
– Fëmijët e mësimit plotësues të gjuhës shqipe të Rosenheim dhe Kolbermoor, nisin rrugëtimin për të njohur Shqipërinë!
Së shpejti, grupi i fëmijëve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe të Rosenheim dhe Kolbermoor, do të udhëtojë drejt Shqipërisë – për disa prej tyre kjo do të jetë hera e parë, ndërsa për të tjerët një rikthim i shumëpritur në atdhe.
Të ardhur nga treva të ndryshme, këta fëmijë ndajnë të njëjtën krenari për origjinën e tyre shqiptare dhe mezi presin të njihen më nga afër me historinë, kulturën dhe jetën në vendin e të parëve.
Përpara kësaj vizite të veçantë, fëmijët zhvilluan një takim të ngrohtë dhe frymëzues në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, ku u pritën me dashamirësi. Të shoqëruar nga mësuesja e tyre e përkushtuar znj. Valbona Roqi, si dhe nga nënkryetarja dhe anëtarë të Shoqatës “Shqiponja” në Rosenheim, Znj. Berta Goçi Morina dhe Ardiana Mani, ata patën mundësinë të njihen nga afër me punën e përfaqësisë sonë diplomatike.

Në Shqipëri i pret një program i pasur me përvoja: vizita në institucione shtetërore, muze, qendra kulturore dhe shtëpi botuese, si dhe takime me bashkëmoshatarët e tyre. Kulmi i udhëtimit do të jetë festa e përbashkët me fëmijët në Shqipëri për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve – një moment gëzimi, bashkimi dhe krenarie shqiptare.
Ky aktivitet është një dëshmi e përkushtimit për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar te fëmijët shqiptarë në diasporë.
Marrë nga faqja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës në Shqipërisë në Munih