. Sejdiu?

Vaxhid Sejdiu: Natyrisht, që ky aktivitet shkollor nuk është edhe aq i lehtë, por kur e sheh se po funksionon, ku pothuajse të gjithë nxënësit i pranojnë detyrat, i marrin seriozisht dhe secili nga ata, mundohet t`i zgjidhë ato, t`i përmirësojë gabimet e bëra në variantin  e parë dhe mundohen nëpërmjet video – incizimeve t`i dërgojë mësimet e lexuara, nëpërmjet fotokopjeve i dërgojnë përgjigjet. Pra,  ky komunikim në këtë gjendje jo të zakonshme të jep forcë, të jep motiv që të punosh edhe më tepër për ta.

Mustafë Krasniqi: Dhe në fund, z. Sejdiu, çka mund të shtoni, në lidhje me mësimin plotësues të gjuhës shqipe, në kantonin e Cyrihut?

Gresa, Gentonis, Aurela dhe Andi  Shala gjatë një orë mësimore të gjuhën shqipe, në shtëpi (foto nga V.S)

Vaxhid Sejdiu: Ju bëj apel të gjithë prindërve, që t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe, kudo që janë. Këto që i kemi, por janë edhe më se 30 shkolla në procesin e hapjes, sepse ne tek tani kemi filluar! Kështu që fëmijët  e tyre, ashtu siç e kanë vendin në shkollën e rregullt, e kanë vendin edhe në bankat shkollore në shkollën shqipe. Pa gjuhën shqipe, fëmijët,  emrat e bukur të tyre, s’ kanë kuptim. Deklarimi “jam shqiptar” dhe pastaj mungon gjuha shqipe nuk  mjafton.

Mustafë Krasniqi: Ju faleminderit për kohën që keni gjetur të bashkëbisedoni me mua dhe ju dëshiroj shëndet e suksese në PROFESIONIN dhe PASIONIN, që keni, i nderuari z. Vaxhid Sejdiu.

Vaxhid Sejdiu: Ju faleminderit edhe juve, z. Krasniqi, për përkrahjen, që jeni duke i dhënë mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Diasporë, me Portalin e juaj “URA E BASHKUAR” dhe ju dëshiroj suksese, që të keni sa më shumë lexues.