Nga Prof. dr. Hysen Matoshi
Radio Kosova e Lirë është njëra ndër shenjat më identifikuese të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, në një plan më të gjerë, është përçuese e ideve kombëtare të brezave të atdhetarëve tanë përgjatë lëvizjes kombëtare për çlirim nga pushtuesi. Para një çerek shekulli nisi të jehonte zëri i lirë, kushtrimi më i madh i lirisë, zëri i së vërtetës, zëri i luftës së drejtë të kombit shqiptar. Fjala e lirë vinte nga fusha e betejës, nga toka e lirë e Kosovës, të cilën me gjak e çliruan dëshmorët e Kombit. Radio Kosova e Lirë ishte zëri autentik i dalzotësve të tokave shqiptare, ishte zëri që trimëroi guximin e fashitur të shqiptarëve të robëruar.
Ndonëse shumëçka nga vlerat e luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është transformuar, Radio Kosova e Lirë ka mbetur në të njëjtat valë ideologjike kombëtare e misionare të ndërgjegjësimit të opinionit vendës e më gjerë për rëndësinë e madhe që e pati lëvizja jonë kombëtare në krijimin e realitetit të ri – lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Dje, në luftë, fjala e lirë që po e lindte vetë lirinë, jehoi nëpër krismat e armëve, por edhe sot kjo fjalë gjëllin në saje të përpjekje për të kapërcyer sfidat e mëdha me të cilat vijon të përballet. Të gjithë ata që dhanë ndihmesë gjatë këtij 25-vjeçari për funksionimin e saj janë meritorë për faktin se Kosova dhe shqiptarët e kanë zërin e vet të lirë, zërin që do të jehojë në histori.
Prishtinë, 4 janar 2024