“Politika si ide”, në këndvështrimin e Valentina Leska

Nga Selami Xhepa – President, Universiteti Europian i Tiranës

“Politika si Ide” e Znj. Valentina Leskaj, është një narrativë e tre dekadave të eksperiencës personale politike dhe shoqërisë civile, një rrëfenjë e një tranzicioni epokal të shoqërisë njerëzore në tërësi, dhe të vendit tonë, Shqipërisë, në veçanti. Teksa e kam lexuar gjatë përgatitjes për botim, jam zbavitur prej larmisë së tematikave të trajtuara; zhvendosjeve në kohë dhe hapësirë që krijohen në secilën prej tyre; personalizimi i ideve tek individë të caktuar të shquar të fushave, e njëherësh abstraksioni si teorizim mbi fenomenet; prekja emocionale që të krijon trajtimi i grupeve vulnerabël, dhe ftohësia që ruhet në raport me dështimet konsekuente të politikave publike; ecjes kritike në linjën e përfaqësimit të saj ideologjik, përballë dështimeve në artikulimin e politikave publike nga të dyja kahet e spektrit politik shqiptar.
Ky libër nis si një tekst i shkruar për gruan, lëvizjen feministe dhe të drejtat e gruas në shoqëri. Them se nuk mund të kishte nisje më të duhur për një femër që edhe vetë veprimtarinë e saj, siç dëshmohet përgjatë faqeve të të gjithë librit, e ka kaluar në kauza në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Angazhimi politik dhe aksioni publik qytetar lidhen pazgjidhshmërisht me zbulimin e forcës së gruas dhe vërtetimin e tezës se, shoqëritë që kanë ditur të angazhojnë gruan në punët e vendit, ia kanë dalë të ndërtojnë familje të shëndetshme dhe shoqëri të shëndetshme. Ndërsa shoqëria njerëzore ka kaluar nga epoka e matriarkatit tek ajo e patriarkatit, sot po predikojmë të ndërtojmë një shoqëri që ruan një rol të barabartë për të dy anët e ekuacionit të zhvillimit, të burrit dhe gruas. Vendet që ia kanë dalë të gjejnë më mirë këtë balancë, janë edhe vendet me nivelet më të larta të kënaqësisë njerëzore dhe harmonisë sociale. Znj. Leskaj e ka përcjellë mesazhin e saj përmes kontributeve të konferencave shkencore ndërkombëtare, duke qenë dhe vetë protagoniste.
Një temë me shumë interes që trajtohet në libër është ajo e pjekurisë demokratike të shoqërisë. Si një shoqëri me trashëgimi deficitare në fushën e demokracisë, si një vend ku dhe eksperimenti komunist u zbatua në formën e vet më ortodokse ekstreme, nuk mund të pritej që transpozimi i sistemit të ri të vinte pa probleme dhe në mënyrë të butë. Sistemet nuk janë si direktivat e BE-së që mund të transpozohen nga departamentet juridike, sepse demokracia është mënyrë organizimi dhe ideal shoqëror që bazohet në respektimin e parimeve fondamentale që e bëjnë atë një sistem të besueshëm nga e gjithë shoqëria. Përgjegjshmëria, llogaridhënja dhe “checks and balance” në ndërtimin e strukturës së qeverisjes së vendit, janë kritike që qytetarët të ruajnë besimin tek demokracia, tek pushteti i votës së tyre. Fatkeqësisht, siç e pohon dhe autorja në libër, nuk ia kemi dalë të ndërtojmë një demokraci funksionale, ku shteti ligjor, rendi dhe ligji funksionojnë sipas parametrave të një shoqërie moderne europiane. Personalizimi i pushteteve, por dhe i segmenteve të rëndësishme të jetës ekonomike, kaq i dukshëm në kontekstin shqiptar, bie në kontrast të thellë me natyrën impersonale të institucioneve qeverisëse dhe transaksioneve në ekonomi, që duhet të ekzistojnë në një shoqëri demokratike dhe tregut të lirë. Deficiti demokratik është një arsye madhore e lodhjes dhe zhgënjimeve të shoqërive që dolën nga sistemet totalitare, të sjella mjeshtërisht nga autorë të njohur sot, më së fundmi edhe nga shkencëtari politik Ivan Krastev me librin e tij me bashkautorësi me Stephen Holmes, “The Light that Failed”. Kjo është një temë qendrore edhe e këtij libri dhe mendoj se përbën një kontribut në trajtimin e këtij problemi specifikisht në kontekstin shqiptar.
Konflikti politik si mungesë idesh dhe roli i medias si amplifikues i së keqes dhe konfliktit, mund të konsiderohen si një prej faktorëve që kanë mbjellë dëshpërim tek publiku dhe kanë prodhuar këto zhgënjime të thella tek e gjithë klasa politike, e që mund të shndërrohen në një mosbesim tek vetë sistemi. Gjuhën e urrejtjes që e ndesh në politikë – që nga Parlamenti dhe në retorikën e përditshme politike – autorja me të drejtë e sheh si ..” një problem i madh për vet moralin e shoqërisë, e cila bëhet e rrezikshme sidomos kur ndikon te të rinjtë duke nxitur një kulturë të dëmshme për brezat dhe për fat të keq kjo situatë po lë gjurmë”.
Dhuna verbale dhe konfliktualiteti në shoqërinë e sotme, nuk janë një problem thjesht shqiptar, por një çështje shqetësuese që merr shumë mprehtësi në kushtet e përparimit të sotëm teknologjik. Populizmi në politikë që vitet e fundit është një fenomen kaq shumë i përhapur në botë, i ka dhënë më shumë zë grupeve ekstremiste dhe votuesi “medianë” është pa zë.
Raporti delikat midis lirisë së fjalës, fuqisë së teknologjisë për të depërtuar përmes rrjeteve sociale në mënyrë personale tek gjithë popullata përdoruese, efektivisht tek gjithsecili prej nesh, dhe rregullimit të këtij ekuilibri, kanë marrë së fundmi trajtat e një konflikti të madh mes politikës, si ushtruese e rregullimit dhe medias sociale (dhe shoqërisë) si promotore të lirisë së shprehjes. Raporti i teknologjisë dhe rregullimit është gjithnjë problematik, sidomos kur ndryshimet janë paradigmale.
Ndasitë politike, siç e thotë autorja me të drejtë në libër, vazhdojnë të mbeten të thella. Fakti që ne biem dakort pa dallime politike për çështje të debatit global, të themi me përkufizimin e antisemitizmit, por nuk biem dakort me dënimin e krimeve të komunzimit, janë një tregues i faktit se e shkuara dhe dallimet në raport me të, kanë rrënjë shumë të thella. Mendoj se në një kuptim, ndryshimi i vërtetë social në Shqipëri do jetë realizuar kur shoqëria të jetë gjakftohtë në gjykimin e historisë së shkuar, duke i vendosur palët në histori në ekuidistancë.
E tillë është edhe ndarja në të majtë dhe të djathtë; ajo nuk është një çështje e raportit të individit me pasurinë apo pozicionin e tij në shoqëri, por çështje e raportit të individit me lirinë, e mënyrës se si dikush e percepton raportin individ-shoqëri. Dhe kjo do të thotë se të qenit i pasur nuk të bën domosdoshmërisht të djathtë, ashtu sikurse të qenit me të ardhura ekonomike modeste, nuk të bën domsdoshmërisht të majtë. Për më shumë, në një botë që po rend kaq fort pas materializmit, rikthimi drejt metafizikës, drejt idesë, drejt shpirtit njerëzor, po prek gjithnjë e më shumë individë, përfshi dhe tycoon të mëdhenj të kapitalit. Business Round Table, për shembull, është një iniciativë e një grupi kompanish shumëkombëshe ndër më të mëdhatë amerikane, që po promovon një ndryshim të rëndësishëm në natyrën e sistemit kapitalist, një zhvendosje nga kapitalizmi aksionar, pra korporatës që punon për pronarët, drejt kapitalizmit të aktorëve, korporatës që balancon më mirë interesat si të pronarëve, ashtu dhe të punëtorëve, mjedisit, komunitetit dhe shoqërisë në tërësi. Fatkeqësisht, siç e thotë me të drejtë Znj. Leskaj në libër, ideologjitë e majta dhe të djathta në Shqipëri nuk kanë patur pasues konsekuent nga asnjëri krah politik. Dhe ky nuk është një problem që lidhet me natyrën ortodokse të politikave të tranzicionit, të cilat mund të kuptohen për dekadën e parë të viteve ’90, por janë të pajustifikueshme më vonë, por siç e thotë autorja, janë pjesë e pragmatizmit elektoral. Në veçanti, sot kur në gjithë botën ka nisur një debat global për një reformim të sistemit kapitalist, për një ribalancim më të mirë të sistemit që të punojë edhe në mbrojtje të punëtorëve po aq sa dhe të sipërmarrësve, tema e modelit të ri ekonomik në Shqipëri shihet si një çështje thjesht teknike, se nga do gjenerohet rritja ekonomike; si një debat pozitivist dhe jo normativ.
Zhvillimet sociale dhe demografike janë dhe mbyllja e librit. Që të dyja këto tema vijnë në një kontekst shqetësues, të problemeve që ato krijojnë në aspektin ekonomik dhe social në vitet që do të vijnë. Kjo temë të cilën autorja e zhvendos pas në kohë që në vitet ’70, me raportin e famshëm të Klubit të Romës dhe paqëndrueshmërinë e modelit ekonomik përballë presioneve demografike, sot vjen në një trajtë tjetër; atë të një popullsie të plakur dhe rënje të lindshmërisë, të cilat do të prodhojnë sfida të vërteta serioze për vendet që do të ndikohen. Këtu bën pjesë dhe Shqipëria, ku vijat e grafikut të raportit midis fashës së popullsisë së re dhe asaj të plakur do të priten duke filluar nga viti 2023. Për pasojë, tregu i punës dhe gjithë tregjet e tjera do të ndikohen në një mënyrë të thellë dhe do të sjellin pasoja gjithnjë e më të forta në shoqëri.
Znj. Leskaj jep përmes këtij libri një kontribut të rëndësishëm në këtë larmi temash dhe sfidash. Duke qenë edhe një rrugëtim në ato se çfarë ka ndodhur në këto tre dekada tranzicioni, libri ka një vlerë të shtuar edhe si një libër reference për studjuesit e këtyre fushave. Libri ka përfituar gjithashtu jo vetëm nga dijet dhe angazhimet politike të autores, por dhe nga pasuria e eksperiencave personale, duke e bërë atë një libër të shkruar përgjatë gjithë kësaj kohe dhe të pasuruar përmes një morie episodesh interesante (Marrë nga Gazeta Liberale).