KUR VULLNETI BËHET SHTYLLË, SHKOLLA SHQIPE RRITET
Shkruan: Mustafë Krasniqi

Lidhja e Arsimtarëve dhe e prindërve Shqiptarë (LAPSh) fillimin e vitit shkollor 2025-2026 e nisi me takimin e kryesisë me mësimdhënësit e shkollës shqipe në Bavari. Takim i cili u mbajt më 21 shtator 2025, ku u diskutua për përgatitjet e mësimdhënësve, furnizimin me libra, dorëzimin e ditarëve të vjetër dhe pranimin e ditarëve të rinj.
Në këtë takim u fol gjithashtu për sfidat me të cilat po përballet LAPSh-i, duke u theksuar nevoja që në këto procese të përfshihen edhe institucionet e dy vendeve tona, e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. U vlerësua bashkëpunimi i dy Konsullatave tona, të cilat përmes mbështetjes së tyre sigurojnë librat shkollore dhe marrin pjesë në aktivitetet festive.
Ndërkohë, në takimin e kryesisë që u mbajt më 26 shtator 2025 dhe të Këshillit të Arsimtarëve, më 25 shtator 2025, u diskutua për mënyrat e nxitjes së shtimit të numrit të nxënësve dhe ruajtjes së tyre, me qëllim që të mos na ikin nxënësit nga klasa.
U theksua se përkrahja institucioneve shtetërore të dy vendeve tona jo vetëm që do t’i nxiste prindërit mërgimtarë për t’i sjellë fëmijët në shkollë shqipe, por edhe do t’i motivonte bizneset dhe shoqatat që ta ndihmonin atë.
Po ashtu u fol edhe për domosdoshmërinë e rritjes së numrit të nxënësve, sigurimin e mësuesve, hapjen e klasave të reja, shpërndarjen e librave, punimin e ditarit dhe të informimit sa më të gjerë të bashkëkombësit dhe prindërve me shkollën shqipe.
Për nëntë vitesh rresht kryesia e LAPSh-it, me të gjithë fuqinë e saj profesionale dhe organizative, po zhvillon aktivitetin e vet në mënyrë vullnetar, duke u përpjekur njëkohësisht të sigurojë të ardhura për mësimdhënësit, organizimin e seminareve dhe shënimin e datave historike e kulturore.
Në fund u theksua se “vullnetarizmi ka drojë se një ditë edhe mund të lodhet, nëse nuk vlerësohet ashtu siç e meriton, duke i ofruar optimizëm real dhe bashkëpunues”.