Qendra e Botimeve për Diasporën priti për vizitë nxënësit e shkollës shqipe në Bavari të Gjermanisë

Në prag të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Qendra e Botimeve për Diasporën mirëpriti me ngrohtësi fëmijët e mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga qytetet Rosenheim dhe Kolbermoor të Gjermanisë. Të shoqëruar nga mësuesja e tyre e përkushtuar, znj. Valbona Roqi, si dhe nga përfaqësues të shoqatës “Shqiponja” Rosenheim, znj. Blerta Goçi Morina dhe znj. Ardiana Mani, ata zhvilluan një vizitë të veçantë me karakter edukativ dhe kulturor në ambientet e QBD-së.

Gjatë vizitës, fëmijët u njohën nga afër me veprimtarinë e Qendrës dhe me botimet e saj që synojnë të forcojnë gjuhën, identitetin dhe lidhjen me trashëgiminë kulturore shqiptare në diasporë. Ata treguan interes të veçantë për librat dygjuhësh, të cilët i ndihmojnë të ruajnë shqipen krahas mësimit të gjuhës gjermane.

Në përfundim të vizitës, çdo fëmijë mori si dhuratë botimin dygjuhësh “Përrallat e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, në gjuhën shqipe dhe gjermanisht, si dhe Udhërrëfyesit për qytetet shqiptare, me qëllim që të njihen më mirë me historinë, kulturën dhe bukuritë e vendit të tyre.

(Nga QBD)