Për Vitin e ri 2024 shkëmbim kartolinash mes nxënësve të shkollës shqipe në Vjenë,me nxënësit e shkollës “Ismail Qemaili” në Komunën e Istogut.

Uraebashkuar

Mësuesit janë arteria kryesore e kombit, çelës i njohurive të fituara, që nga shkronja e parë e deri në ngritjen e lartë profesionale. Mësuesi gjurmon, që nxënësit e tij të dalin sa më të mirë dhe, për këtë jo rastësisht lindi ideja e mësueses Miradije Berisha, mësuese në Vjen të Austrisë, të krijoj një lidhje të ngushtë me atdheun, përmes nxënësve.

Dhe ky projekt “Shkëmbim kartolinash, me urime për Vitin e Ri 2024”, ishte një rrugë e shkëmbimit të uratave mes nxënësve të mësimit të gjuhës shqipe VS Jagdgasse në Vjenë dhe nxënësve te SHFMU “Ismail Qemaili” në fshatin Saradran, Komuna e Istogut, Kosovë. Projekt që zgjoi ndjenjë bashkëpunimi dhe la mbresa të shoqërimit, mes nxënësve të atdheut dhe të nxënësve të mërgatës.

Projekti morri rrugëtimin për t’u realizuar nga shkolla VS Jagdgasse 22, nga mësuesja Miradije Berisha në bashkëpunim me drejtorin e shkollës “Ismail Qemaili” z. Skënder Berisha dhe për ta realizuar mësuesit/et: Antigone Çeta, Naser Hoxha, Ganimete Berisha bashkë me prindërit e nxënësve të Vjenës. Që fëmijët e mërgatës shqiptare të ndihen sa më afër atdheut, me bashkëmoshatarët e tyre dhe të nxjerrin emocionet përmes dërgim-pranimin të kartolinës dërguar bashkëmoshatarëve, në rrugën postare atdhe-mërgim, mërgim-atdhe.

Kjo nismë e këtij projekti dhe lidhshmëria e nxënësve përmes kartolinave ishte një gëzim i madh dhe i paharrueshëm. Të emocionuar dhe kureshtarë se kush është ai apo ajo që do të këmbejë kartolina me të?

Shpalosja dhe leximi i kartolinave të ardhur nga atdheu, nxënësve në fytyrat e tyre shihje gëzim e buzëqeshje dhe shkëlqim që ju shkonin syve të tyre, thua se atdheu, dashuria, krenaria bashkë me kartolinën ishin në Vjenë, me vargje të bukura të nxënësve nga atdheu që ju kishin shkruar bashkëmoshatarëve, kolegëve të tyre në mërgim. Por, që shpresa i mban se ky shkëmbim kartolinash do t’ua mundësoj takimin mes tyre gjatë pushimeve verore, që të mbajnë lidhje shoqërie!

Ky projekt u vlerësua shumë edhe nga drejtoria e shkollës në Vjenë, të cilët e futen edhe në vebfaqen zyrtare te shkollës. Natyrisht kjo më bënë të ndihem mirë, jo vetëm për mua si mësuese e gjuhës amtare por edhe për kolegët tjerë tha mësuesja Miradije Berisha.